Trajneri i Juventus, Thiago Motta, foli pas fitores së bardhezinjve ndaj Interit falë golit të Conceição. I kënaqur, por gjithmonë me këmbë në tokë, Motta analizoi në detaje paraqitjen e skuadrës së tij për DAZN, duke shpjeguar se ekipi i tij luajti një ndeshje me dy fytyra.
FJALËT E THIAGO MOTTA PAS JUVENTUS-INTER
Pas një pjesë të parë të vështirë, ashtu siç e kishte pranuar edhe në pushim, Juventus zhvilloi një pjesë të dytë shumë më të mirë: “Pa dyshim që energjia jonë ndryshoi. Pjesa e parë ishte e vështirë kundër një skuadre shumë të fortë, që luan një futboll të bukur. Ne i treguam shumë respekt kundërshtarit, u dhamë hapësirë dhe kohë për të ndërtuar lojën, për çdo pasim dhe kontroll topi. E dimë që ata janë një skuadër që lëviz shumë dhe ka cilësi. Në ndeshje të tilla, edhe ti duhet të mbash topin, të luash më mirë, dhe kjo është ajo që bëmë në pjesën e dytë.”
Lexo më tej: Humbi me Juventus, Lautaro Martinez mallkon në fund të ndeshjes! Rrezikon pezullimin
“Djemtë e mi janë të rinj, por kanë shumë cilësi. Në një sport kolektiv, të gjithë duhet të jenë të gatshëm, veçanërisht në ndeshje të këtij niveli. Khephren u detyrua të largohej nga fusha, por luajti shumë mirë, sidomos në pjesën e dytë. Ai doli për shkak të ngërçeve, diçka që e kishim parashikuar më parë për shkak të vështirësive në mesfushë. Në stol kishim një mesfushor si Manu, i cili mund të ndihmojë shumë. Hyri në një moment ku mund të kishte pasur vështirësi, por u fut shumë mirë në lojë, mbrojti në mënyrën e duhur, avancoi përpara dhe menaxhoi mirë topin, duke krijuar raste për sulmin, pikërisht atë që kërkonim.”
"NUK BESOJ SE ISHTE FAT"
“Fitore e rëndësishme? Në fund, fitoret sjellin besim dhe vetëdije për forcën që kemi. Është e qartë që për të arritur këto rezultate, duhet të luajmë mirë dhe ta meritojmë. Në pjesën e parë nuk e meritonim të fitonim, Interi ishte superior. Nuk besoj në fat, por edhe nëse ekziston, të ndihmon shumë pak dhe jo gjithmonë. Fitoret duhen merituar dhe këta djem e meritojnë për mënyrën si stërviten dhe si japin maksimumin çdo ditë. Kemi luajtur edhe ndeshje në transfertë ku kemi bërë më mirë që në minutën e parë. Sot pjesa e parë ishte e vështirë, treguam shumë respekt për kundërshtarin. Por në pjesën e dytë luajtëm futboll, bëmë presionin e duhur, rikuperuam topa dhe sulmuam. Kjo na jep besim dhe vetëdije se jemi në rrugën e duhur”.
FESTA PËR FITOREN NDAJ ISH-EKIPIT TË TIJ
“Nëse kjo fitore më bën të fitoj zemrën e tifozëve? Nuk kam asnjë ide për këtë, por qëllimi im është të përmirësoj skuadrën dhe të bëj punën time sa më mirë çdo ditë. Më pëlqen ajo që bëj, nuk e bëj këtë punë për t’i pëlqyer dikujt, por për kënaqësinë time personale, sepse e di që jemi në rrugën e duhur dhe po bëjmë gjërat siç duhet. Më pëlqen të shoh djemtë e mi duke vrapuar, luftuar dhe duke luajtur futboll të bukur për të arritur gjithmonë fitoren. Disa herë nuk ia kemi dalë, por sonte bëmë një punë të shkëlqyer dhe fituam me meritë. Mendoj se ekipi e meriton këtë, dhe mbi të gjitha, lojtarët meritojnë mbështetjen e tifozëve, sepse çdo ditë punojnë fort dhe japin gjithçka në fushë për të mirën e skuadrës dhe të Juventusit.”