Pas vendimit gjyqësor që ndalon Marine Le Pen të kandidojë për presidente, drejtuesit më të lartë të Tubimit Kombëtar, Jordan Bardella dhe Sébastien Chenu, kanë paralajmëruar publikisht se partia po shqyrton rrëzimin e qeverisë franceze. Deklaratat e tyre vijnë mes akuzave për “gjueti politike” ndaj Le Pen dhe zhgënjimit nga kryeministri François Bayrou, të cilin e akuzojnë për mosveprim ndaj çmimeve të energjisë dhe refuzimin për të reformuar sistemin zgjedhor. Tensioni politik në Francë po rritet, me një qeveri të pakicës që mbahet gjallë nga mbështetja e paqëndrueshme e opozitës.
Politico:
Dy zyrtarë të lartë të partisë më të madhe të ekstremit të djathtë në Francë, sot hapën publikisht derën për rrëzimin e qeverisë, një javë pasi Marine Le Pen u shpall fajtore për shpërdorim fondesh dhe u ndalua të kandidojë për presidente.
Presidenti i partisë Tubimi Kombëtar, Jordan Bardella, dhe nënkryetari i partisë, Sébastien Chenu, zbuluan në intervista të ndara se partia po shqyrton mundësinë e rrëzimit të Kryeministrit François Bayrou, vetëm katër muaj pasi ata kishin mbështetur përpjekjen e të majtës për të rrëzuar paraardhësin e tij, Michel Barnier.
Të dy politikanët e Tubimit Kombëtar e paraqitën vendimin e partisë së tyre si reagim ndaj, sipas tyre, dështimeve të Bayrou-së për të vepruar mbi prioritetet e tyre legjislative, siç janë ulja e çmimeve të energjisë apo miratimi i një sistemi proporcional votimi.
Bardella i tha RTL-së se “kjo qeveri nuk po bën shumë”, ndërsa Chenu e akuzoi Bayrou-n se po përpiqet ta shtyjë çështjen dhe të lodhë deputetët e parlamentit.
Megjithatë, koha e këtij mesazhi nuk duket të jetë një rastësi. Javën e kaluar, Le Pen u shpall fajtore për shpërdorim të fondeve të Parlamentit Europian dhe mori një ndalim të menjëhershëm prej pesë vitesh për të kandiduar për poste publike, gjë që e përjashton atë nga zgjedhjet presidenciale të vitit 2027, përveçse nëse një gjykatë apeli vendos ndryshe.
Lexo më tej: Drejtësia franceze ekzekuton politikisht shefen e opozitës, Marine Le Pen
Që nga vendimi, zyrtarët e partisë kanë përqendruar pjesën më të madhe të komunikimit të tyre publik në portretizimin e çështjes si një “gjueti shtrigash” gjyqësore ndaj Le Pen, e cila sipas sondazheve është pretendente kryesore për zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Por kërcënimi i nënkuptuar për të votuar eventualisht për të rrëzuar qeverinë ka qëndruar i pranishëm.
Zyrtarë brenda radhëve pro-qeveritare kishin shprehur shqetësim që përpara dhënies së vendimit, se problemet gjyqësore të Le Pen mund ta shtyjnë partinë të adoptojë një qëndrim më agresiv ndaj qeverisë së pakicës së Bayrou-së, e cila ka nevojë për mbështetjen, të paktën të heshtur, të një pjese të opozitës për të mbetur në pushtet.
Si partia e vetme më e madhe në Asamblenë Kombëtare Franceze, Tubimi Kombëtar luan një rol vendimtar në mbijetesën e qeverisë. Deri më tani, partia ka hezituar të mbështesë mocionet e mosbesimit ndaj Bayrou-t të paraqitura nga grupet opozitare të majta.
Zyrtarët pro-qeveritarë që e lidhin kërcënimin e Tubimit Kombëtar ndaj qeverisë me vendimin për Le Pen, referojnë rastin e Barnier, i cili dukej se kishte mbështetje të heshtur nga e djathta ekstreme gjatë pjesës më të madhe të mandatit të tij të shkurtër.
Megjithatë, pasi prokurorët paralajmëruan në nëntor se do të kërkonin ndalimin e Le Pen për të kandiduar për poste publike, Tubimi Kombëtar ndihmoi në shkatërrimin e qeverisë, pavarësisht se kishte siguruar lëshime të vlefshme në politikë.
Partia e Le Pen mund të përpiqet të ndryshojë objektivat e saj legjislative si një pretekst për të rrëzuar Bayrou-n. Gjatë intervistës së tij, Chenu përmendi debatin e vjetër për pensionet, të cilin Bayrou fillimisht e hapi për diskutim e më pas u tërhoq, si një arsye të mundshme për një mocion mosbesimi.
Rrëzimi i qeverisë do të rrisë presionin mbi Presidentin Emmanuel Macron për të thirrur zgjedhje të reja këtë verë, pasi legjislatura e fragmentuar dhe pa shumicë e Francës vazhdon të përballet me paqëndrueshmëri dhe bllokim.
Le Pen, e cila drejton grupin e Tubimit Kombëtar në Asamblenë Kombëtare (Parlament), nuk do të lejohet të kandidojë për rizgjedhje, për shkak të vendimit të papërshtatshmërisë të dhënë kundër saj.
Përshtati në shqip ©LAPSI.AL