Gazetari i njohur amerikan pro-Maga, Brian Glenn iu drejtua Presidentit Zelensky me një pyetje të papërshtatshme dhe raciste: “Ju jeni në zyrën më të lartë në Shtetet e Bashkuara (Zyrën Ovale) dhe nuk keni veshur kostum? Nuk keni një të tillë?
Nga Aldo Grasso, kritik italian
Ndonjëherë mendoj se gazetaria tregon më të keqen e saj nëpër talk show: ndoshta është faji i formatit, që përfshin zënkat, ofendimet, të bërtiturat. Për ditë të tëra, nuk kam mundur ta heq nga mendja atë dramë të stilit mafioz të "televizionit të madh" (siç tha Trump) që u shpalos në Shtëpinë e Bardhë. Në veçanti pati një skenë dhe një gazetar që më tronditi.
E kam fjalën për Brian Glenn, korrespondentin e Shtëpisë së Bardhë për “Real America's Voice”, një stacion konservator me lidhje me lëvizjen MAGA, që mbështet “Make America Great Again”. Brian Glenn është autor i një podcast kushtuar mbështetësve të Trump. Aty ka pasur vazhdimisht intervista ekskluzive me presidentin ose ka kryer lidhje të drejtpërdrejta me mitingjet e konservatorëve. Ai dihet gjithashtu se ka pasur lidhje me një kongresmene ekscentrike konservatore, Marjorie Taylor Greene.
Epo, ky Brian Glenn ishte ai që iu drejtua Presidentit Volodymyr Zelensky me një pyetje sa të papërshtatshme aq edhe raciste: "Ju jeni në zyrën më të lartë në Shtetet e Bashkuara (Zyrën Ovale) dhe nuk keni veshur kostum? Pse? Nuk keni një? Pyetja e lë pa fjalë Zelenskin, tashmë të tronditur nga qëndrimi i dy mikpritësve, saqë e pyet me zë të ulët: “Çfarë?” teksa shumë rreth tij qeshin të kënaqur.
Kjo ishte përgjigja e Zelensky: “Do të vesh një kostum kur të përfundojë lufta. Ndoshta do të vesh një si yti, ose ndoshta të një cilësie më të mirë, ose ndoshta një lloj më të lirë. Nuk e di. Ndoshta. Do të shohim”. Dinjiteti i përgjigjes duhet të na japë një masë të bazës së pyetjes së Brian Glenn. Ishte vërtet një shembull i "televizionit të madh" që duhet të shënohet në librat e historisë së televizionit.
Disa ditë më parë, Jeff Bezos, njeriu që qëndron pas Amazon, kishte urdhëruar gazetën e tij, Washington Post, të botonte vetëm komente që mbronin dy çështje të dashura për Trump dhe Musk: liritë personale dhe tregun e lirë. David Shipley, i cili drejtonte faqen editoriale dhe të komenteve të Post, një lloj gazete brenda gazetës, që nga viti 2022, ka dhënë dorëheqjen dhe gazeta vazhdon të kritikojë Trump. Më duhet të mendoj sërish: gazetaria më e mirë dhe më e keqe nuk varen nga formatet përmes të cilave ato shprehen. ©Corriere della Sera, LAPSI.al