Presidenti Donald Trump ka ndërmarrë një nga lëvizjet më drastike të mandatit të tij të dytë: mbylljen ose reduktimin e Zërit të Amerikës (VOA) dhe mediave të tjera të financuara nga SHBA, si Radio Free Europe/Radio Liberty dhe Radio Free Asia. Vendimi vjen si pjesë e një urdhri ekzekutiv për të eliminuar Agjencinë Amerikane për Median Globale (USAGM).
Por a është ky një akt i dëmshëm ndaj lirisë së shtypit dhe ndikimit global të SHBA-së, apo thjesht një mbyllje e një institucioni që nuk kishte më vend në epokën e rrjeteve sociale, podcast-eve dhe mediave të decentralizuara?
Zëri i Amerikës: Një zë i besueshëm i informacionit në kohë krizash
Zëri i Amerikës është krijuar në vitin 1942, në kulmin e Luftës së Dytë Botërore, për të ofruar një zë të pavarur dhe të besueshëm për miliona njerëz që jetonin nën regjime shtypëse. Për dekada, VOA ka qenë një burim informacioni për ato vende ku liria e shtypit ishte e kufizuar ose inekzistente.
Sipas Presidentit të Klubit Kombëtar të Shtypit, Mike Balsamo, kjo është arsyeja pse mbyllja e tij nuk duhet parë thjesht si një masë burokratike:
“Për dekada, Zëri i Amerikës ka transmetuar gazetari të bazuar në fakte, të pavarur, për audienca në mbarë botën, shpesh në vende ku liria e shtypit nuk ekziston. Heqja e një numri të madh gazetarësh në të njëjtën kohë me çmontimin e USAGM kërcënon vetë themelin që ka lejuar VOA të operojë pa ndërhyrje politike.”
Nga ana tjetër, ish-drejtori i VOA për Euroazinë, Elez Biberaj, e cilësoi këtë vendim si një katastrofë për interesat amerikane dhe ndikimin e saj global:
“Vendimi për të çmontuar një nga pasuritë më të mëdha kombëtare të Amerikës do t’i shkaktojë dëm të thellë imazhit të SHBA-së, interesave të saj globale dhe promovimit të vlerave demokratike – dëm që asnjë kundërshtar nuk mund ta arrijë kurrë” u shpreh ai.
Nëse e shohim nga ky këndvështrim, VOA nuk ishte thjesht një media, por një armë e butë diplomatike e SHBA-së, e cila përçonte vlerat dhe interesat amerikane përtej kufijve të saj, sidomos në kohë tensionesh globale.
VOA në epokën e rrjeteve sociale
Nga ana tjetër, është po aq e vërtetë që VOA dukej gjithnjë e më shumë si një relike e së shkuarws, sidomos në një epokë ku lajmet qarkullojnw në kohë reale përmes Twitter, Facebook, YouTube dhe podcast-eve tw shumta, ndwrsa një media e qeverisë amerikane që transmeton lajme në formate tradicionale dukej si një dinosaur në epokën e TikTok-ut.
Vetë Trump dhe këshilltarët e tij e kanë portretizuar VOA-n si të panevojshme, madje si një media që nganjëherë ka sfiduar narrativën zyrtare të SHBA-së. Këshilltarja e Trump, Kari Lake, e cila u emërua si këshilltare e USAGM, e përshëndeti vendimin, duke bërë thirrje që punonjësit e VOA-së të kontrollonin e-mail-et e tyre për detajet e largimit nga puna.
Një gazetar tjetër nga VOA, që foli në kushte anonimiteti për POLITICO, e krahasoi kaosin e së shtunës me “shkatërrimin e institucioneve federale nga Departamenti i Efikasitetit Qeveritar, që nxiti një valë të shfrenuar pushimesh nga puna”.
Lufta e Trump ndaj Zërit të Amerikës dhe mediave mainstream
Mbyllja e Zërit të Amerikës nuk mund të shihet jashtë strategjisë së Trump për të diskredituar mediat tradicionale dhe për të promovuar narrativën e “fakteve alternative”. Që nga mandati i tij i parë, Trump e ka etiketuar shtypin e lirë si “armikun e popullit”, duke e sulmuar vazhdimisht për raportime që nuk përputheshin me versionin e tij të realitetit.
VOA, pavarësisht se është financuar nga qeveria amerikane, ka pasur një politikë editoriale të pavarur, e cila shpesh ka përfshirë raportime kritike ndaj politikave të brendshme dhe të jashtme të SHBA-së. Kjo e ka bërë atë shënjestër të përsosur për Trump, i cili prej kohësh ka shprehur pakënaqësi ndaj mënyrës se si kjo media pasqyron realitetin global.
Kujtojmë që në vitin 2017, një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë, Kellyanne Conway, shpiku termin “fakte alternative” për të mbrojtur pretendimet e pabaza të administratës Trump. Kjo qasje ka vazhduar edhe në mandatin e tij të dytë, ku mbyllja e Zërit të Amerikës shihet si një hap për të krijuar një ekosistem informacioni të kontrolluar nga besnikët e Trump, në vend të një mediaje të pavarur që sfidon narrativën e tij.
Në këtë kontekst, emërimi i Kari Lake – një ish-gazetare dhe besnike e palëkundur e Trump – si këshilltare në USAGM vetëm sa e forcon këtë ide. Lake ka qenë një nga zërat më të zjarrtë kundër mediave tradicionale dhe ka promovuar teori konspirative mbi zgjedhjet amerikane. Kjo ngre pyetjen: A është mbyllja e Zërit të Amerikës një hap drejt zhdukjes së gazetarisë së lirë dhe krijimit të një peizazhi mediatik të kontrolluar plotësisht nga Trump?
Në të gjitha fushatat dhe presidencën e tij, Trump ka ndjekur një strategji të qartë: përçmimi dhe delegjitimimi të mediave që nuk i shërbejnë atij politikisht. Ai ka sulmuar vazhdimisht CNN, The New York Times, The Washington Post dhe NBC, duke i etiketuar si “fake news” dhe duke inkurajuar mbështetësit e tij të mos i besojnë.
Mbyllje e drejtë apo hap drejt propagandës së kontrolluar?
Një tjetër pyetje që lind është: a ishte ky një vendim i justifikuar për ta mbyllur një platformë të vjetruar, apo thjesht një përpjekje e Trump për të goditur një tjetër media që nuk i bindej politikisht?
Trump ka sulmuar vazhdimisht VOA-n që në mandatin e tij të parë, duke e etiketuar atë si një media që nuk përfaqësonte vlerat e tij. Për të dhe këshilltarët e tij, VOA nuk duhej të ekzistonte më, sepse shpesh mbulonte lajme që nuk i përshtateshin narrativës së tij.
Shkurtimet e fundit të drejtuara ndaj mediave të financuara nga SHBA, megjithatë, vijnë vetëm një ditë pasi Trump kritikoi publikisht mediat amerikane si “të korruptuara” dhe “të paligjshme.” Presidenti i SHBA-së i akuzoi mediat se janë të njëanshme kundër tij dhe i denoncoi transmetuesit privatë CNN dhe MSNBC si “krahu politik i Partisë Demokratike.”
Gjatë mandatit të tij të parë, Donald Trump pati përplasje me Zërin e Amerikës (VOA) dhe detyroi dy nga drejtorët e tij kryesorë të jepnin dorëheqjen në vitin 2020. Shtëpia e Bardhë protestoi në mënyrë të veçantë ndaj një videoje të VOA-së për rihapjen e Wuhan-it në Kinë, vendi i origjinës së pandemisë së COVID-19.
Administrata e Trump pretendoi se VOA “shpeshherë flet për armiqtë e Amerikës – jo për qytetarët e saj” dhe se media “përforcoi propagandën e Pekinit.”
Në këtë prizëm, mbyllja e VOA-së nuk është thjesht një masë burokratike – është një vazhdimësi logjike e një politike më të gjerë të luftës ndaj mediave mainstream. Duke hequr një zë të fuqishëm si Zëri i Amerikës, Trump i hap rrugën një ekosistemi informacioni të mbështetur në teori konspirative, propagandë dhe “fakte alternative”, të cilat mund të kontrollohen më lehtë nga besnikët e tij politikë.