Vllaznia dhe Dinamo nuk arritën të gjenin rrugën e rrjetës në përballjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, duke u ndarë në një barazim 0-0 në stadiumin “Loro Boriçi”. Sfida ishte e luftuar, por rastet e pastra për shënim ishin të pakta, duke e lënë fatin e kualifikimit të hapur për ndeshjen e kthimit, e cila do të zhvillohet më 23 prill.
Zabërgja e Gruda kishin në këmbë mundësinë e fitores
Takimi nisi me një përpjekje të Vilës në minutën e 19-të, i cili u ndal fillimisht nga portieri Jukaj, ndërsa më pas u sinjalizua në pozicion jashtë loje. Në minutën e 23-të, Dinamo pati një mundësi me goditjen e dënimit të Qefalisë, por tentativa e tij shkoi drejt e në duart e Jukajt.
Lexo më tej: Çudi në Korçë: Dinamo me rezerva, Skënderbeu e përmbys me poker në 25 minuta
Rasti më i pastër i pjesës së parë erdhi në minutën e 39-të, kur Zabërgja u gjend përballë një mundësie të artë pas një gabimi të mbrojtjes shkodrane. Megjithatë, sulmuesi i Dinamos nuk arriti ta dërgonte topin në rrjetë, duke shpërdoruar një mundësi ideale.
[video width="648" height="360" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2025/04/67ed7df131569.mp4"][/video]
Në fraksionin e dytë, Zabërgja provoi përsëri në minutën e 49-të, por gjuajtja e tij përfundoi mbi portë. Pesë minuta më vonë, Vllaznia pati shansin më të mirë për të kaluar në avantazh me Grudën, por futbollisti shkodran nuk e konkretizoi mundësinë, duke shkaktuar habi në kampin vendas. Në minutën e 83-të, Dinamo tentoi të rrezikonte përmes një krosi nga krahu, por goditja me kokë e Jonuzit doli jashtë kuadratit.
Tani gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen e kthimit, ku të dy skuadrat do të kërkojnë me çdo kusht finalen e Kupës së Shqipërisë.
Sfida tjetër gjysmëfinale
Ndërkohë, nesër do të zhvillohet gjysmëfinalja tjetër, ku Egnatia do të presë Partizanin në stadiumin e Rrogozhinës. Ndeshja do të startojë në orën 19:00 dhe pritet të jetë një duel i fortë për një vend në finalen e madhe.