Teksti shumë i shkurtër që kërkonte "që të përfundohet konflikti në afatin më të shpejtë dhe apelonte për një paqe të qëndrueshme" nuk u dërgua për votim ashtu siç ishte. Ai u modifikua ndjeshëm me disa amendamente nga disa shtete evropiane që e kritikuan qartë Rusinë për këtë konflikt, duke deklaruar angazhimin për integritetin territorial të Ukrainës dhe kërkuar një "paqe të drejtë". Kur e pa se ishte pakicë dhe se propozimi i saj i modifikuar nga evropianët, SHBA nuk e votoi rezolutën që propozoi vetë. në mënyrë qesharake edhe Shqipëria i shkoi nga pas duke votuar kundër një drafti që kishte pranuar ta sponsorizonte vetë. Ambasadorja Suela Janina u bë gazi i homologëve të saj duke zbatuar porositë e ardhura nga kryeministria në Tiranë.
Ajo jo vetëm ishte bërë qesharake duke thyer rekordin dhe duke mbështetur dy dokument propozime të ndryshme, atë evropian dhe atë amerikan, por nga dëshira për ti kënaqur të tërë, kur SHBA votoi kundër edhe ajo votoi kundër draftit që kishte sponsorizuar vetë.
Në fakt siç pohuan burime nga New Yorku për Lapsi.al, znj. Janina ishte e ndërgjegjshme për pozicionin e vështirë që duhet të mbante, por ajo qe e bindur se kjo lajthitje kishte të bënte me amullinë që ka kapluar kryeministrin shqiptar pas ndryshimit të pushtetit në Uashington. Edi Rama nuk është më në gjendje të vendosë nëse është ende fitimprurëse të jesh pro Zelenskit duke dëshmuar se gjithë teatri i deri tanishëm ka qenë një farsë e rëndomtë.
Duke u nisur nga qëndrimi absurd i Shqipërisë ish ministri i jashtëm i socialistëve Ditmir Bushati komentoi në një mesazh anglisht në "X". Shqipëria vendosi një precedent të keq gjatë votimit për Ukrainën sot duke bashkë-sponsorizuar në të njëjtën kohë dy rezoluta të ndryshme në përmbajtje dhe qëllim. Që nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, pozita jonë ka qenë e qartë, në mbështetje të Ukrainës dhe parimeve të përfshira në Kartën e OKB-së. Një pozicion i qëndrueshëm në rrethana gjeopolitike komplekse është i rëndësishëm për besueshmërinë në skenën ndërkombëtare. Ndërsa shtetet e vogla si Shqipëria mund të ndjehen nën presion për të balancuar interesa të kundërta, është kyçe të qëndrohet besnik ndaj vlerave tona thelbësore dhe të ndërtohet një reputacion për diplomaci me parime".
©Lapsi.al