West Ham u përball me Newcastle në javën e 28-të të Premier League, por këtë herë rezultati kishte më pak rëndësi (për të qenë të saktë, miqtë fituan 1-0 me golin e Bruno Guimarães). Ajo që spikati në këtë mbrëmje ishte prania e veçantë e Michail Antonio, sulmuesit që ende është në fazë rikuperimi pas aksidentit të tmerrshëm që përjetoi në dhjetor, ku rrezikoi jetën.
“Katër muaj më parë po e prisnim të shërohej ndërsa ishte në një shtrat spitali dhe që atëherë ka treguar forcën, këmbënguljen dhe karakterin që e përfaqësojnë,” tha spikeri i stadiumit në Londër, duke i dhënë mirëseardhjen një prej lojtarëve më të rëndësishëm të historisë së fundit të West Ham. “Sonte ai ribashkohet me familjen e tij të West Ham. Ju lutemi, tregoni dashurinë dhe mbështetjen tuaj për golashënuesin tonë më të mirë në Premier League, numrin tonë 9: Michaiiiil Antoooniooo!” – ishin fjalët e fundit para se më shumë se 68 mijë tifozë të shpërthenin në ovacione dhe duartrokitje për sulmuesin xhamajkan.
Çfarë ndodhi?
Më 7 dhjetor 2024, Michail Antonio pësoi një aksident të rëndë me Ferrarin e tij, duke pësuar frakturë në këmbë dhe dëmtime të tjera që e çuan menjëherë në sallën e operacionit. Më 10 mars, 93 ditë pas atij momenti dramatik, ai u kthye për herë të parë në stadiumin e tij, ku u prit në mënyrë të jashtëzakonshme nga tifozët.
Sulmuesi hyri në fushën e Stadiumit Olimpik të Londrës dukshëm i emocionuar, duke përshëndetur të gjitha tribunat. Siç është traditë për West Ham, ai hyri mes një perdeje me flluska sapuni, një ritual që ekipi ndjek para çdo ndeshjeje.
@footyalex86 #alexxtratime #whf86 #michailantonio #westhamunited ♬ original sound - Alex Xtratime ⚽️⚒️
Një pjesë e tifozëve, grupi Ironworks Alliance, shpalosi një flamur gjigant në shenjë mbështetjeje për 34-vjeçarin. “Sapo morëm vesh që Michail do të kthehej në stadium, nisëm një fushatë për mbledhjen e fondeve dhe bashkëpunuam me klubin për ta bërë të mundur këtë rikthim,” thanë ata në një deklaratë.
Mesazhi i Michael Antonio
Në një mesazh të ndjerë pas kthimit, Antonio shkroi: “Kam kaluar shumë vite duke e marrë jetën si të mirëqenë”, duke falënderuar të gjithë tifozët: “Ju falënderoj nga thellësia e zemrës sime”.
@.jprodz welcome back ❤️ #westham #west #ham #foryou #foryoupage #fyp #welcomeback #welcome #back #premierleague #4K #skysports #antonio #michailantonio ♬ original sound - ︎ ︎︎
Megjithëse gjendja e tij shëndetësore tashmë është e mirë, nuk dihet ende nëse ai do të mund të rikthehet në fushë, të paktën në një afat të shkurtër. Mediat britanike raportojnë se dëmtimet e tij në këmbë ishin aq serioze sa e kanë shtyrë të mendojë për një tërheqje të parakohshme nga futbolli. Megjithatë, procesi i rehabilitimit dhe shpejtësia e rikuperimit kanë shtuar shpresat se rikthimi në fushë, këtë herë si lojtar i West Ham, nuk është më një ëndërr e paarritshme. Një skenar i paimagjinueshëm më 7 dhjetor, kur ai u nxor nga Ferraria e tij e shkatërruar plotësisht.