Sergio Conceiçao është shumë i kënaqur me kualifikimin e Milan në finalen e Kupës së Italisë. Kuqezinjtë mposhtën sërish Inter dhe këtë herë e bënë me një rezultat të thellë 3-0. Trajneri portugez komentoi kështu për mikrofonët e Canale 5: “Kisha të njëjtat ndjesi që kisha para ndeshjes me Atalantën, detajet e vogla janë të rëndësishme. Më pëlqeu qëndrimi, ambicia, soliditeti i skuadrës. Në pushimin mes pjesëve u përpoqëm të përmirësonim dy-tre aspekte dhe në fund bëmë një pjesë të dytë në një nivel shumë të lartë”.
Trajneri i kuqezinjve vlerësoi lojtarët e tij, por njëkohësisht i qortoi disi: “Lojtarët meritojnë lavdata, sepse ndonjëherë në kampionat nuk kemi treguar cilësi. Por cilësitë teknike duhet të shoqërohen me përulësi dhe dëshirë për të fituar në çdo aksion të ndeshjes”.
Conceiçao: “Jovic në maksimum, ka humbur edhe disa kg”
Moncada është shprehur për të ardhmen e Sergio Conceiçao (“Jemi shumë të kënaqur me Sergion sepse po punon shumë për t’u rikthyer në një nivel të rëndësishëm”) te Milan, por trajneri portugez “shkundi disa pluhura” pas fitores në derbi: “Nuk është i rëndësishëm Conceiçao, e rëndësishme është të fitosh. Kundër Venezias dhe më pas kur të vijë finalja, për të cilën jemi të kënaqur. Nuk kemi fituar ende, unë nuk jam një trajner ndryshe nga 2-3 ditë më parë dhe as lojtarët nuk kanë ndryshuar. Nuk është se tani gjithçka është perfekte, por as më parë nuk ishte gjithçka keq”.
Lexo më tej: Milan në finalen e Kupës me Jovic e Reijnders: fiken ëndrrat e tripletës për Inter
Trajneri portugez foli me vlerësim edhe për Luka Jovic, autor i një dygolëshi shumë të rëndësishëm dhe vendimtar për kualifikimin në finalen e kupës: “Po punon shumë mirë gjatë 3-4 javëve të fundit, në maksimum. Ka humbur edhe disa kilogramë, ishte e rëndësishme. Na jep atë ‘diçka më shumë’ që donim për ndeshjen. Nuk u jep pika referimi mbrojtësve, punon mirë me mesfushorët. Donim që të shërbente si mbështetje për të hyrë në korridoret anësore. Kam besim të plotë te të gjithë: në ndeshje të tjera, me karakteristika të tjera, ndoshta do luajnë Abraham ose Santi. Është detyra ime të zgjedh sipas karakteristikave që ka secili. Në Udine, për shembull, pamë që Tammy hyri dhe dha një përgjigje të rëndësishme. Më vjen keq që në kampionat ajo që përgatisim nuk del në fushë, por kjo është diçka tjetër”.