Flash

Gjermania në zgjedhje: Skenarët e koalicioneve me 2 apo 3 parti

Lapsi.al 23 February 2025
Gjermania në zgjedhje: Skenarët e koalicioneve me 2 apo 3 parti

Gjermanët votojnë këtë të diel në zgjedhje të parakohshme, të cilat kanë marrë një rëndësi të jashtëzakonshme për të ardhmen e Evropës. Kjo ndodh ndërsa administrata e re e Donald Trump në SHBA ka kërcënuar me tarifa ndaj vendeve evropiane, i ka lënë jashtë negociatave për Ukrainën dhe po tregon një qasje më miqësore ndaj një Rusie autoritare.

Zgjedhjet për Parlamentin gjerman u shpallën pas kolapsit të qeverisë të krijuar nga koalicioni i tre partive të kancelarit Olaf Scholz në nëntor. Me zgjedhjet e parashikuara shtatë muaj më vonë, votimi po ndodh në një moment kritik për Evropën, e cila është në kërkim të një lidershipi të fortë dhe po rishikon marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

Megjithëse politikanët dhe vullnetarët kanë punuar për të rritur entuziazmin gjatë një fushate të shkurtër dimërore, sondazhet nuk kanë ndryshuar ndjeshëm. Friedrich Merz dhe Unioni Kristian Demokrat (CDU) i tij kanë një epërsi të qëndrueshme.

Partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), pritet të dalë e dyta, duke përfituar nga pakënaqësia e votuesve me partitë tradicionale dhe nga frika për migracionin. Sondazhet tregojnë se mund të ketë rezultatin më të mirë në historinë e saj.

Socialdemokratët e Scholz-it, të cilët siguruan një fitore të ngushtë në vitin 2021, pritet të renditen të tretët, pak përpara të Gjelbërve. Partia Socialdemokrate, më e vjetra në Gjermani, mund të përballet me rezultatin më të keq që nga koha kur u ndalua nga nazistët.

Por pasiguria mbetet e lartë. Më poshtë janë disa çështje për t’u vëzhguar:

Një partneritet me dy parti apo një koalicion i vështirë me tre?

[caption id="attachment_982130" align="alignnone" width="1024"]Frederik Merz Frederik Merz[/caption]

Asnjë parti nuk pritet të sigurojë një shumicë absolute për të qeverisur e vetme. Pyetja kyçe është sa parti do të nevojiten për të formuar qeverinë.

Së bashku, Kristian Demokratët e qendrës së djathtë të Merz-it dhe AfD-ja e ekstremit të djathtë mund të sigurojnë shumicën më të gjerë. Por, për shkak të lidhjeve të AfD-së me grupet neo-naziste, Merz dhe të gjitha partitë kryesore e kanë përjashtuar një bashkëpunim me të. Në vend të kësaj, ata kanë krijuar një "mur mbrojtës" politik për të mbajtur ekstremistët jashtë pushtetit.

Kjo lë Socialdemokratët e Scholz-it si partnerin më të mundshëm të Merz-it, pavarësisht se janë të qendrës së majtë. Nëse këto dy parti nuk arrijnë të sigurojnë shumicën, atëherë një e tretë do të jetë e nevojshme.

Përvoja e qeverisë aktuale ka treguar se një koalicion me tre parti mund të jetë i paqëndrueshëm dhe i vështirë. Një rezultat i tillë mund ta kthejë Gjermaninë pas në të njëjtën krizë që çoi në zgjedhjet e parakohshme.

Roli i partive të vogla

[caption id="attachment_982131" align="alignnone" width="1024"]Ines Schwerdtner, Gregor Gysi, Jan van Aken and Heidi Reichinnek of Germany’s Die Linke party in Berlin Ines Schwerdtner, Gregor Gysi, Jan van Aken dhe Heidi Reichinnek, nga Partia "Die Linke" në Berlin[/caption]

Një faktor kyç do të jetë performanca e partive më të vogla dhe nëse ato arrijnë pragun prej 5% për të hyrë në Parlament.

Partia e ekstremit të majtë, Die Linke, duket se do të arrijë të mbijetojë, pavarësisht një periudhe të vështirë. Një nga figurat e saj më të njohura, Sahra Wagenknecht, u largua vitin e kaluar për të formuar partinë e saj, Aleancën Sahra Wagenknecht (BSW), e cila garon për herë të parë në nivel kombëtar.

Një tjetër parti që lufton për mbijetesë është Partia Demokratike e Lirë (FDP), e cila është pro-biznesit. Lideri i saj, Christian Lindner, është politikani që nxiti kancelarin Scholz ta përjashtonte nga qeveria, duke çuar në zgjedhjet e parakohshme. Për të, kjo votë është një test nëse lëvizja e tij për të shpëtuar partinë do të funksionojë.

Nëse të gjitha këto parti arrijnë të hyjnë në Parlament, kjo mund të komplikojë situatën për partitë më të mëdha, duke u zvogëluar numrin e ulëseve dhe duke ua bërë më të vështirë formimin e një koalicioni me dy parti.

A do të mbajë "muri mbrojtës" kundër AfD-së?

[caption id="attachment_982132" align="alignnone" width="1024"]Mbështetës të AFD Mbështetës të AFD[/caption]

Nëse AfD-ja arrin një rezultat më të lartë se pritej – mbi 20% – dhe krijon një situatë ku është e vështirë të anashkalohet, atëherë dyshimet rriten se për sa kohë mund të qëndrojë i paprekur "muri mbrojtës" i vendosur nga establishmenti politik.

Edhe në mesin e partive të djathta populiste evropiane, AfD-ja shihet si një nga më ekstremet. Shërbimet e inteligjencës gjermane i monitorojnë disa fraksione të saj dhe i kanë cilësuar si ekstremistë dhe rrezik për Kushtetutën. Disa anëtarë të AfD-së janë përfshirë në ringjalljen e sloganeve naziste, kanë minimizuar Holokaustin dhe kanë organizuar plane për të përmbysur qeverinë.

Megjithatë, partia ka fituar mbështetje nga administrata Trump. Në Konferencën e Sigurisë në Mynih këtë muaj, nënpresidenti JD Vance u bëri thirrje gjermanëve që të ndalonin margjinalizimin e partive të ekstremit të djathtë, duke deklaruar se: "Nuk ka vend për mure mbrojtëse", dhe duke u takuar më pas me kandidaten për kancelare të AfD-së, Alice Weidel.

Elon Musk, këshilltari miliarder i Trump-it, e intervistoi Weidel në platformën e tij sociale X dhe e mbështeti publikisht përmes një videoje drejtuar mbështetësve të AfD-së në një tubim, duke u thënë se gjermanët "janë përqendruar shumë në fajet e së kaluarës".

Forca e rezultatit të AfD-së mund të jetë një sinjal jo vetëm për politikën gjermane, por edhe për prirjet politike në gjithë Evropën pas rizgjedhjes së Trump-it. Ai mund të jetë gjithashtu një tregues i ndikimit të mbështetjes nga Trump dhe Musk: a e kanë ndihmuar ata partinë të fitojë legjitimitet dhe mbështetje më të gjerë, apo kjo strategji ka rezultuar e kundërt?

Kur do të mësojmë rezultatet?

Projeksionet e para pritet të dalin menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit në orën 18:00 të dielën në Gjermani (12:00 EST në SHBA). Zakonisht, këto sondazhe dalin shumë të sakta. Në zgjedhjet e fundit, ato ishin brenda 1% të rezultatit përfundimtar. Por këtë vit, "exit poll-et" mund të jenë më pak parashikuese. Një numër i pazakontë votuesish u kanë thënë anketuesve se nuk e kishin marrë ende vendimin e tyre dhe një numër në rritje i votuesve përdorin fletëvotimet me postë dhe kështu ata nuk figurojnë në exit poll.

Shumica e gjermanëve do të ulen para televizorit në mbyllje të votimit. Prisni foto nga selitë e ndryshme të partive, me të gjithë të grumbulluar rreth kandidatëve kryesorë - shishe shampanje ose gota birre në dorë, në varësi të partisë - duke pritur për rezultatet e para./NYTIMES

Të këshilluara

ide

Një antihero i dëshpëruar i Homerit

Kryeministri ka përdorur mitin antik të Odiseut që nuk joshet nga sirenat, për të përçuar mesazhin se ai do të vazhdojë përpara pa pyetur për protestuesit. Por nëse nuk do e kish njohur veprën e Homerit vetëm përmes ekranizimit, do të kish gjetur tek kjo metaforë gjurmët e një autokrati

16:50 Andi Bushati

Fillimi i fundit të pushtetit të Ramës

Fillimi i fundit mund të jetë mu ky moment, kur piqet bindja e rrëzimit të një kryeministri a qeverie a rendi - pra të një lloj bindjeje se gjërat nuk do të kthehen aty ku ishin para se të fillonte protesta

09:47 Veton Surroi

MOTI TIRANA

20°c

KËMBIMI EURO

94.48

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI