Në stadiumin olimpik “Lluís Companys” është gjithçka gati për raundin e parë të gjysmëfinales së Champions League mes Barcelonës dhe Inter. Në lojë në këtë përballje me dy ndeshje është një vend në finale dhe tensioni është maksimal për atë që paraqitet si sfida e të kundërtave, mes mbrojtjes më të mirë (8 gola të pësuar) dhe sulmit më të mirë (37 gola të shënuar) të turneut.
Të eliminuar nga Kupa e Italisë dhe të kapërcyer nga Napoli në krye të Serie A, zikaltërit vijnë nga një javë horror dhe provojnë të kapen fort pas Champions-it për të reaguar, për të kthyer kursin dhe për të vazhduar të synojnë objektivin madhor. Në arrati në La Liga dhe pas triumfit në Copa del Rey kundër Real Madrid, pavarësisht mungesës së Lewandowski, Barcelona vjen në sfidën ndaj Inter e ngarkuar, me besim dhe me shumë entuziazëm. Entuziazëm që në Montjuïc premton shkëndija mes dy skuadrash thellësisht të ndryshme.
Beteja për mesfushën...
Të udhëhequr nga De Jong dhe Pedri në mesfushë dhe të shtyrë nga dinamizmi, shpejtësia dhe teknika e Yamal dhe Raphinha në krahë, blaugranat e kanë kredon e tyre në presingun e lartë, ritmin intensiv dhe lojën ofensive. Qasje që shpesh ka treguar edhe ndonjë krisje të rrezikshme në mbrojtje, por që gjithsesi përfaqëson forcën e vërtetë të skuadrës së Flick.
Një forcë zjarri, të cilës Inter do të përpiqet t’i përgjigjet duke punuar me kthjelltësi të madhe dhe vëmendje në markim, duke u përpjekur të kontrollojë posedimin dhe të qarkullojë topin pastër në dalje, për të sulmuar më pas me shpejtësi hapësirat pas mbrojtësve blaugrana sapo të kalohet presioni i parë. Gjithçka me duele në shpejtësi të lartë në krahë, shumë një kundër një në hapësira të ngushta dhe ende me disa dyshime për t’u zgjidhur në formacion.
Sulmi më i mirë kundër mbrojtjes më të mirë
Pa Lewandowski, në sulm Flick pritet të vendosë Ferran Torres në qendër me Yamal, Dani Olmo dhe Raphinha në mbështetje në repartin ofensiv, ndërsa tandemi De Jong–Pedri në regji. Me Baldé të dëmtuar, në katërshe në mbrojtje përpara Szczesny duhet të jenë Martin në të majtë me Kounde, Cubarsi dhe Martinez për të kompletuar repartin.
Lexo më tej: Dilemat e Flick kundër Inter: 7 lojtarë tw Barças me më shumë se 100′ kundër Real
Zgjedhjeve të Flick, Simone Inzaghi pritet t’i përgjigjet me zakonshmen 3-5-2, të shkurtër, solide dhe kompakte. Për trajnerin zikaltër dyshimi më i madh lidhet me gjendjen e Thuramit. Nëse francezi jep garanci në seancën përfundimtare, do të nisë nga minuta e parë përkrah Lautaros, me treshen Barella–Calhanoglu–Mkhitaryan për të menaxhuar trafikun në mesfushë dhe me Dumfries e Dimarco në krahë. Në të kundërt, do t’i takojë njërës mes Taremi ose Arnautovic të shoqërojë Toron. Sa i përket mbrojtjes, përkrah Bastonit dhe Acerbit duhet të jetë Bisseck në vend të të dëmtuarit Pavard, por opsionet Darmian dhe De Vrij mbeten ende të hapura.
FORMACIONET E MUNDSHME
Barcelona:
Szczesny; Kounde, Cubarsi, Martinez, Martin; De Jong, Pedri; Yamal, Olmo, Raphinha; Torres
Inter:
Sommer; Bisseck, Acerbi, Bastoni; Dumfries, Barella, Calhanoglu, Mkhitaryan, Dimarco; Martinez, Thuram