Michel Platini, ish-presidenti i UEFA-s, dhe Sepp Blatter, ish-presidenti i FIFA-s, janë shpallur sërish të pafajshëm nga Gjykata e Apelit në Muttenz, Zvicër, për akuzat e mashtrimit.
Këto akuza e penguan Platininë, në vitin 2015, të kandidonte për kreun e FIFA-s, pasi ai kishte qenë president i UEFA-s nga 2007 deri në 2016. Avokati i tij, Dominic Nellen, theksoi shumë këtë pikë gjatë mbrojtjes: “Arsyeja e këtij procesi gjyqësor (i nisur në 2015 pas dorëheqjes së Blatterit) ishte vetëm për të ndaluar Michel Platini të bëhej president i FIFA-s”.
Në fillim të marsit, Prokuroria kishte kërkuar një dënim me 1 vit e 8 muaj burg me kusht për dy ish-zyrtarët më të lartë të UEFA-s dhe FIFA-s, të akuzuar për mashtrim, falsifikim dokumentesh dhe keqmenaxhim për parregullsi në dhënien e të drejtave për organizimin e Kupës së Botës në Rusi dhe Katar.
Platini dhe Blatter të pafajshëm për mashtrim edhe në Apel
Hetimet për të ashtuquajturën çështje “FIFA-Gate” kanë zgjatur gati 10 vite, duke përfshirë Sepp Blatter dhe Michel Platini për pagesa të dyshimta që, në fund, i larguan nga pozicionet drejtuese të futbollit botëror.
• Më 8 tetor 2015, pas një hetimi nga drejtësia zvicerane, Komiteti Etik i FIFA-s e pezullon Platininë për 90 ditë, pasi dyshohej se kishte marrë në mënyrë të paligjshme 2 milionë franga zvicerane nga Sepp Blatter në vitin 2011, si kompensim për konsulencë të kryer midis 1999 dhe 2002.
• Gjatë kësaj periudhe, detyrat e tij në UEFA kalojnë te Ángel María Villar.
• Në dhjetor 2015, FIFA e dënon Platininë me 8 vite pezullim nga çdo aktivitet futbollistik, një masë që më pas u ul në 6 vite.
• Më 9 maj 2016, pas një ankese në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, pezullimi u reduktua edhe më tej në 4 vite, çka e detyroi Platininë të jepte dorëheqjen nga UEFA.
Zbardhja e emrit dhe pafajësia e konfirmuar
• Më 25 maj 2018, drejtësia zvicerane e shpall të pafajshëm Platininë, duke mos gjetur prova për ndonjë shkelje nga ana e tij. Rrethi i tij i ngushtë insistoi se akuzat kishin vetëm një qëllim: ta pengonin të udhëhiqte FIFA-n.
• Më 8 korrik 2022, Gjykata Penale Federale e Bellinzonës e shpall të pafajshëm si Platininë, ashtu edhe Blatterin, për mashtrim ndaj FIFA-s dhe i njeh atyre të drejtën për një dëmshpërblim për gjithë procesin gjyqësor.
• Platini refuzon marrjen e kompensimit, duke e mbyllur kështu një nga sagat më të bujshme të futbollit botëror.