Flash

Burgosja e Imamoglu: Kthesa e Turqisë drejt autokracisë totale

Lapsi.al 24 March 2025
Burgosja e Imamoglu: Kthesa e Turqisë drejt autokracisë totale

Turqia mori një kthesë të fortë drejt autokracisë së plotë të dielën, kur rivali kryesor politik i Presidentit Rexhep Taip Erdogan, kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu u burgos, përgjatë një goditjeje të madhe ndaj opozitës.

Imamoglu, një sekularist shumë i popullarizuar që shihej gjerësisht si presidenti më i mundshëm për të pasuar islamistin Erdogan, reagoi me një thirrje të fortë për demonstrata masive për të shpëtuar demokracinë në Turqi, një shtet anëtar i NATO-s me 86 milionë banorë.  

Një gjykatë të dielën e arrestoi zyrtarisht Imamoglu-n me akuza për korrupsion në pritje të gjyqit, në një hap që opozita e cilëson si një “grusht shteti” me motiv politik. Ai u shkarkua gjithashtu zyrtarisht nga posti i kryebashkiakut të qytetit më të madh të Turqisë, pikërisht në ditën kur më vonë u votua si kandidati zyrtar për president i Partisë Republikane Popullore (CHP).

“Turqia u zgjua sot me një tradhti të madhe. Procesi gjyqësor që po zhvillohet nuk është një procedurë ligjore. Është një ekzekutim i mirëfilltë jashtëgjyqësor,” shkroi Imamoglu në llogarinë e tij në X.  

Franca reagoi menjëherë duke dënuar burgosjen e Imamoglu-t dhe të figurave të tjera opozitare si “sulme serioze ndaj demokracisë.”  

Që nga ndalimi fillestar i Imamoglu-t të mërkurën, dhjetëra mijëra mbështetës kanë dalë në rrugë në më shumë se 12 qytete, duke u përplasur herë pas here me policinë e specializuar për trazirat dhe duke u përballur me makina ujëhedhëse, madje edhe në bastione konservatore si qyteti i lindjes së Erdogan-it, Rize. Protestuesit dolën në rrugë pavarësisht ndalimeve të vendosura ndaj demonstratave që nga arrestimi i Imamoglu-t dhe përpjekjeve për të kufizuar transmetimin e zemërimit popullor.

Erdogan i mundur në kutinë e votimit

Reagimi i Erdogan-it ndaj opozitës vjen pas fitoreve të papritura dhe të bindshme të CHP-së në zgjedhjet vendore të vitit 2024 në qytete në të gjithë vendin, madje edhe në rrethe që prej kohësh kishin qenë bastione të Partisë AK në pushtet.

Në një paralajmërim të ashpër për protestuesit mbi pasojat e mundshme të veprimeve të tyre, Erdogan i përshkroi demonstratat si “terrorizëm në rrugë” dhe dërgoi një mesazh edhe për CHP-në, partinë së cilës i përket rivali i tij i arrestuar.  

“Nuk do ta lejojmë kurrsesi CHP-në dhe mbështetësit e saj të prishin rendin publik dhe të shqetësojnë paqen e kombit tonë përmes provokimeve,” deklaroi presidenti në një mesazh të postuar në X.  

Imamoglu ka mbajtur një ton sfidues që nga arrestimi i tij dhe ka bërë thirrje që votuesit ta mbështesin atë si kandidatin e CHP-së për t'u përballur me Erdoganin në zgjedhjet presidenciale, të cilat duhet të mbahen deri në vitin 2028.  

Ish-kryebashkiaku ishte kandidati i vetëm në zgjedhjet e hapura paraprake të partisë, të cilat tërhoqën gjithsesi një pjesëmarrje të lartë. Në fund, CHP njoftoi se 15 milionë njerëz dolën për të mbështetur Imamoglun në votim

(Dhjetëra mijëra mbështetës kanë dalë në rrugë në më shumë se 12 qytete, ndonjëherë duke u përleshur me policinë e trazirave dhe duke u përballur me goditje uji)

“Do të mundesh në një mënyrë ose në një tjetër,” i tha Imamoglu-Erdoganit në X, duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Turqisë të marrin pjesë në zgjedhjet paraprake të CHP-së.

“Ftoj 86 milionë qytetarët e mi të shkojnë drejt kutisë së votimit dhe të shpallin luftën e tyre për demokraci dhe drejtësi përpara gjithë botës,” tha ai. “Qëndroj i palëkundur, nuk do të përkulem kurrë.”

Soner Çagaptay, nga Instituti i Uashingtonit për Politikat e Lindjes së Afërt, e cilësoi arrestimin e Imamoglus si një moment vendimtar në historinë politike të Turqisë.  

Ai argumentoi se Turqia kishte kaluar nga ajo që e quajti “autoritarizëm konkurrues,” ku opozita kishte ende një mundësi për të fituar zgjedhje të anshme në favor të Erdoganit, në një sistem autoritar të drejtpërdrejtë. 

“Pra, që nga ai moment, unë mendoj se Turqia është një sistem autoritar, fatkeqësisht,” tha Çagaptay për Politico.  

Sulm i paprecedentë 

Që nga ndalimi i tij, Imamoglu është marrë në pyetje për më shumë se nëntë orë nga autoritetet dhe ka mohuar kategorikisht akuzat ndaj tij.  

Të mërkurën u hapën dy hetime të veçanta kundër tij dhe më shumë se 100 personave të tjerë, duke përfshirë politikanë, biznesmenë dhe gazetarë. Hetimet u hapën një ditë pasi autoritetet universitare anuluan diplomën e Imamoglus, e cila është një kusht i domosdoshëm për të kandiduar në zgjedhjet presidenciale.  

Në hetimin që çoi në arrestimin e tij zyrtar të dielën, zyra e prokurorit të përgjithshëm të Stambollit e akuzoi Imamoglun për "krijimin dhe drejtimin e një organizate kriminale, marrjen e ryshfeteve, shantazh, regjistrim të paligjshëm të të dhënave personale dhe manipulim të tenderave.” 

Prokuroria gjithashtu shprehu “dyshime të forta” se Imamoglu ishte i përfshirë në “ndihmën e një organizate terroriste të armatosur”, duke iu referuar lidhjeve të supozuara me grupet pro-kurde. Sistemi gjyqësor ende nuk ka dhënë një vendim përfundimtar mbi akuzat për terrorizëm.  

Lideri i partisë së Imamoglus sugjeroi gjithashtu se Erdogan po përpiqej të merrte nën kontroll vetë opozitën CHP.  

Kryetari i CHP-së, Ozgur Ozel, shpalli mbajtjen e një kongresi të jashtëzakonshëm më 6 prill për të shmangur mundësinë që qeveria e Erdoganit të emërojë një administrator të besuar për të drejtuar partinë.  

“Ata duan të emërojnë një administrator në partinë e Atatürk-ut,” tha Ozel, duke iu referuar themeluesit të Turqisë moderne dhe të vetë CHP-së, Mustafa Kemal Atatürk.  

(Autoritetet kanë arrestuar 343 protestues, ndërsa një numër i llogarive të opozitës në mediat sociale u bllokuan)

“Ne do t’i tregojmë gjithë Turqisë se po bllokojmë çdo përpjekje për të na vënë nën administrim të jashtëm, duke çuar partinë në një kongres të jashtëzakonshëm,” shtoi ai.

Aparati gjyqësor dhe i zbatimit të ligjit i Erdoganit ka ndërmarrë gjithashtu një sulm të paprecedentë ndaj opozitës kryesore dhe mbështetësve të saj.  

Autoritetet kanë arrestuar 343 protestues, ndërsa një numër llogarish opozitare në rrjetet sociale janë bllokuar dhe gjerësia e brezit të internetit për platformat sociale është kufizuar. WhatsApp, një mjet komunikimi shumë i përdorur nga turqit, nuk ka qenë i disponueshëm në disa momente. Gjatë pesë ditëve të protestave, mediat pro-qeveritare shmangën raportimet mbi protestat në rrugë.  

Ndërkohë që ishte në paraburgim, u hapën hetime të tjera kundër Imamoglus, duke e akuzuar atë për parregullsi të lidhura me çerdhet që Bashkia e Stambollit kishte hapur. Që kur Imamoglu mori detyrën, ndaj tij dhe ndihmësve të tij janë hapur më shumë se 90 hetime.

Ish-aleati politik afatgjatë i Erdogan-it, ish-presidenti Abdullah Gul, ndërhyri për t’i kujtuar Erdoganit se edhe ai vetë ishte arrestuar në të kaluarën dhe kishte shkuar në burg.  

“Ajo që iu bë presidentit Taip Erdogan dhe mua në të kaluarën nuk duhet t’i bëhet Ekrem Imamoglus… Nuk duhet të humbasim shtetin e së drejtës dhe drejtësinë. Përndryshe, Turqia do të humbasë,” tha Gul.

Në vitin 1998 Erdogan u dënua për nxitje të urrejtjes fetare dhe iu ndalua aktiviteti politik pasi recitoi një poezi ndërsa ishte kryebashkiak i Stambollit.

Çfarë ndodh tani? 

Kushtetuta e Turqisë i kufizon presidentët në dy mandate, dhe mandati aktual i Erdoganit përfundon në vitin 2028. Megjithatë, nëse parlamenti thërret zgjedhje të parakohshme, Erdogan, 71 vjeç, mund të kandidojë ligjërisht përsëri përpara se të përfundojë mandatin e tij të dytë.  

Disa vëzhgues mendojnë se strategjia e Erdoganit është të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme pa pasur përballë Imamoglun, pasi 54-vjeçari shihet nga shumëkush si i vetmi kandidat që mund ta bashkojë opozitën dhe ta mposhtë atë në zgjedhjet presidenciale. Megjithëse Erdogan ka deklaruar se nuk do të kandidojë më në zgjedhje, ai ka një histori të tërheqjes së rreme nga politika, dhe fjalët e tij nuk merren seriozisht nga shumica e turqve.

Imamoglu ka fituar tre gara shumë të ashpra për të drejtuar qytetin më të madh të Turqisë, dhe më e rëndësishmja, CHP-ja vitin e kaluar arriti të përmbysë disa nga distriktet tradicionale të Stambollit që Erdogan i konsideronte bastione të sigurta për partinë e tij islamiste, AKP.  

Qeveria e Erdogan-it këmbëngul se hetimet nuk janë të motivuara politikisht, por se e gjithë kriza është shkaktuar nga “korrupsioni brenda CHP-së.” 

Përshtatur nga Politico, ©LAPSI.AL 

Të këshilluara

ide

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

28°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI