Me ëndrrën për të luajtur një finale europiane në shtëpi, Athletic Bilbao ka përpara pengesën e fundit: përballjen me Manchester United në gjysmëfinale të Europa League. Të enjten mbrëma, në “San Mames”, skuadra baske dhe gjigantët e rënë të Premier League do të kërkojnë të marrin një avantazh për ndeshjen e kthimit javën tjetër. Sfida tjetër është ajo mes Tottenham dhe Bodo/Glimt, me anglezët favoritë për të shkuar në finale.
Pas një përmbysjeje të jashtëzakonshme kundër Lyon në çerekfinale, Manchester United mund të ndiejë se ky trofe është i shkruar për ta, në një përpjekje për të shpëtuar një sezon të dështuar. Pas barazimit 2-2 në Francë, “Djajtë e Kuq” morën epërsinë 4-2 në “Old Trafford”, përpara se skuadra e Paulo Fonsecas të shënonte katër gola radhazi. Dy të parët çuan ndeshjen në shtesë, dhe Lyon – me 10 lojtarë – ishte pranë një fitoreje të lavdishme. Por në gjashtë minutat e fundit, United reagoi fuqishëm, me gola nga Bruno Fernandes, Kobbie Mainoo dhe Harry Maguire, duke kaluar më tej me rezultatin total 7-6.
68 VJET PA FITORE NDAJ ATHLETIC
Më herët, United kishte kaluar lehtësisht fazën e re të ligës – me një mesatare prej dy golash për ndeshje – përpara se të eliminonte Real Sociedad në 1/8-at. Fitues të Europa League tetë vite më parë, ata kanë fituar 14 nga 15 përballjet me eliminim direkt në këtë turne. Megjithë vështirësitë në kampionat, Ruben Amorim mbetet i pamposhtur në tetë ndeshjet e tij europiane si trajner i United. Madje, skuadra e tij është e vetmja e pamposhtur në Europë këtë sezon, me 28 gola të shënuar dhe statistika mbresëlënëse si më shumë goditje në portë (222) dhe më shumë prekje në zonën kundërshtare (458) se çdo skuadër tjetër në këtë kompeticion.
Duke qenë në një pozicion të dobët në tabelën e Premier League – vetëm një gol i vonë i Højlund ndaj Bournemouth shmangu një tjetër humbje fundjavën e kaluar – fitorja e Europa League shihet si rruga alternative drejt Champions League sezonin e ardhshëm. Por historia nuk është në anën e tyre: në katër përballjet e mëparshme me Athletic, United ka humbur tri herë dhe ka fituar vetëm një, që daton në shkurt 1957.
PËRBALLJA E PARË PAS 12 VITESH
Ky do të jetë takimi i parë mes tyre që prej sezonit 2011-12, kur nën drejtimin e Marcelo Bielsa, Athletic fitoi të dyja ndeshjet dhe arriti finalen e asaj Europe League. Ndërsa United përgatitet për gjysmëfinalen e tij të 18 europiane, për Athletic është vetëm e treta: edhe në vitet 1977 dhe 2012 ata përfunduan si nënkampionë. Pas triumfit në Copa del Rey sezonin e kaluar, ata kërkojnë të fitojnë edhe një tjetër trofe, veçanërisht kur finalja luhet në “San Mames”.
Në fazën e ligës, skuadra e Ernesto Valverde përfundoi një pikë dhe një vend mbi United. Ata më pas eliminuan Romën dhe Rangers: fillimisht përmbysën humbjen e parë me një fitore 3-1 në shtëpi ndaj italianëve; më pas, pas një barazimi pa gola në Glasgow, shënuan Sancet dhe Nico Williams për të fituar ndeshjen e kthimit. Në rrugëtimin drejt kësaj faze, Athletic ka fituar të gjitha gjashtë ndeshjet e shtëpisë në Europa League – me 14 gola të shënuar dhe vetëm 2 të pësuar.
Lexo më tej: Conference League, gjysmëfinalet e para: Fiorentina gati të pushtojë Seviljen me Kean
Pas vendit të pestë sezonin e kaluar në La Liga, ata janë në garë për një vend në top katër këtë edicion. Fitorja ndaj Las Palmas javën e kaluar i mbajti përpara Villarreal dhe Betis, me vetëm pesë ndeshje të mbetura. Duke përfituar nga pushimi fundjavën e kaluar, ndërsa Barcelona dhe Real Madrid luanin finalen e Kupës së Mbretit, Valverde do të kërkojë të shfrytëzojë më së miri freskinë fizike dhe avantazhin e fushës. Mes dy përballjeve me United, “Los Leones” do të kenë edhe derbin me Real Sociedad – që u eliminua më herët pikërisht nga United – ndaj ky është një javë që mund të përcaktojë gjithë sezonin.
LOJTARËT NË VËZHGIM
Manchester United ka rikuperuar Amad Diallo dhe Matthijs de Ligt këtë javë, por asnjëri nuk pritet të jetë titullar. Toby Collyer dhe Ayden Heaven mungojnë sërish, ndërsa Diogo Dalot (pulpë) dhe Joshua Zirkzee (muskuj) kanë pësuar dëmtime që mund të jenë fund sezoni; Lisandro Martinez mbetet mungesë afatgjatë. Në mesin e lojtarëve të gatshëm, kapiteni Bruno Fernandes është zgjedhja e parë e Ruben Amorim. Portugezi ka marrë pjesë në 29 gola në 31 ndeshje me eliminim direkt në Europa League – një rekord në kompeticion.
Fernandes ka gjithashtu një rekord mbresëlënës në gjysmëfinale: tre gola dhe tre asistime në tri ndeshje të tilla. Nga ana tjetër, ylli i Athletic, Nico Williams, ka kontribuar në të paktën një gol në secilën nga gjashtë ndeshjet në “San Mames” këtë sezon në Europa League (pesë gola, dy asistime). Nico pushoi fundjavën e kaluar, kur vëllai i tij Inaki shënoi golin e fitores ndaj Las Palmas, por të dy pritet të luajnë nga minuta e parë të enjten.
Gorka Guruzeta dhe Maroan Sannadi do të rivalizojnë për një vend tjetër në sulm, ndërsa Oihan Sancet – autor i 18 golave nga mesfusha – mungon për shkak të një dëmtimi në kofshë. Oscar De Marcos, që do të tërhiqet në fund të këtij sezoni, është lojtari i vetëm ende aktiv nga përballja e fundit me United në 2012: atëherë shënoi në të dyja ndeshjet, por sot nuk është më titullar i sigurt në krahun e djathtë të mbrojtjes.
FORMACIONET E MUNDSHME
Athletic Bilbao:
Simon; Gorosabel, Vivian, Alvarez, Berchiche; Ruiz de Galarreta, Jauregizar; I. Williams, Berenguer, N. Williams; Guruzeta
Manchester United:
Onana; Yoro, Maguire, Shaw; Mazraoui, Ugarte, Casemiro, Dorgu; Fernandes, Garnacho; Hojlund
Knockout Stage Europa League
21:00 Athletic Club - Manchester United
21:00 Tottenham Hotspur - Bodoe/Glimt