Hans-Dieter Flick, trajneri i Barcelonës dhe kundërshtari i ardhshëm i Inter në Champions League, nuk ka mundur të përmbahet gjatë konferencës për shtyp para ndeshjes së kampionatit kundër Valladolid. Mendja i shkoi menjëherë te gjysmëfinalja kundër zikaltërve në fund të prillit dhe fillim të majit, ku Barcelona do të përballet me një problem më shumë: kalendari i ndryshuar nga La Liga. “Jemi përballë një situate të pabesueshme,” u shpreh ai.
Kalendari i ekipeve që janë ende në garë në disa fronte është gjithnjë e më i ngjeshur dhe përbën një problem serioz për trajnerët, të cilët duhet të menaxhojnë lodhjen, rikuperimin e energjive dhe dëmtimet. Në Itali, këtë e di mirë pikërisht Inter dhe Simone Inzaghi që prej kohësh thekson numrin e frikshëm të ndeshjeve që lojtarët e tij kanë zhvilluar që nga fillimi i sezonit – një çdo tre ditë. Këtë herë, zërin e tij e pasqyroi edhe më fort homologu nga Barcelona, Hans-Dieter Flick, i cili shpërtheu ndaj Federatës Spanjolle për ndryshimin e datave të ndeshjeve të kampionatit që afron udhëtimet në La Liga me ato në Europë.
Flick, i tërbuar: “Këtu nuk dinë të mbrojnë ekipet e tyre”
“Jemi kthyer me vonesë nga shumë udhëtime, me lojtarë që kanë shkuar për të fjetur në orën 5 të mëngjesit,” kujtoi tekniku i Barcelonës. “Justifikime? Jo, nuk kërkojmë justifikime, por në vende të tjera dinë si t’i mbrojnë ekipet e tyre që janë ende në Europë. Këtu në Spanjë, ata që merren me këto çështje duket se nuk kanë asnjë ide për situatën reale. Mendoj,” përfundoi ai i revoltuar, “se jemi përpara një barsolete. Situata është absolutisht e pabesueshme, sepse është e qartë që në Spanjë nuk shqetësohen për klubet e vetë federatës së tyre”.
Shtyrja e ndeshjes me Valladolid, afër udhëtimit në Champions
Po çfarë ndodhi që e bëri trajnerin gjerman të shpërthente në konferencë? Shkëndija që ndezi zemërimin ishte publikimi i kalendarit të ardhshëm të La Liga. Ashtu si në Itali me Inter, edhe në Spanjë është pritur rezultati i gjysmëfinaleve për të përcaktuar datat. Por ndryshe nga Italia, ku vetëm Inter ishte në garë në Champions, në Spanjë eliminimi i Real Madrid e komplikoi situatën për Barcelonën. Katalanasit do të luajnë në transfertë kundër Valladolid më 3 maj në orën 21:00 (në vend të orës 18:00), vetëm pak ditë para ndeshjes së kthimit ndaj Interit më 6 maj në një tjetër transfertë në Milano – gjë që ka acaruar Flick, i cili duhet të menaxhojë udhëtime të njëpasnjëshme brenda pak ditësh.
Kalendari i Barcelonës, ndeshjet e ardhshme:
19.04 – Barcelona-Celta Vigo (La Liga)
22.04 – Barcelona-Mallorca (La Liga)
26.04 – Barcelona-Real Madrid (Finalja e Kupës së Mbretit)
30.04 – Barcelona-Inter (Champions League)
03.05 – Valladolid-Barcelona (La Liga)
06.05 – Inter-Barcelona (Champions League)
Kalendari i Inter, ndeshjet e ardhshme:
20.04 – Bologna-Inter (Serie A)
23.04 – Inter-Milan (Gjysmëfinale e Kupës së Italisë)
26.04 – Inter-Roma (Serie A)
30.04 – Barcelona-Inter (Champions League)
03.05 – Inter-Verona (Serie A)
06.05 – Inter-Barcelona (Champions League)