Flash

Si po LALI-zohet propaganda e SPAK 

Lapsi.al 7 April 2025
Si po LALI-zohet propaganda e SPAK 

Publikimi i bisedave të përgjuara të Veliajt në burg, na tregoi përpos të tjerave, se SPAK, njësoj si partitë politike, apo edhe vetë kryebashkiaku në detyrë i Tiranës, ka në dispozicion një makineri të fortë mediatike. Po të kthejmë pak filmin pas, në ditët kur Erion Veliaj do dilte para gjykatës së apelit për të vlerësuar masën e arrestit me burg, në publik shpërtheu një fortunë e vërtetë. Thelbi i saj konsistonte në ato që u quajtën "provat e reja", të cilat do e gozhdonin në qeli të arrestuarin më të famshëm të politikës shqiptare.

Nga kangjellat e SPAK-ut shfaqeshin reporterë që transmetonin live tmerret e këtyre përgjimeve. Në titujt e televizioneve dhe gazetave kjo fabul u mor si e mirqenë, duke  pushtuar një hapsirë përtej normales. Në një farë mënyre, viktima të kësaj atmosfere të përgjithshme ramë edhe ne tek Lapsi.al, që raportuam këto fakte të reja, ndonëse nuk kishim parë, prekur apo lexuar asnjërin prej tyre. 

Sot kur bisedat e “Lalit” me gruan dhe të vëllain po zbardhen njëra pas tjetrës e vërteta po rezulton ndryshe nga ç’u shit në 11, 12 apo 13 mars. Në komunikimet e bëra publike vërtet shihet një tendencë për të ushtruar presion politik dhe mediatik mbi gjykatësit apo prokurorët, por aty, përpos vizatimit të karakterit perverso-qesharak të stërnjohur të Veliajt, nuk vërehet ndonjë provë flagrante. Edhe më e fortë bëhet kjo bindje po të qëmtosh me kujdes dialogjet. Aty edhe vetë i burgosuri edhe familjarët e tij, tregojnë që janë në djeni të faktit se ndodhen në përgjim. Pra ata nuk do i falnin me duart e tyre as SPAK-ut, as GJKKO dhuratën që do i zgjaste arrestin.

Komplot apo zhgënjim/ Çfarë tregojnë përgjimet e Veliajt në burg?

Tani kur situata është më e qartë dhe ne jemi njohur pak a shumë me përmbajtjen e bisedave të përgjuara, natyrshëm mund të ngrejmë pyetjen: pse u fry dhe u zmadhua pesha e tyre? Si ndodhi që u pranua të flitet për “prova gozhduese”, pa i lexuar ato? Cilët qenë ata gazetarë që raportuan nga parvazi i SPAK "faktet tronditësë”, që nuk paskan qenë aspak të tilla? 

Të tëra këto pikpyetje të shpien tek konkluzioni që u tha në fjalinë e parë të këtij shkrimi: atë të ekzistencës së një makinerie të fuqishme propagandistike që përdoret nga SPAK. 

Ky organizëm ka reporterët e vet të cilët kanë ekzkluzivitetin e të vërtetave, por që pranojnë edhe të hedhin në treg “fake news-e” në favor të tij. Ai ka së dyti, armatën e opinionbërësve që komentojnë dhe fryjnë në studiot televizive “faktet” e raportuara nga të parët. Po ti shtosh këtyre edhe mbështetësit e partive politike që përkrahin, pa kaluar në filtrin e dyshimit, ç’do lloj akuze që qarkullon për rivalët e tyre, mekanizmi manipulativ bëhet i plotë.

Pak a shumë me të njëjtat karakteristika si në rastin e Veliajt, ky mekanizëm është vënë në veprim për çdo goditje të rangut të lartë. Po njësoj ka ndodhur kur duhej arsyetuar izolimi i dyshimtë i Sali Berishës. E njëjta teknologji ka vepruar për të përligjur arrestimin e Ilir Metës. 

Por efikasiteti më pervers i kësaj makinerie oruelliane shkelqeu me tërë kapacitetin e vet në rastin goditjes së kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Kur dikush ngrinte pikëpyetjen për mungesën e provave, dilte gjithmonë një tjetër që i përgjigjej që të mos nxitohej pasi më vonë do të dilnin gjëma të papara. Kur të parët flisnin për urdhër politik ndaj SPAK-ut, të dytët përgjigjeshin menjëherë me klishenë e antishqiptarit që kish përdhosur flamurin me shqiponjë dhe donte ti jepte Vorio Epirin Greqisë. 

Në të gjitha rastet motoja ka qenë e njëjtë: duhet mbarsur opinioni se SPAK ka të drejtë, duhet luajtur me emocionet për të heshtur zërat e atyre që kanë dyshime mbi thellësinë dhe saktësinë e provave të siguruara nga prokurorët e posaçëm.

Përgjimet në burg/ Kush e tradhëtoi Erion Veliajn?

Në këto kushte, kur tashmë është provuar se SPAK ka nxjerrë në pararojë armatën e propagandistëve dhe manipulatorëve të vet, ngrihet pyetja se sa legjitime është kjo dhe se çfarë pasojash afatgjata prodhohen prej saj. 

Një mendim i atypëratyshëm të çon të arsyetosh se SPAK është në të drejtën e tij. Në një fushë loje, ku mungojnë pothuajse krejtësisht zërat e ftohtë, të pavarur dhe të arsyeshëm, pra në këtë arenë që dominohet nga manipulatorët dhe zëdhënësit faktikë të partive të mëdha edhe Prokurorisë Speciale do ti duhej të hidhte në betejë kamikazët e saj. Përndryshe, pa këtë lojë perverse atë do ta masakronin publikisht. Pra, kur i duhet të përballet me berishistët që kërkojnë ta ruajnë të pacënuar imazhin e liderit të tyre, apo me rilindasit që nuk i pranojnë mëkatet e Tahirit, Beqes, apo Veliajt, edhe SPAK është i dënuar të përdorë të njëjtat armë si ata. Në vendet perendimore nuk janë tabu betejat që prokurorët e çështjeve të mëdha kanë bërë edhe në skenën mediatike përveçse në sallën e gjyqit. Madje, shpesh kjo i ka ndihmuar ti fitonin çështjet. Pak a shumë këtë ka bërë edhe SPAK këtu tek ne dhe kjo është një nga arsyet që e mban atë lart në sondazhet e besueshmërisë, sado të dyshimta të jenë ato.

Veliaj në kurthin e gjuhës/ Çfarë rrezikon nga kërcënimet për prokurorët

Por, kjo lloj strategjie, kur shndërrohet në normë, prodhon një problem. Sepse ndryshe nga partitë politike që kanë në dispozicion taborët e tyre të luftëtarëve, synimi i drejtësisë nuk matet me votat apo pëlqyeshmërinë, por me aftësinë për të zbuluar fakte dhe për ti shkuar të vërtetës deri në fund. Pra, SPAK nuk është ngritur për ti përkundur njerëzit me iluzione, por për të prodhuar, prova dhe rezultate në të mirë të tyre. Duke e vënë theksin më shumë tek e para, në dëm të së dytës, duket se SPAK po prekeket nga “Lalëi-zimi”. Ai po i përshtatet devizës të viktimës të tij më spektakolare, se rëndësi nuk ka puna që bën, por mënyra se si e shet atë në sytë e njerëzve.  Mbështetja tek kjo mendësi prodhon prokurorë gjithnjë e më të dobët profesionalisht. Ajo ushqen paradoksin që, sa më të pafaktuara të jenë dosjet, aq më të forta bëhen ulërimat e llapaqenëve që çirren nëpër studio, për provat e rënda që gjenden në to; sa me e pabazuar akuza, aq me e fortë zhurma mediatike.

Pikërisht kjo fabul u përsërit edhe me “skandalin” e përgjimeve të Lalit, që para procesit të tij në apel, u shit për atë që nuk ishte. Prandaj ajo i dha mundësinë mbështetësve të rekrutuar prej tij të përforcojnë alibinë se atë po e mbajnë brenda pa prova.          

©Lapsi.al

       

 

Të këshilluara

Zgjedhje për opozitën

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit të 2025 janë të parat në historinë tonë demokratike që nuk zhvillohen për të zgjedhur pushtetin por opozitën. Asnjëherë në hi...

11:16

Ku e gjeti Rama pashaportën e Shqipe Tiranës

Ndonëse në një përgjigje shteruese për Lapsi.al, delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë e bëri tërësisht të qartë se anatërësimi i vendit në Union nuk ndërv...

16:57

Përse e mbyllën Zërin e Amerikës?

Mbyllja nga administrata Trump e Zërit të Amerikës dhe e Radios Evropa e Lirë (Radio Free Europe) më shumë se SHBA-të shokoi qindra miliona ndjekës të tyre jash...

13:01

SPAK mes Ramës dhe Veliajt

Prej më shumë se një muaji, që kur SPAK u paraqit në zyrat e bashkisë, për ti vënë prangat kreut të saj, një pandehmë po qarkullon në tryezat mediatike dhe në q...

15:22

Klerikët e autoritarizmit

Paralelizmi i Neomalësores që kryeson listën e mbyllur të Partisë Socialiste në Shkodër me Lenka Çukon ka shkaktuar shumë reagime, që nga Kanadjaa, Strasburgu e...

19:39

ide

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

29°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI