Flash

BIRN: Lufta kundër pasurive të krimit të organizuar përballet me pengesa

Lapsi.al 14 February 2025
BIRN: Lufta kundër pasurive të krimit të organizuar

Në Shqipëri, lufta kundër pasurive të krimit të organizuar ka pësuar statistikisht rritje gjatë viteve të fundit, por menaxhimi i tyre po has në vështirësi, ndërsa mungojnë garancitë ligjore që pengojnë kthimin e këtyre aseteve në duart e grupeve kriminale.

Nga Klodiana Lala

Pastrimi i parave nga grupet e krimit të organizuar vlerësohet si një nga rreziqet kryesore për sigurinë dhe ekonominë e Shqipërisë, e megjithatë, vendi përballet me probleme të shumta në luftën kundër aseteve të paligjshme.

Edhe pse statistikisht numri i pasurive të sekuestruara apo të konfiskuara ka pësuar rritje gjatë viteve të fundit, institucionet po hasin vështirësi në administrimin e këtyre pasurive apo heqjen e tyre nga duart e krimit të organizuar.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, gjatë pesë viteve të fundit u sekuestruan apo konfiskuan asete me vlerë tregu prej rreth 182 milionë eurosh, të investuara kryesisht në biznesin e ndërtimit, në pasuri të paluajtshme apo në kompani tregtare.

“Rreth 70- 80% e hetimeve pasurore këtu çelen kryesisht ex-officio nga prokurorët, në bazë të hetimeve që ndjekin. Një ndihmesë jep edhe Policia e Shtetit nëpërmjet referimeve dhe prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm dhe po ashtu së fundmi, ka një rritje të kërkesave nga autoritetet gjyqësore të huaja me objekt kryerjen e hetimeve pasurore dhe konfiskime me subjekte shtetas shqiptarë që janë dënuar jashtë territorit të Shqipërisë për vepra që janë në kompetencën tonë,” thotë prokurorja e SPAK, Doloreza Musabelliu.

Përveç sektorëve tradicionalë të pastrimit të parave, Musabelliu thekson se krimi i organizuar po investon së fundmi edhe në kriptovaluta.

“Mund të them që vetëm në kuadër të hetimeve ndaj organizatës “Çopja” janë sekuestruar vlera të konsiderueshme pasurish të paluajtshme, biznese dhe llogari bankare. Po ashtu, janë sekuestruar kriptomonedha në vlerën 10 milionë USD,” shtoi Musabelliu.

Megjithatë, jo të gjitha pasuritë e sekuestruara menaxhohen nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre vazhdojnë të përdoren nga pronarët e mëparshëm.

Agjencia i tha BIRN se menaxhon aktualisht 2484 asete në total me një vlerë të llogaritur në 1.7 miliardë lekë ose më pak se 10% e vlerës së deklaruar nga SPAK. Mes tyre, 667 pasuri ose 27% të totalit nuk janë marrë ende nën administrim.

Probleme ligjore janë shfaqur gjithashtu me procedurat e dhënies me qira të apartamenteve të sekuestruara apo administrimin e kompanive të biznesit. Sipas një raporti të Kontrolli të Lartë të Shtetit, shqetësimi kryesor është se në disa raste, pronarët që janë subjekte të vendimeve gjyqësore, vazhdonin t’i administronin këto asete në mënyrë të kundraligjshme.

Raste të tilla pranohen edhe nga administratorët e pasurive të sekuestruara, të cilët thonë se janë duke ndërmarrë masa që dukuri të tilla të shmangen.

“Është një fenomen me të cilin janë përballur edhe agjencitë e tjera homologe në vendet e rajonit ose të Bashkimit Europian. Jo gjithmonë është e lehtë që të përballesh me persona të krimit të organizuar dhe t’i administrosh dhe t’i menaxhosh ashtu siç e kërkon ligji. Tentativat janë gjithmonë të shumta, por me bashkëpunimin e organeve përkatëse po marrim të gjitha masat e nevojshme për ta evituar gjithmonë e më shumë këtë fenomen,” thotë Indrit Karaj, administrator pranë Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

Bashkimi Europian sugjeron përdorimin për qëllime sociale të pronave të krimit të organizuar, por rezultatet në këtë drejtim kanë qenë të limituara. Përfaqësuesit e shoqërisë civile që monitorojnë këtë proces shprehin shqetësimin për mungesën e garancive ligjore që pengon rikthimin e këtyre pronave te anëtarët e grupeve kriminale.

“Arsyeja pse prej gati dy vjetësh në BE ka dalë një direktivë, e cila i shtyn shtetet drejt ripërdorimit social është pjesa e garancisë shumë të madhe që këto prona të mos kthehen indirekt te ish-pronari dhe në kuadrin ligjor, ka deficensa shumë të mëdha përsa i përket rolit të Agjencisë por edhe të Prokurorisë. Bëhet vetëm mbi bazën e vetëdeklarimit ; që unë nuk kam lidhje me X. Kjo është një deficensë shumë, shumë e madhe,” thotë Juliana Hoxha, drejtoresha ekzekutive e organizatës Partners Albania.

Sipas Hoxhës, rishikimi i kuadrit ligjor është i domosdoshëm për të forcuar luftën kundër aseteve të krimit të organizuar. /Marrë nga Reporter.al

Të këshilluara

Tiranë, aksident në "Don Bosko"

Një aksident rrugor ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Don Bosko të Tiranës. Aksidenti ka ndodhur pranë një shkolle në zonën e Don Boskos. Në aksident janë pë...

19:20

ide

Plaku me bastun, si antimodeli ndaj një pushteti të shurdhët

Ndarja e re teritoriale përpos problemeve të diskutueshme me pakësimin e bashkive po vërteton se kjo qeverisje e degraduar nuk ka më as vullnet as nerva për të dëgjuar qytetarët. Prandaj rruga e vetme e komunikimit me të mbetet ajo e ngritjes së shkopit

16:34 Andi Bushati

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

28°c

KËMBIMI EURO

92.53

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI