Nëse e imagjinoni ish-portierin italian Dino Zoff si një zotëri të moshuar me ton serioz, ndoshta duke u mbështetur te kujtimet e kohës kur friulani i heshtur bëhej një legjendë e futbollit duke fituar gjithçka me Juventusin dhe Kombëtaren e Italisë, atëherë keni gabuar plotësisht. Ish-portieri 83-vjeçar e pret kështu mikun e tij të vjetër Marco Tardelli për një ribashkim në stadiumin Olimpico, ku të dy xhirojnë disa skena për një docufilm mbi jetën e Zoff. Ai e përshëndet Tardellin me batutë: “Jam ende i kthjellët, pavarësisht moshës. Po ti kush je?” – dhe të dy qeshin me njëri-tjetrin, sikur koha të ishte kthyer pas me dekada.
Çfarë bën sot Zoff: “Jam një pensionist 83-vjeçar, notoj 20-30 xhiro…”
Në docufilm – ku ka marrë pjesë edhe Francesco De Gregori – Zoff do të rrëfehet, sidomos për brezin e ri që nuk pati mundësinë ta shihte në fushë gjatë viteve ’70 dhe ’80 (dhe më vonë në stol për rreth 20 vjet). Ndërkohë, ai tregon se çfarë bën sot: “Jam një pensionist 83-vjeçar, një sportist që e do sportin. Shkoj në Aniene për të lëvizur pak, pastaj notoj 20-30 pishina. Nipçja im Pietro, që është 15 vjeç, më dha një mësim në 50 metra stil i lirë, por nuk e di që e lashë të fitonte… A jam bërë notar? Kam qenë gjithmonë. Kam mësuar të notoj në lumenj të rrezikshëm, si Natisone, pikërisht aty ku vitin e kaluar humbën jetën ata tre të rinj të pafat.”
Në një bisedë për La Repubblica, portieri nga Mariano del Friuli kujton fëmijërinë dhe fillimet e tij, që e çuan drejt një karriere madhështore: “Isha paksa budallai i fshatit, të mëdhenjtë më fusnin gjithmonë në portë edhe kur kisha pantallona të reja. Por pastaj filluan të më shihnin si të mirë. Në atë kohë, askush nuk mendonte se mund të bëhej portier profesionist; kush arrinte në Serie C ishte një hero. Luanim për qejf, ngjiteshim në pemë si Tarzani dhe pasditeve luanim futboll deri në pesë orë.”
Zoff kritikon futbollin e sotëm: “Mbizotëron viktimizimi”
Sa i përket futbollit të sotëm, Zoff kritikon mentalitetin e shumë lojtarëve: “Edhe sot është futboll i vërtetë, por problemi është se mbizotëron viktimizimi. Të prek dikush dhe menjëherë rrëzohesh. Duhet të jesh atlet, nuk mund të rrotullohesh përtokë për çdo prekje. Ky mentalitet po përhapet edhe në shkolla – sot, nëse një fëmijë merr notën 5, faji është i mësuesit. Më parë nuk kishte kaq shumë justifikime.”
Filozofia e Zoff: “Portieri duhet të dijë të presë, jo të luajë më shumë me këmbë se sulmuesi”
Sot është trend loja nga mbrapa, ku portieri prekje topin me këmbë më shumë se shumica e shokëve të skuadrës. Por Zoff e sheh me skepticizëm këtë stil: “Nuk jam kundër inovacioneve, por ato nuk duhet të bëhen prioritet. Një portier duhet të dijë të ndalojë topin me duar, nëse di të luajë edhe me këmbë aq më mirë. Por si ka mundësi që tani prekin më shumë topa me këmbë sesa sulmuesit? Ne në Itali e kemi këtë prirje: një ide e mirë përsëritet aq shumë sa kthehet në diçka negative. Edhe për VAR-in jam grindur – ishte menduar për episode të rëndësishme, tani ndërhyn për çdo gjë: ndëshkime të mëdha për gjëra të vogla. Por sidoqoftë, unë tani jam plak…”