Flash

Drejtësia në rrethim – Brukseli kap sinjalet e sulmit politik ndaj SPAK

Lapsi.al 20 March 2025
Drejtësia në rrethim – Brukseli kap sinjalet e sulmit politik

Sinjalet se SPAK dhe Gjykata e Posaçme janë nën presion politik kanë mbërritur në Bruksel, ku duket se gjyqësori shqiptar ka gjetur një avokat të ri, pas tërheqjes së ambasadës amerikane.

Draft-raporti për Shqipërinë në Parlamentin Europian, i hartuar nga raportuesi Andreas Schieder shpreh shqetësim për “ndërhyrjet dhe presionin e vazhdueshëm politik mbi sistemin gjyqësor në Shqipëri”, dhe duke reflektuar një mesazh të qartë nga Brukseli inkurajon: "dokumentimin e hetimeve, ndjekjen penale dhe dënimet në raste të korrupsionit në nivele të larta", ndërsa lëshon një paralajmërim “kundër minimit të punës së institucioneve të pavarura si SPAK”.

Mesazhi i fundit që vjen në formë paralajmërimi dërgohet në një moment kur SPAK dhe GJKKO janë përballur me një fushatë të ashpër presionesh dhe sulmesh nga politika, në përpjekje për të delegjitimuar hetimet dhe proceset gjyqësore që po prekin nivelet më të larta të pushtetit në vend.

Kuptohet se paralajmërimet e Brukselit vijnë si përgjigje për ambicien e shprehur nga qeveria shqiptare për të mbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027.

Përveç Edi Ramës, që është nga të rrallët politikanë të nivelit të lartë që nuk është kontaktuar nga drejtësia e re, duhet thënë se SPAK ka prekur të gjitha nivelet e pushtetit si në qeveri me hetimin e disa ish-ministrave, në pushtetin lokal, me arrestimin e disa kryebashkiakëve dhe po ashtu nuk është kursyer me arrestimet direkte të liderëve të opozitës. Për pasojë, prokurorët janë përballur me sulme të të gjitha llojeve.

1. Protesta e punonjësve të bashkisë për "Lalin"

Dita kur GJKKO do të shqyrtonte kërkesën për masën e sigurisë ndaj Erion Veliajt në datën 10 shkurt, u shoqërua me një protestë të organizuar nga administrata e bashkisë së Tiranës, një taktikë klasike për të ushtruar presion mbi gjyqësorin dhe për të krijuar një klimë intimidimi. Tubimi ishte një përdorim i hapur i burimeve shtetërore për të ndikuar mbi proceset e drejtësisë.

2. Sulmet e drejtpërdrejta të Veliajt ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve

Pas hapave të parë të prokurorëve të SPAK, që kontrolluan shtëpinë e Erjon Veliajt dhe ngritën ndaj tij disa akuza për korrupsion dhe pastrim parash, kryebashkiaku në detyrë i Tiranës ka përdorur çdo dalje publike për të sulmuar prokurorët dhe gjyqtarët me epitete fyese, duke e cilësuar hetimin si të motivuar politikisht dhe duke angazhuar mediat për të sulmuar prokurorët dhe gjykatësit e çështjes së tij.

3. Paralajmërimet e Edi Ramës për “standartizimin” e drejtësisë

Kryeministri Edi Rama ka artikuluar disa herë idenë e “standartizimit” të drejtësisë së re, një formulë e paqartë që në thelb nënkupton një kontroll më të madh politik mbi vendimet e SPAK dhe GJKKO. Kjo retorikë është parë si një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë së drejtësisë, pasi nënkupton krijimin e një linje të përshtatshme politike për të dirigjuar hetimet.

4. Sulmet e Sali Berishës dhe protestat para SPAK

Nga ana tjetër, Sali Berisha ka vijuar të organizojë protesta të rregullta para selisë së SPAK, duke e cilësuar këtë institucion si "organizatë kriminale" në shërbim të Edi Ramës dhe duke shpërndarë akuza të vazhdueshme kundër prokurorëve që po ndjekin dosjen e tij për privatizimin e Klubit Partizani. Berisha ka nxjerrë përgjime të SKY ECC duke akuzuar prokurorë të veçantë të SPAK se janë të përfshirë në fshirjen apo fshehjen e përgjimeve për të shfajësuar politikanë të PS dhe vetë Edi Ramën.

5. Protesta e Partisë së Lirisë kundër SPAK

Me moton “Jo drejtësi me regji”, një grup militantësh të Partisë së Lirisë protestuan para SPAK për arrestimin e Ilir Metës, duke akuzuar institucionin si mjet të Edi Ramës kundër opozitës. Në një letër nga burgu, Meta sulmoi kreun e SPAK, Altin Dumanin, si “mercenar të Ramës” dhe e cilësoi SPAK-un një “instrument kamikaz” të përdorur për të goditur kundërshtarët politikë.

Draft-raporti i PE-së konfirmon atë që në Shqipëri tashmë është bërë e qartë: që sistemi i drejtësisë është nën një sulm frontal nga politika, kryesisht për shkak të dosjeve të korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin.

Shqetësimi i ngritur nga Parlamenti Europian është një sinjal se sulmet ndaj institucioneve të reja të drejtësisë nuk do të kalojnë pa u vënë re. Tani mbetet për t'u parë se sa do t'i rezistojë presionit drejtësia shqiptare./Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

29°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI