Marion Jollès Grosjean ka qenë në një rrezik të madh dhe mund ta quajë veten me fat. Gazetarja dhe fytyrë e njohur e televizionit francez ka qenë viktimë e një aksidenti të rëndë me biçikletë. Këtë e tregojnë qartë gjendja e saj dhe pamjet që ajo ka ndarë në rrjetet sociale. Marion është bashkëshortja e ish-pilotit të Formula 1, Romain Grosjean, i cili aktualisht garon në IndyCar. Ajo që e bën historinë edhe më të çuditshme është fakti që të dy kanë qenë protagonistë të aksidenteve të rënda, megjithëse me mjete të ndryshme.
Çfarë i ndodhi bashkëshortes së ish-pilotit të F1, Grosjean?
Marion Jollès Grosjean sqaroi situatën duke postuar disa foto të saj të bëra direkt nga spitali. Me fytyrën të mavijosur, trupin e mbushur me plagë dhe një serum në krah, ajo tregoi përmes një mesazhi dramatik përjetimin e saj: “Pneumotoraks, brinjë të thyera, trauma cerebrale… Aksident me biçikletë, por nuk mund t’ju jap më shumë detaje… Nuk mbaj mend asgjë nga ajo që ndodhi. Gjithsesi, faleminderit për mesazhet dhe mbështetjen tuaj, është diçka e mrekullueshme! Shpresoj të kthehem në shtëpi sa më shpejt të jetë e mundur. Ndërkohë, kam një bashkëshort që po kujdeset për të tre fëmijët tanë. Duhet ta pranoj që kjo histori është e pabesueshme. Ende nuk e kuptoj çfarë më ndodhi apo pse po vuaj kaq shumë…”.
Gazetarja dhe prezantuesja televizive, e cila dikur mbulonte edhe Formula 1, ka kaluar momente vërtet të vështira. Pamjet e gjendjes së saj flasin qartë për seriozitetin e aksidentit. Ajo nuk e kurseu as një mesazh kritik për gjendjen e rrugëve: “Ju tregova fytyrën time, ja dhe pjesa tjetër e trupit tim, pesë ditë pas aksidentit. Mendoj se mund të bëj një reklamë të mirë për sigurinë rrugore! Sinqerisht, helmeta e biçikletës më shpëtoi jetën. Ende kam tubat e drenazhit, por shpresoj të dal shpejt nga spitali. Në shtëpi më presin tre engjëjt e mi, të cilët po kujdesen nga super babai i tyre. Faleminderit miqve dhe të gjithë atyre që më kanë qëndruar pranë dhe më kanë dhënë forcë për të kaluar këtë ferr!”.
Përplasja e tmerrshme e Grosjean në F1: arratisja nga flakët
Familja Grosjean po përballet me një tjetër makth, pas atij që përjetoi Romain gjatë Çmimit të Madh të Bahreinit në Formula 1 në vitin 2020. Në atë rast, ish-piloti i Haas-it arriti të dilte në kohë nga makina e tij që u përfshi nga flakët, por pësoi djegie të rënda. Kujtimi i tij për atë ngjarje ishte tronditës: “Nuk e kuptova asgjë (për mënyrën se si shpëtova, red.) deri të nesërmen, kur kërkova të më tregonin videon. Bashkëshortja ime po shikonte garën bashkë me babanë dhe fëmijët tanë. Nuk do ta harrojnë kurrë atë moment.”
Dhe kush e di se çfarë ka menduar tani, me rolet e përmbysura, Romain kur ka parë bashkëshorten e tij në atë gjendje. Një tjetër tronditje e fortë për familjen Grosjean.