Milani humbi një ndeshje të çmendur kundër Lazios, e cila doli nga San Siro me tre pikë falë një penalltie të shënuar nga Pedro në minutën e 98'. Një disfatë që pothuajse e largon përfundimisht Milanin nga zona Champions. Klubi, megjithatë, synon të sigurojë pjesëmarrjen në Europa League ose Conference League. Për momentin, siç raporton Sky, drejtuesit kanë qenë në dhomat e zhveshjes dhe i kanë dhënë mbështetje të plotë teknikut Sergio Conceiçao. Nuk duket se do të ketë ndryshime të menjëhershme apo emërim të ndonjë trajneri të përkohshëm. Portugezi vazhdon të jetë i sigurt në pankinë.
Lexo më tej: Milan-Lazio 1-2: Pedro i "dhuron" Djallit humbjen e tretë radhazi
Pas ndeshjes, trajneri i Milanit foli për DAZN, duke analizuar se çfarë shkoi keq kundër Lazios. “Nuk ishte një ambient i lehtë për lojtarët”, tha Conceiçao, duke iu referuar protestave të ashpra të tifozëve. “Ne e përgatitëm ndeshjen në shumë pak kohë, por folëm për këtë atmosferë të çuditshme para ndeshjes. Kjo është hera e parë që më ndodh diçka e tillë në karrierë, nuk më ka ndodhur kurrë më parë.” Ai shtoi: “Lojtarët e ndjejnë presionin e ambientit dhe e dimë që, kur është kështu, edhe këpucët duken sikur digjen.”
Protesta e tifozëve të Milanit para ndeshjes
Trajneri u paraqit në konferencën për shtyp me 40 minuta vonesë, pas një takimi në dhomat e zhveshjes me Ibrahimovic dhe Moncada. I pyetur për të ardhmen e tij te Milani, ai u përgjigj: “Nuk e mendoj këtë, kam shumë gjëra për të cilat duhet të mendoj çdo ditë, e para prej tyre është ndeshja kundër Lecces.” Më pas shtoi: “Më dhemb shumë, jam i lënduar ashtu si tifozët. Që fëmijë jam mësuar të fitoj dhe nuk ndihem aspak mirë në këtë moment. Kur përballem me periudha të errëta, e vetmja gjë që di të bëj është të punoj edhe më shumë dhe të ec përpara.” Strategjia e Milanit dhe trajnerit është e qartë: mos dramatizoni dhe qëndroni të bashkuar.
Qëndrimi i Milan: përpara me Conceiçao pa krijuar panik
Duke folur më tej për atmosferën gjatë ndeshjes dhe ndikimin e protestave të tifozëve, Conceiçao theksoi: “Nuk është e lehtë, sepse kur ndodh kjo, nuk të del një driblim apo një pasim siç duhet. Megjithatë, skuadra tregoi karakter të madh, aftësi për të ndryshuar lojën edhe me dhjetë lojtarë. Madje mund të kishim fituar, sepse patëm disa mundësi… por pastaj ndodhi ajo penallti.” Për momentin, Conceiçao mbetet i sigurt në pankinë, me klubin të vendosur për të vazhduar me të deri në fund të sezonit.