Korrespondentja e Zërit të Amerikës Lesia Bakalets njofton nga Kievi për përpjekjet që mund të bëhen për të nxitur një numër më të madh të tyre të kthehen në atdhe.
Galyna Grahno u largua nga qyteti me familjen e saj në fillim të sulmit të gjerë të Rusisë, në vitin e parë të luftës. Tani, ajo thotë se nuk ka ku të kthehet. “Në tetor të vitit 2022, pashë një video-regjistrim në internet nga qyteti dhe njoha apartamentin tim. Këndi i dhomës së vajzës time ende po qëndronte. Edhe tryeza po qëndronte ende, një ekran mbi tavolinë, por çdo gjë tjetër ishte shkatërruar”, thotë ajo.Ky është viti i tretë që kur Grahno po jeton me familjen e saj në Poloni. Ajo thotë se ka pak gjasa që të kthehet në Ukrainë.
“E flas më mirë gjuhën polake – kalova provimin për nivelin B1 dhe mora kurse të kontabilitetit në gjuhën polake. Vajza ime filloi studimet universitare. Andaj, ka shumë mundësi që të qëndrojmë këtu”, thotë ajo.
Shumica e ukrainasve që ikën nga lufta ndajnë pikëpamjet e zonjës Grahno, thotë Hlib Vyshlinsky, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Strategji Ekonomike, një organizatë joqeveritare që merret me hulumtime në Kiev.
“Sipas një ankete që bëmë në fund të vitit 2022 mbi 50 për qind e refugjatëve ukrainas synonin të ktheheshin. Tani, kjo shifër ka zbritur në afro 20 për qind”, thotë ai.
Mungesa e sigurisë është njëri prej faktorëve kryesorë, thotë zoti Vyshlinsky.
Margaryta Sytnyk bashkëthemeluese e grupit ‘Holka’ thotë se vështirësi të tjera për t’u kthyer janë mungesa e vendeve të punës dhe banimit.
“A do të ekzistojë infrastruktura, shkolla, apo e ardhmja për fëmijët – këta janë faktorët kyç në vendimin për t’u kthyer, apo për të qëndruar në një vend të dytë”, thotë ajo. Zonja Sytnyk jeton dhe punon në Poloni në shtatë vitet e fundit. Por kur filloi lufta, ajo vendosi të kthehej në Ukrainë. “Si njeri që ka përvojën e imigrantit, i kuptoj shqetësimet dhe vuajtjet e tyre”, thotë ajo.