Kur Xhorxhia Meloni niset drejt Uashingtonit për takimin e saj të parë bilateral me Donald Trump, ajo nuk mban me vete vetëm flamurin italian, por edhe një barrë të rëndë politike dhe diplomatike. Takimi i shumëpritur me presidentin amerikan, tashmë sërish në qendër të skenës globale, është një mundësi për të forcuar lidhjet personale dhe për të rritur profilin e saj ndërkombëtar. Por pas këtij momenti simbolik fshihen plot nëntë probleme të mëdha, që e vënë Melonin përballë një akti të ndjeshëm ekuilibrimi mes Uashingtonit dhe Brukselit.
Që nga presioni për të ruajtur unitetin e BE-së, deri te kritikat për pozicionin e paqartë ndaj Ukrainës, sfidat me Salvini, apo rreziku i perceptimit si zëdhënëse e Trumpit në Evropë, Meloni i afrohet këtij takimi në një udhëkryq që mund të përcaktojë rolin e saj, dhe të Italisë, në raportet ndëratlantike të viteve që vijnë.
Lapsi.al sjell analizën në The Guardian për takimin e Melonit me Trump:
E ulur vetëm në fund të një darke zyrtare, nën llambadarë, pranë një tavoline me trëndafila të bardhë dhe verë të pambaruar, Xhorxhia Meloni dhe Donald Trump janë zhytur në bisedë. Është fillimi i dhjetorit dhe ata janë fotografuar në një dhomë ngrënieje luksoze të Pallatit Élysée, ku presidenti francez, Emmanuel Macron, priti mysafirë pas rihapjes së Katedrales Notre Dame. Ishte hera e parë që kryeministrja e ekstremit të djathtë italian takonte Trumpin, një takim që pasonte vite të ndërtimit të marrëdhënieve me militantët e fushatës "Ta Bëjmë Amerikën Përsëri të Madhe" (MAGA). Për aq sa dimë, ata mund të kenë krijuar lidhje përmes përçmimit të përbashkët ndaj kuzhinës franceze.
(Meloni dhe Trump duke biseduar në Pallatin Élysée në Paris)
Çfarëdo që të jetë diskutuar, duket se Meloni ka patur ndikim. Më vonë Trump e përshkroi atë si "shumë energjike dhe dinamike" dhe dikë me të cilin mund të punonte “për ta rregulluar pak këtë botë”. Ka të ngjarë që ai të ketë marrë raporte pozitive për të nga Elon Musk, me të cilin kryeministrja italiane është takuar disa herë dhe të cilin ajo e ka quajtur “një burrë brilant”. Ndërsa marrëdhënia përparonte, Meloni bëri një vizitë të shpejtë në klubin e golfit të Trumpit në Mar-a-Lago në Florida një muaj më vonë dhe ishte e vetmja lidere evropiane që mori pjesë në inaugurimin e tij si president i SHBA. Tani ndikimi i saj mbi Trump do të vihet në provë kur të dy të ribashkohen në Uashington të enjten për samitin e tyre të parë bilateral. Meloni është liderja e parë evropiane që takohet me Trump pas vendimit të tij për të pezulluar disa nga rritjet e planifikuara të tarifave javën e kaluar. Samiti do të ndiqet nga afër. Nga njëra anë, është një mundësi ideale për Melonin që të demonstrojë afërsinë me Trumpin, me të cilin ajo ndan instinkte të natyrshme politike, duke rritur njëkohësisht pozitat e saj si një kanal për dialog më domethënës. Nga ana tjetër, do të jetë një akt ekuilibrimi i ndjeshëm për kryeministren, e cila gjithashtu e di që duhet të ruajë besnikërinë ndaj partnerëve të BE-së. Në prapaskenë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe Meloni besohet se kanë diskutuar një plan loje. Megjithatë, udhëtimi i saj e vetme ka shkaktuar shqetësim mes aleatëve të BE-së, me ministrin francez të industrisë, Marc Ferracci, që paralajmëroi javën e kaluar se kjo rrezikonte të minonte unitetin evropian përballë tarifave të SHBA. Shqetësimet e tyre nuk janë pa bazë. Meloni, një ish-euroskeptike, mbrojti një sulm të ashpër kundër vlerave evropiane nga zëvendësi i Trumpit, JD Vance, në Konferencën e Sigurisë në Mynih në shkurt. Ajo do të rikthehet në Romë të premten për të takuar JD Vance, i cili ndodhet në Itali për fundjavën e Pashkëve. Sa i përket Ukrainës, megjithëse ka ndjekur aleatët gjatë administratës së Joe Bidenit, partia e saj Vëllezërit e Italisë abstenoi për herë të parë në mars në një rezolutë të Parlamentit Evropian që riafirmonte mbështetjen për Kievin kundër agresionit rus. Ajo ka qenë e vakët ndaj “koalicionit të të gatshmëve” të propozuar nga Macron dhe Keir Starmer (ky term i referohet një grupi shtetesh ose udhëheqësish që janë të gatshëm të veprojnë së bashku për një qëllim të përbashkët, edhe nëse jo të gjithë aleatët tradicionalë marrin pjesë - shënim i Lapsi.al). Kathleen van Brempt, një eurodeputete belge socialiste dhe nënkryetare e komisionit të tregtisë ndërkombëtare në Parlamentin Evropian, tha se shqetësimet për Melonin ishin të kuptueshme. “Por duhet të jemi pak më të nuancuar,” tha van Brempt. “Meloni e di që i duhet mbështetja e Këshillit, Komisionit dhe Parlamentit në të gjitha bisedat që ka. Ajo nuk mund të shkojë më larg se sa është rënë dakord. Qëllimi i parë është të kesh dikë në anën tjetër të tryezës së negociatave. Kjo është pikërisht ajo që Meloni do të përpiqet të bëjë në Uashington.”