Flash

“Shkoja në tualet 40 herë në ditë, e fsheha nga të gjithë”:Fitzwater rrëfen sëmundjen

Lapsi.al 10 February 2025
“Shkoja në tualet 40 herë në ditë, e fsheha nga
Jack Fitzwater është 27 vjeç dhe është në kulmin e karrierës së tij futbollistike. Mbrojtësi i lindur në Birmingham luan për Exeter City, klub që militon në League One, kategoria e tretë e futbollit anglez. Pas një fillimi sezoni nga stoli, Fitzwater – i cili iu bashkua Exeterit në verën e vitit 2023 – arriti të fitonte vendin e titullarit. Sot, kur më e keqja ka kaluar dhe ai ka arritur të dalë nga kjo situatë, Jack rrëfen se kishte menduar se karriera e tij ishte në rrezik kur nisi të shkonte në tualet gjithnjë e më shpesh, deri në 40 herë në ditë: një gjendje që e mbajti të fshehur nga të gjithë derisa nuk mundi më ta fshihte, duke u hapur më pas me familjen e tij.

Jack Fitzwater dhe shfaqja e sëmundjes së tij: “Shkoja në tualet 40 herë në ditë”

Jeta e tij ndryshoi dy vite më parë, kur filloi të vuante – siç do ta kuptonte vetëm më vonë – nga një formë e rëndë e kolitit ulçeroz, një sëmundje inflamatore e zorrëve. Fitzwater pranon se ishte aq i turpëruar nga vizitat e shpeshta në tualet, saqë përpiqej ta fshihte problemin nga të gjithë para se ta pranonte dhe ta përballonte, për të mësuar fillimisht se çfarë kishte dhe më pas për ta zgjidhur: “Ndodhi papritur në shkurt të vitit 2023. Simptomat u përkeqësuan vazhdimisht. Si burrë, përpiqesh ta fshehësh, kështu që askush nuk e vuri re deri në atë verë, pas përfundimit të sezonit, dhe në atë pikë simptomat ishin të tmerrshme. Vetëm atëherë kuptova që kisha kolit, një inflamacion të zorrëve që mund të shfaqet në çdo moshë dhe në çdo moment”. “Kur je futbollist, njerëzit mendojnë se je i ri, në formë dhe i shëndetshëm. Por privatisht, unë isha në vështirësi”, tregon mbrojtësi për The Sun. “Simptomat mund të përfshijnë gjak në jashtëqitje, lodhje ekstreme dhe një ndjenjë të përgjithshme keqësie. Në momentin më të keq, shkoja në tualet 40 herë në ditë. Njerëzit mendojnë se është një problem psikologjik, por kushdo që vuan nga koliti ose sëmundja e Crohn-it e kupton që është diçka reale. Nuk është vetëm rraskapitëse mendërisht, por edhe fizikisht”. Fitzwater arriti të vazhdonte të stërvitej dhe të luante ndeshjet, pavarësisht shqetësimeve, ndërkohë që shokët e skuadrës nuk e kuptonin problemin e tij. Por nuk ishte aspak e lehtë: “Ndonjëherë, gjatë nxehjes para ndeshjes, duhej të largohesha me vrap për të shkuar në tualet. Megjithatë, arrita të luaja në një nivel të mirë pavarësisht dhimbjes, por kishte raste kur qëndroja zgjuar për orë të tëra gjatë natës, kështu që të zgjohesha në mëngjes ishte një makth”.
 
View this post on Instagram
 

A post shared by Jack Fitzwater (@jack_fitzwater)

Futbollisti anglez e mbajti të fshehur sa mundi: “E dashura filloi ta vërente”

Edhe pse për një periudhë arriti ta mbante sekret problemin e tij nga shokët e skuadrës, në jetën e tij private nuk mund ta bënte më, pasi në shtëpi shkonte në tualet aq shpesh sa nuk mund ta fshihte më: “E dashura dhe familja ime filluan ta vërenin, kështu që duhej t’ua tregoja. Secili i përballon gjërat në mënyrën e tij. Unë e fsheha sepse jam burrë, dhe nuk doja të tregoja dobësi ndaj askujt dhe asgjëje. Por më vonë kupton që kur e pranon dhe flet me njerëzit që të duhen, problemi zgjidhet më shpejt sesa po ta mbash gjithmonë të fshehtë. Për mua ishte e vështirë dhe e turpshme, por kushdo që ka kaluar këtë përvojë e di sa e tmerrshme është. Fatmirësisht, më në fund e dëgjova trupin tim, shkova te mjekët dhe mora trajtimin e duhur”.

Lexo më tej: Rodriguez braktis futbollin, del i vetëm në konferencë: “Kanceri është rikthyer”

Një nga mësimet më të rëndësishme që Fitzwater ka nxjerrë nga kjo përvojë është të mos kërkojë përgjigje dhe zgjidhje në internet: “Gjëja më e keqe ishte të hyja në Google dhe të kërkoja informacion. Gjeta disa profile në Instagram të njerëzve që kishin kaluar të njëjtën gjë dhe ndanin përvojat e tyre. Përfundon duke menduar skenarin më të keq, por sapo e kupton për çfarë bëhet fjalë, e pranon dhe e kupton që mund të trajtohet në mënyrë efektive. Që kur e kam treguar dhe kam shpjeguar se çfarë është dhe çfarë po bëj për ta menaxhuar, kjo ka ndihmuar shumë njerëz. Shumë më kanë dërguar mesazhe dhe kanë shkuar të kurohen. Klubi, drejtuesit, trajnerët dhe shokët e skuadrës kanë qenë të mrekullueshëm. Fillimisht, vetëm fizioterapistët dhe mjekët e dinin. Të gjithë kanë qenë mbështetës dhe më kanë bërë pyetje për sëmundjen, sepse nuk kishin asnjë ide se çfarë ishte. Dhe pastaj, si në futboll, gjithçka kalon dhe jeta kthehet në normalitet”.

Pas 18 muajsh, Fitzwater ndihet sërish në formë: “Duhet të marr ilaçe çdo ditë për gjithë jetën”

Pas 18 muajsh nga shfaqja e sëmundjes, Fitzwater tani ndihet në formë dhe i shëndetshëm, duke dhënë kontributin e tij për të ndihmuar Exeter City, që ndodhet në zonën e rrezikut në League One: “Duhet të marr ilaçe çdo ditë dhe do ta bëj këtë për gjithë jetën time. Tani ato janë pjesë e rutinës sime të mëngjesit. I marr bashkë me vitaminat e mia. E gjithë çështja është të qëndroj sa më i shëndetshëm dhe të shijoj futbollin”.

Të këshilluara

ide

Protesta që vrau piktorin dhe prezantoi noterin e krimit

Mjaftoi një muaj marshimi i flamingove për të retushuar në shtypin botëror imazhin e politikanit artist dhe për ti mbivendosur atij portertin e njeriut që lidhi familjen e presidentit të SHBA me një trafikant kokaine

05:06 Andi Bushati

A do prodhojë protesta të njëjtat pasoja si për Vuçiçin?

Shqipëria ka shansin që të vazhdojë rrugëtimin që po e bën Serbia me lëvizjen studentore dhe ta ripërsërisë formën e pushtetit apo që të përbashkojë energjitë e të gjithëve-Qeveri, SPAK, BE, Lëvizja Flamingo-drejt një caku tjetër

09:18 Veton Surroi

MOTI TIRANA

34°c

KËMBIMI EURO

93.88

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI