Flash

Si (nuk) po e mbrojnë shqiptarët Malin e Zi

Lapsi.al 23 April 2025
Si (nuk) po e mbrojnë shqiptarët Malin e Zi

Nga Veton Surroi

Ulqinakët janë ngritur kundër “dubaizimit”, procese çfarë po kalojnë Serbia e Shqipëria me kontrata të nënshkruara nga pushtete që janë larguar nga identiteti demokratik dhe normat e transparencës e ligjit. Kjo mund të jetë kauzë për tërë vendin dhe demokracinë në të

1.

Dy zhvillime po bëhen në Mal të Zi brenda këtyre pesë vjetëve, që të dyja në një formë a tjetrën përcaktojnë një pjesë të identitetit të këtij shteti dhe që në të dyja aktorë të një peshe specifike po bëhen shqiptarët.

Në të parin, më 2020, ç’është e vërteta, nuk u bë i tërë komuniteti shqiptar i këtij vendi, por vetëm njëri pjesëtar i saj, kryeministri Abazoviq. I zgjedhur në këtë post si një kompromis i dëshiruar (a projektuar) mes dy taborëve politikë të antagonizuar në këtë shtet, të atij të identifikuar me pushtetin e pakontestuar të Gjukanoviqit prej zgjedhjeve të para shumëpartiake dhe atij opozitat në të identifikuar në masë bukur të madhe me politikat proserbe, kryeministri Abazoviq në emër të Malit të Zi nënshkroi Marrëveshjen themeltare mes këtij shteti dhe Kishës ortodokse serbe.

Edhe po të mos kishte qenë shqiptar, një gjest i këtillë do të ishte kundërthënës, për vetë faktin se kundër kësaj marrëveshjeje ishte një pjesë e konsiderueshme e popullatës, e cila në zgjedhjet e porsambajtura i kishte fituar pothuajse gjysmën e mandateve në Kuvend. Fakti se ishte shqiptar nuk ishte ndihmesë; në rastin më të mirë ai duhej të konsideronte se ishte i paftuar për t’u marrë me një dokument që ka ndikim në çështjet identitare të Malit të Zi, relacionin mes kombit malazias dhe atij serb, si dhe relacionin gjithherë delikat mes pavarësisë së këtij shteti dhe përpjekjes për dominim nga ana e pushteteve të ndryshme të Serbisë.

Imazhi më i shëmtuar i këtij veprimi nuk ishte nënshkrimi jopublik i Marrëveshjes me një delegacion që erdhi fshehtazi e i rrethuar me policë specialë, por marrja e detyrës nga ana e mitropolitit Joanikije në një desant me helikopter në Cetinë, së bashku me kreun e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, përderisa një numër qytetarësh malazezë kundërshtonin këtë akt, ngase objektin sakral në Cetinë e konsideronin si pjesë të identitetit të vet.

2.

Mali i Zi tash ballafaqohet me një sfidë tjetërqysh identitare dhe sërish kanë rol shqiptarët. Qeveria e këtij vendi ka nënshkruar një marrëveshje strategjike (ndonëse kësaj here jo në rrethim të policisë speciale) me “Eagle Hills”, kompania e njohur e biznesmenit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed Al Alabbar. Kësaj here çështja nuk ka të bëjë me gjuhën, fenë apo prejardhjen etnike, por megjithatë është një kontest mes qytetarëve dhe pushtetit për identitetin e Malit të Zi. Madje, të njërës prej çështjeve kyç identitare të natyrës së shtetit, të përdorimit të begative të tij për nevoja të qytetarëve të vet.

Beteja ka filluar në Ulqin, qytet me shumicë shqiptare dhe me një traditë besimtarësh myslimanë në mesin e kësaj popullate. Por, për dallim prej fërkimeve të tjera identitare, ky nuk ka të bëjë as me përkatësinë etnike e as me çështje besimi. Komuniteti i Ulqinit, i prirë nga kryetari i komunës, po e kundërshtojnë marrëveshjen mes Malit të Zi dhe “Eagle Hills” nisur nga një premisë e thjeshtë: të mirat e Ulqinit duhet të shfrytëzohen ekonomikisht dhe parësisht nga ky komunitet. “Eagle Hills” pretendon që me tokë të falur nga shteti (dhe nxitje të tjera fiskale) ta zhvillojë Plazhin e Madh; ulqinakët pretendojnë se këtë mund ta bëjnë vetë, madje se janë duke e bërë dhe kështu ia sigurojnë vetes mirëqenien.

Pyetja të cilën ulqinakët e kanë shtruar është konceptuale: pse të japim tokën tonë publike e të punojmë për “Eagle Hills”, kur mund të punojmë për familjet e komunitetin tonë?

3.

Pyetja e ulqinakëve tejkalon komunitetin e tyre dhe, siç u pa këto ditë, arriti të jetë njëra prej çështjeve themelore të konfliktit politik në shtet, madje u integrua edhe në konfliktin mes kryeministrit dhe presidentit të vet, dikur bashkudhëtarë në rrëzimin e pushtetit të Gjukanoviqit.

Madje kjo pyetje e tejkalon edhe vetë konfliktin politik (që mund të ketë burime të ndryshme nga e kaluara, përfshirë edhe çështjen e Kishës). Pyetja ka të bëjë me natyrën e pushtetit dhe të vetë shtetit.

Kontratat e ngjashme çfarë i ka propozuar “Eagle Hills” Malit të Zi janë nënshkruar dhe zbatuar në Serbi e Shqipëri. Në që të dyja qytetarët kanë marrë vesh pak gjë nga përfaqësuesit e tyre (presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Shqipërisë). Që të dy liderët kanë shpjeguar pak a shumë se si investimi nga “Eagle Hills” do ta “dubaizojë” vendin e tyre - Beogradin me ndërtesa të larta në lumë e Durrësin me ndërtesa luksoze përreth ish-portit. Që të dy liderët kanë lënë jashtë shpjegimet se përse do dhuruar tokë e dhënë nxitje taksash, përse natyra jokompetitive e projekteve dhe përse shuma të cilën do ta fitojë shteti brenda 20 vjetësh nuk mbulon arsyeshmërinë ekonomike të marrëveshjes. Dhe, që të gjitha palët kanë qenë të dakorduara me fshehjen e burimeve të financimit, një mënyrë që mund të inkurajonte këdo që ka para nga kudo e të fituara në çfarëdo forme të sjellë, siç i konvenon atij dhe të jetë investitor.

Natyra e pushteteve që kanë nënshkruar këto kontrata me “Eagle Hills” ka qenë dhe është duke u larguar në formë konsekuente nga kontrolli demokratik dhe duke u afruar gjithnjë e më shumë drejt kontrollit të personalizuar, autokracisë.

4.

Beteja e ulqinakëve tashmë mund të jetë duke u ndërtuar si beteja e Malit të Zi për të mbrojtur njëkohësisht sovranitetin e vet ekonomik dhe të natyrës demokratike të shtetit. Këtu mund të hyjë edhe mbrojtja e identitetit dhe ekologjisë së vendit; përse Mali i Zi të mos i përngjajë vetes, por duhet t’i përngjajë Dubait?

Ndërsa më 2020, një shqiptar u përfshi i paftuar në një çështje të ndjeshme identitare, kësaj here një komunitet shqiptarësh (në mesin e tyre edhe ish-kryeministri Abazoviq) janë duke e ndërtuar një kauzë së bashku me qytetarët e tjerë të këtij vendi për mbrojtjen e sovranitetit (ekonomik) të Malit të Zi. Dhe, kjo kauzë mund të bëjë edhe më shumë për shëndetin identitar të këtij shteti.

Beteja vazhdon, e në të qytetarët e Malit të Zi mbase do të tregojnë se a mund t’i bëjnë ballë një modeli, i cili forcoi pushtetin gjithnjë e më jodemokratik në Serbi e Shqipëri.

Të këshilluara

Fushatë me këngë e valle!

Hapja e fushatës së Partisë Socialiste kishte shumë muzikë e valle edhe aspak mesazhe edhe ide politike. Ka disa arsye për ketë ! Së pari në Shqipëri kënga d...

17:11

Pse befasohemi nga dhuna

Dhunë në familje, dhunë në shkollë, dhunë në rrugë, në punë, në çdo skutë të shoqërisë. Dhunë fizike, psikologjike, verbale dhe institucionale. Jemi bërë spe...

18:54

Një blasfemi me emrin Nënë Tereza

Një kopsht Eden sa 23 aparate EMCO që të shpëtojnë jetën nga kolapsi i zemrës dhe mushkërive. Po ky kopsht? Sa tre aparatura PET-CT që zbulojnë tumorin dhe kanc...

01:08

Soji i Lenkave dhe i Marjanave

"Kooperativistja, e dalluar Lenka Cuko e kooperativës buqesore Fieri i Ri, në rrethin e Lushnjës, qe nga të parat, që vuri në zbatim metoden e përparuar sovjeti...

10:45

Bio

Një industri në rritje e dominuar nga gratë në kuzhinë e në sherbim, ajo e gjelltoreve ose e gatimeve tradicionale ishte dje si në paralizë në Tiranë. Pushim. 8...

11:55

Gjermania dhe e ardhmja e sigurisë evropiane

Nga Medlir Mema Zgjedhjet e fundit në Gjermani premtojnëtë hapin një epokë të re për arkitekturën politike dhe të sigurisë në Evropë. Fitorja e Friedrich Mer...

09:59

Si të kapësh peshkun më të madh!

Historia e SPAK-ut dhe BKH-së (krahut ekzekutiv të SPAK-ut) është njëherazi historia e përpjekjeve të qeverisë shqiptare për t’i vënë ato nën kontrollin e saj. ...

16:17

Në Shpirag doli Noc Rroku

Në verën e vitit 2023, nga Vermoshi në Konispol nuk flitej gjë tjetër veç për lajmin e madh: çdo shqiptar do të bëhej sheik. Uau! Me fjalë që do ta bënte edh...

15:32

ide

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI