Flash

Zgjedhjet në Kosovë, KQZ pretendon mbylljen e numërimit brenda dy javëve

Lapsi.al 13 February 2025
Zgjedhjet në Kosovë, KQZ pretendon mbylljen e numërimit brenda dy

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka parashikuar të enjten se procesi i numërimit të të gjitha votave për kandidatë për deputetë, do të mund të zgjasë deri në dy javë, ndonëse nuk është bërë ndonjë vlerësim i saktë.

“Meqenëse nuk kemi filluar në të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit për të parë se si po shkon atje procesi, nuk e kemi bërë një vlerësim se sa do të zgjatet tërë procesi për t’u përmbyllur numërimi, por një e përafërt do të jetë 10 ditë, dy javë”, ka thënë Radoniqi.

Në mbledhjen e KQZ-së është bërë e ditur se tashmë ka nisur procesi i numërimit të votave për kandidatët për deputetë në 18 komuna, në tetë komuna numërimi pritet të nisë sot, ndërsa në 12 të tjera po bëhen përgatitje.

Kosova i ka mbajtur zgjedhjet e rregulla parlamentare më 9 shkurt.

Me Ligjin e ri për Zgjedhjet në Kosovë, të miratuar më 2023, votat për kandidatët për deputetë do të duhej të nisnin të numëroheshin në mëngjesin e 10 shkurtit, mirëpo zyrtarët e KQZ-së kanë përmendur problemet administrative si arsye për vonesat.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, ka thënë se shkaktarë për vonesat në numërim janë problemet në ofrim të shërbimeve të teknologjisë informative, siç është lidhja e kamerave me laptopë dhe monitorë.

Ai ka thënë se KQZ-ja është duke angazhuar profesionistë të teknologjisë informative nëpër këto komuna për të përmbushur aspektin e funksionalizimit.

Zyrtarë të KQZ-së i kanë bërë thirrje Buzhalës që të ketë gati një Plan B, në rast se sistemi do të vazhdojë të dështojë, apo të ketë probleme tjera me qasjen në të.

Ai ka garantuar që nëse në ditët në vijim problemet do të vazhdojnë të raportohen, atëherë KQZ-ja do t’i kthehet metodës së vjetër dhe do të hapë tender për t’i siguruar tre lloje formularësh, për të përmbyllur këtë proces sa më shpejt që është e mundur.

Megjithatë, zyrtarë të KQZ-së janë pajtuar njëzëri që të mos luftohet për shpejtësi, por për saktësi të rezultateve.

KQZ-ja është përballur me probleme me serverë edhe në ditën e zgjedhjeve, kur janë numëruar vetëm votat për subjekte politike. Disa kanë aluduar që faqja mund të ketë qenë shënjestër e ndonjë sulmi kibernetik.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se nuk ka informacione shtesë, pasi tani rasti i takon Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit.

Organizatat joqeveritare kanë fajësuar KQZ-në për problemet që kanë dalë prej nisjes së numërimit të votave.

Partitë në pushtet e kanë fajësuar Qeverinë, ndonëse ajo është kundërpërgjigjur, duke thënë se nuk është përgjegjëse për serverët e KQZ-së, dhe se softueri i është dhuruar KQZ-së nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ndërsa akuzat drejt ekzekutivit i ka konsideruar përpjekje të ulët “për të shkaktuar huti, me qëllim që të ulet besimi në procesin zgjedhor dhe në rezultatin e tij”.

Pas 99 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje prin me mbi 40 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës është e dyta me rreth 22 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës e treta me 17 për qind të votave, pasuar nga koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate me rreth 7 për qind të votave.

Asnjëra parti nuk i ka siguruar votat e nevojshme për të formuar Qeverinë – pasi nevojiten votat e 61 deputetëve – prandaj njohësit e çështjeve politike kanë paralajmëruar se Kosova mund të përballet me turbulenca politike në ditët dhe javët në vijim. /rel

Të këshilluara

ide

Plaku me bastun, si antimodeli ndaj një pushteti të shurdhët

Ndarja e re teritoriale përpos problemeve të diskutueshme me pakësimin e bashkive po vërteton se kjo qeverisje e degraduar nuk ka më as vullnet as nerva për të dëgjuar qytetarët. Prandaj rruga e vetme e komunikimit me të mbetet ajo e ngritjes së shkopit

16:34 Andi Bushati

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

35°c

KËMBIMI EURO

92.53

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI