Shqipëria nuk bën gabime: mposht 3-0 Andorrën dhe merr tre pikët në ndeshjen e dytë të kualifikueseve të Botërorit 2026. Sylvinho tashmë mund të buzëqeshë, skuadra e tij reagon pas humbjes me Anglinë në debutim dhe merr tre pikët e para, duke u ngjitur në vendin e dytë falë trisit të Anglisë ndaj Letonisë. Manaj me një dygolësh e Uzuni vendosën sfidën, ndërsa lajmi i mirë është që Broja përballoi mirë 75 minuta për herë të parë pas dëmtimit të gjatë.
Super Manaj
Lëvizjet e teknikut Sylvinho ishin efektive, sidomos në pjesën ofensive. Hoxha në të majtë e Broja në të djathtë në mbështetje të qendërsulmuesit Manaj krijuan një valangë rastesh në prapavijën e Andorrës. Avantazhi vonoi vetëm 9' kur goditja e dënimit e Asllanit gjeti devijimin me kokë të Manaj. Asgjë për të bërë për Alvarez dhe shumë më e thjeshtë tani për kuqezinjtë. Lojë, ritëm e kreativitet nga lojtarët e teknikut Sylvinho, që funksionojnë si skuadër dhe nuk rrezikojnë asgjë prapa. Hoxha, Manaj e përsëri Asllani kërkuan sigurinë, që duhet të vononte deri në minutën e 19'.
[video width="694" height="360" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2025/03/67e1bb468e9b6-1.mp4"][/video]
Lexo më tej: Sylvinho: Anglia, fushë që vret. Goli i dytë mbylli ndeshjen
Goli i dytë i Manaj, ka në fakt meritën e madhe të Brojës, që kontrolloi topin në zonë, tërhoqi portierin dhe shëbeu për sulmuesin e Sivasspor. E thjeshtë si një lojë fëmijësh për Manaj, të dërgonte topin në rrjetë. E meqë jemi te meritat, provë shumë e mirë e debutuesit Julian Shehu, i vlefshëm në rikuperime e inserime të shpejta drejt portës kundërshtare. Me të, Hoxhën e Brojën kuqezinjtë kanë fituar shpejtësi që mund të jetë shumë e vlefshme në këtë fushatë eliminatore.
[video width="694" height="360" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2025/03/67e1b8a9757ab-1.mp4"][/video]
Andorra, zero goditje e 14% e zotërimit të topit
Edhe zëvendësimet në pjesën e dytë ishin me impaktin e duhur. Uzuni mori vendin e Brojës, që përballoi me sukses 75'. Beratasi i Austin u fut me grintën e duhur, ashtu si Pajaziti, që shkoi pranë golit të tretë. Kumbulla nuk është se pati punë, por të paktën i dha mundësinë Gjimshitit të mos sforcohej pas shqetësimit muskular që ndjeu. Uzuni mbylli historinë me golin e tretë, që ishte i gjashti me fanellën e Kombëtares. Andorra rezultoi një test i vërtetë stërvitor: zero goditje në portë, kundër 8 të kuqezinjve. Mbajtja e topit pastaj ishte e ekzagjeruar: 86% me 14%. E tani Sylvinho mund të përqendrohet te Serbia, edhe pse deri në qershor ka shumë kohë.
[video width="694" height="360" mp4="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2025/03/67e1cfe09800e.mp4"][/video]