Flash

Veliaj vijon sulmet për Ols Dadon: Kastravec dhe violinë e prishur

Lapsi.al 22 February 2025
Veliaj vijon sulmet për Ols Dadon: Kastravec dhe violinë e prishur

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar sërish nga burgu.

Në shkrimin e radhës nga qelia, Veliaj e krahason veten me personazhin e Franc Kafkës, Jozef K., që u arrestua pa akuzë.

“Me gjasë, dikush kishte shpifur kundër Jozef K. sepse një mëngjes atë e arrestuan, megjithëse s’kishte bërë gjë”.

Kështu nis “Procesi” i Franc Kafkës, libri kult i absurdit, të cilin mua më ra ta lexoj e ta admiroj aq shumë, sa që fati ma dhuroi, përmes një kllouni si Nesti Violina, që edhe ta jetoj, prapa hekurave! Këtu kemi edhe televizor dhe kështu më bie të shoh edhe sesi “Procesi” im vazhdon të shkruhet në gjirizët mediatikë, nga një grup karnavalesh të bërë bashkë, fut e bjer, duke iu referuar dosjes shumëfaqëshe të idiotësive të Ols Angonit.

Si çdo ditë, ku i privuar nga liria pa gjyq dhe nga mundësia për t’u ballafaquar me karnavalet nëpër gjiriza apo me Kafkën tim (ndjesë të ndjerit Franz, po Olsi është si kafkë e mbështjellë me shollë), po vazhdoj t’ju argëtoj me ‘dyshimet e arsyeshme’ të akt-akuzës absurde”.

Teksa hedh poshtë akuzën se ka marrë ryshfet nga biznesmenë që t’u jepte leje ndërtimi apo fonde publike, Veliaj ndalet te rasti i biznesmenit Shkëlqim Fusha, të cilin e quan ‘viktimë të Nesti Andonit’.

“Konsulenca e një sipërmarrësi të nderuar si Shkëlqim Fusha, me dy avokate që ushtrojnë lirinë e profesionit pa lejen e Nesti Dados, për një projekt në jug, rezulton në akt-akuzën ndaj meje si korrupsion në Tiranë!

Ja argumentimi i Kafkës tim: ka marrë leje për një bashkëfshatar, shtëpi njëkatëshe në Yrshek; ka marrë mbrapsht garancinë e punimeve në Sheshin Skënderbej; ka marrë pagesë për një nga 7 lotet e pastrimit, kur pastrimin e bënin privatët në Bashkinë e Tiranës.

Kuptuat gjë? Me siguri jo! Po, ama, Shkëlqim Fusha është shtrënguar me masën detyrim paraqitje për këtë poezi hermetike të violinistit dështak, që më tha, “mos kujto se vetëm ju keni haber nga arti, unë kur isha i vogël i bija violinës”!!!

Pra, me durim: Viktima e Nesti Dados për shkakun tim, që kurrë s’kam dhënë e marrë me të asnjë favor të asnjë natyre, Shkëlqim Fusha, ka paguar dy avokate. 9 mijë euro! Për punët e tij në Vlorë e Himarë. Por, meqë këto të dyja njihen me avokaten që kam në shtëpi, pra Ajolën, ky është korrupsion, sepse Shkëlqimi ka marrë punë nga bashkia dhe të njohurat e sime shoqeje kanë marrë punë nga Shkëlqimi.

1. Leja e ndërtimit është e drejtë pa konkurim, pra e merr ai që e ka tokën ose kontratën me pronarin e tokës. Ols Angoni, si pronar ndërtues e di mirë këtë, ndërsa unë as nuk e di kush është ky Gentian Karaj, që paska bërë shtëpi njëkatëshe në Yrshek, siç nuk di dhe s’kam detyrë të di kush janë pronarët e pafundëm që marrin leje në Bashkinë e Tiranës. Se ndryshe nga Nesti Dado, unë as jam spiun, as jam xhins spiuni, as kam punuar noter në port, as kam qenë zëmarrës dhe zëdhënës i prokurores së përgjithshme, as jam pronar, as jam ndërtues, as bëj prokurorin për llogari të partisë së Ols Violinës.

Pra, sipas Olsit, ai mund të bëjë pallat me firmën time, ndërsa unë bëj korrupsion pse firmos lejen e shtëpisë së Gentianit në Yrshek.

2. Garancia e kontratës është detyrim ligjor që çdo subjekt ta ketë përpara se të nisë një punë, dhe nëse puna kryhet sipas standardeve, ajo (garancia) i kthehet subjektit. Pra, është detyrim jo pazar, negociatë, opsion apo ia bëfsha racën, korrupsion! Plus kompania “Fusha” ka punuar për Sheshin edhe në kohën e hovit të Edi Ramës, edhe në kohën e pampersit të Lul Bashës, edhe në kohën time.

Për shembull, garanci punimesh ka dhënë edhe firma që bëri ndërtesën e UKT-së, të cilën bujarisht ia falëm SPAK-ut, madje thamë hallall se do bëjë punë të mira për drejtësinë e munguar. Tjetër mesele kjo, po ishalla s’është gjithë SPAK-u violinë e prishur, si ky kastraveci që më ra mua për hise, se pastaj i bie që të kemi nxjerrë sytë për të vënë vetulla.

3. Fusha ka marrë ‘këstin mujor të lotit të pastrimit’, e po pastaj?! Fusha ka bërë pastrimin në Tiranë që nga viti 2000 gjer në 2024, kur Bashkia e kaloi 100% si shërbim në kompani publike. Madje, siç doli në thertoren e Erjon Kasapit, Fusha ishte penalizuar sepse inspektorët e bashkisë kishin vërejtje mbi pastrimin e disa pikave. Pra, nuk ka marrë më shumë, ka marrë më pak, e nga vjet nuk ka marrë fare shërbim pastrimi. Kompania publike ‘Eco Tirana’, një bashkëpunim mes Tiranës-Veronës-Vicenzës, e shtetëzoi totalisht shërbimin privat”.

Veliaj reagoi sërish edhe për akuzat ndaj bashkëshortes së tij.

“Dhe për të gjitha këto “favore”, ky sipërmarrës i ka dhënë 9 mijë Euro për konsulencë juridike një të njohurës së gruas sime, e cila sipas Ols Violinës meqë njeh gruan time ka bërë korrupsion për mua që nuk e njoh, por që me mendjen e Nesti Dados ia kam dhënë Fushës gjithë sa më lart, për t’i marrë 9 mijë Euro përmes një të panjohure që njeh gruan time. Natyrisht, Olsi ka të gjithë imbecilitetin dhe malinjitetin ta fantazojë e ta shkruajë në emër të drejtësisë së re këtë skeç satirik në lëkurën time, por nuk ka kokërr prove ama, që ta mbështesë, përveç bindjes së tij absolute që ku ka një grua ka një dyshim të arsyeshëm.

Kuptuat gjë? Me siguri po thoni po flet përçart Lali, por jo, fatkeqësisht këto Lali i ka dëgjuar nga Kafka i tij atë ditë, kur i vajta në audiencën haluçinante, dhe i ka lexuar në dosjen që Kafka i dorëzoi Kasapit dhe Kasapi i vuri vulën e arrestit me burg”.

Ndërsa për prokurorin Ols Dado, Erion veliaj thotë: “Në vend të hakut njeh “hakmarrjen” për katet që s’i takonin kur telefononte me atë zërin si violinë në sordinë “o kryetar, si i bahet me atë lejen time?” dhe si kusur ai kupton shërbimet banale me letra anonime!

Të këshilluara

Moti, temperaturat zbresin në -5 gradë

Këtë të shtunë, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme. Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin. Pritet një tërheqje g...

08:56

Aksident në Librazhd, dy të plagosur

Një aksident është regjistruar pasditen e kësaj të premte në fshatin Dragostunjë në Librazhd. Një automjeti tip Hundai, me drejtues Edmond Terovën, është për...

17:40

ide

Një antihero i dëshpëruar i Homerit

Kryeministri ka përdorur mitin antik të Odiseut që nuk joshet nga sirenat, për të përçuar mesazhin se ai do të vazhdojë përpara pa pyetur për protestuesit. Por nëse nuk do e kish njohur veprën e Homerit vetëm përmes ekranizimit, do të kish gjetur tek kjo metaforë gjurmët e një autokrati

16:50 Andi Bushati

Fillimi i fundit të pushtetit të Ramës

Fillimi i fundit mund të jetë mu ky moment, kur piqet bindja e rrëzimit të një kryeministri a qeverie a rendi - pra të një lloj bindjeje se gjërat nuk do të kthehen aty ku ishin para se të fillonte protesta

09:47 Veton Surroi

MOTI TIRANA

20°c

KËMBIMI EURO

94.48

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI