Arminia Bielefeld ka bërë mrekullinë duke mposhtur Bayer Leverkusen në gjysmëfinalen e Kupës së Gjermanisë, duke siguruar një vend në finalen e madhe më 24 maj në Olympiastadion të Berlinit, ku do të përballet me njërën mes Stuttgart dhe Leipzig. Eliminimi i skuadrës së teknikut Xabi Alonso nga kompeticioni që fitoi sezonin e kaluar, madje kundër një ekipi nga liga e tretë gjermane, ka shkaktuar zemërimin e tifozëve në stadium. Mbështetësit e “Aspirinave” nuk duruan më dhe nisën të sulmonin lojtarët, ndërsa Granit Xhaka doli hapur përballë tyre.
Pamjet e përplasjes së ashpër u kapën nga kamerat pas përfundimit të ndeshjes. Ylli i Bayer iu afrua sektorit të tifozëve mysafirë dhe u përfshi në një konfrontim verbal të ashpër me disa përfaqësues të grupimeve të tifozerisë së organizuar të skuadrës gjermane. Nga një ekip i pathyeshëm, finalist i Europa League sezonin e kaluar dhe fitues i kampionatit gjerman si dhe i Kupës, Bayer Leverkusen është kthyer në një skuadër zhgënjyese këtë sezon. Në kulmin e tensionit, Xhaka u desh të ndalohej nga personeli i sigurisë, pasi një tifoz e akuzoi duke i drejtuar gishtin, çka bëri që mesfushori të humbiste qetësinë.
Xhaka reagoi me nervozizëm, duke i kërkuar tifozit të ulte duart dhe të fliste me qetësi. Disa tifozë të tjerë ndërhynë për të qetësuar situatën dhe për të shmangur përshkallëzimin e debatit. Megjithatë, përplasja mbeti e fortë, me tifozët e Bayer që shprehën hapur zhgënjimin e tyre pas një disfate të pabesueshme, duke pasur parasysh diferencën e madhe mes potencialit të skuadrës së Xabi Alonsos dhe modestëve të Arminia Bielefeld, të cilët e luajtën ndeshjen pa presion dhe arritën një sukses historik për klubin.
Avantazhi i Tah vetëm sa iluzionoi Bayer
Edhe pse Bayer kaloi në avantazh në minutën e 17-të me golin e Jonathan Tah, Xhaka dhe shokët e tij u gjendën në disavantazh 2-1 në fund të pjesës së parë, pas golave të Marius Worl dhe Maximilian Grosser. Xhaka, i cili ka luajtur për Arsenal në Premier League nga viti 2016 deri në 2023, e ka treguar shpesh se nuk shmanget nga konfrontimet me tifozët. Në vitin 2019, ai u bë lajm për reagimin e ashpër ndaj tifozëve të Arsenal, pasi u fishkëllye nga tribuna. Edhe këtë herë, ai u përball me tifozët e Bayer, por fatmirësisht pa e kaluar kufirin e një konflikti fizik.