Flash

Analiza e DW: Kanadezët bashkohen kundër Donald Trump

Lapsi.al 31 March 2025
Analiza e DW: Kanadezët bashkohen kundër Donald Trump

Kur Donald Trump tha se do ta "gëlltisë" Kanadanë si shtetin e 51 federal, u pa fillimisht si shaka pa kripë. Por Donald Trump e përsëriti kërcënimin aq shpesh sa qytetarët në vendin e dytë më të madh në botë, Kanada u desh të reagonin. Përgjigja ndaj Trump: një valë e paprecedentë solidariteti mes kanadezëve.

Nën moton "Bërrylat lart", (Elbow up) kanadezët po mbrohen kundër politikave të presidentit të SHBA. Shumë qytetarë anulojnë pushimet në Florida e Arizona. Vetëm në muajin shkurt, në kufi janë regjistruar 500 mijë hyrje më pak në SHBA sesa një vit më parë. Hera e fundit që shifrat ishin kaq të ulëta ishte në kohën e pandemisë Corona. Edhe produktet amerikane bojkotohen. Në supermarkete shënohen dukshëm produktet me etiketën "Made in Canada" dhe hiqet nga raftet verërat kaliforneze.

"Kjo na zgjoi ne kanadezët dhe na bëri të mendojmë se çfarë do të thotë të jesh kanadez", i tha një qytetare portalit gjerman "tagesschau". Shumë kanadezë janë tani të shqetësuar për të ardhmen duke vënë re varësinë e madhe nga SHBA. "Ardhja e Donald Trump në detyrë dhe kërcënimi me tarifa ndëshkuese e bëri të qartë se sa e cenueshme është Kanadaja", thotë një qytetare tjetër për "tagesschau".

Carney: Nuk ka kthim prapa

Kanadaja dhe SHBA-ja - para rikthimit të presidentit Donald Trump ishin dy vende mike me ekonomi të ndërthurura ngushtë. 70 për qind e të gjitha eksporteve kanadeze shkojnë në SHBA. Po për kryeministrin e ri të Kanadasë Carney, marrëdhënia e dikurshme me SHBA-në i përket historisë. Është bërë e qartë se SHBA-të nuk janë më një partner i besueshëm, tha ai. Por Carney ka theksuar, se do të vazhdojë të flasë me presidentin amerikan Trump. Një telefonatë është planifikuar në ditët në vijim.

Trump ndryshon marrëdhënien mes dy vendeve mike

Politika agresive doganore e presidentit amerikan Donald Trump shihet si një pikë kthese në marrëdhëniet e Kanadasë me SHBA-në. Kërcënimi për vendosjen e tarifave të mëtejshme ndëshkuese ndaj Kanadasë shkakton frikë dhe zemërim. Duket se një epokë po merr fund. "Marrëdhënia e vjetër që kishim me Shtetet e Bashkuara, e cila bazohej në integrimin e thelluar të ekonomive tona dhe bashkëpunimin e ngushtë në sigurinë dhe fushën ushtarake, ka përfunduar," u tha Carney gazetarëve në Otava. Me deklaratat e tij, Trump ka ndryshuar përgjithmonë marrëdhëniet mes vendeve fqinje.

Në të njëjtën kohë, Carney njoftoi, se nuk do të negociojë me qeverinë amerikane për çështjet tregtare për sa kohë që presidenti nuk tregon "respekt" për Kanadanë. Në javët e fundit, Trump ka kërcënuar vazhdimisht se do të aneksojë vendin fqinj verior dhe është tallur me paraardhësin e Carney, Justin Trudeau si "guvernator" të një "shteti të 51-të" të ardhshëm të SHBA-së. Carney u betua si kreu i qeverisë më 14 mars, por nuk ka folur me Trump që nga marrja e detyrës, kohë jashtëzakonisht e gjatë për dy vendet historikisht të afërta aleate.

Mark Carney e bëri të qartë gjithashtu, se vendi i tij do të përgjigjet me kundërmasa ndaj tarifave të importit për automjetet, të vendosura nga SHBA të mërkurën. "Përgjigja jonë ndaj këtyre tarifave të fundit është të luftojmë, mbrojmë, ndërtojmë”, shtoi ai. Kundërpërgjigja kanadeze do të kishte si synim "ndikimin më të madh të mundshëm në Shtetet e Bashkuara dhe efektin më të vogël të mundshëm në Kanada”./DW

Të këshilluara

Parashikimi i motit për këtë fillim jave

Moti për ditën e sotme parashikohet të jetë i paqëndrueshëm, me kthjellime dhe vranësira. Orët e paradites do të paraqiten me alternime kthjellimesh dhe vranësi...

08:32

Vendet baltike shijojnë lakrën shqiptare

Sezoni i favorshëm me klimë të ngrohtë dhe rritja e kërkesës për lakër shqiptare nga vendet e Lindjes dhe ato baltike ndikuan pozitivisht eksportet e zarzavatev...

07:42

ide

Pogradeci, si inerci e Shqipërisë së djeshme

Edi Rama po sillet sikur paqja sociale mund të rivendoset duke arrnuar modelin e vjetër të qeverisjes, ndërkohë që ata që kërkojnë dorëheqjen e tij e bëjnë këtë në emër të përmbysjes së një sistemi

19:23 Andi Bushati

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

22°c

KËMBIMI EURO

92.25

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI