Flash

Konflikt i hapur: Policia ndjek penalisht shefin e garave, FSHF kërcënon me bojkot

Lapsi.al 10 February 2025
Konflikt i hapur: Policia ndjek penalisht shefin e garave, FSHF

Fajin nuk e do askush… e kjo nuk është diçka e re, por incidentet e ndodhura para dhe gjatë derbit kryeqytetas kanë ngritur shumë pikëpyetje, mbi të gjitha mbi organizimin e një ngjarje të tillë, institucionalisht duke folur. Të gjithë kanë një version të tyre, e pas klubit të Partizanit, ka reaguar edhe Policia e Shtetit e tani edhe FSHF.

Vetëm pak orë pasi Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë doli me një qendrim të fortë, shoqëruar edhe me veprime: procedimin penalisht të disa shtetasve për veprime të dhunshme gjatë ndeshjes dhe gjithashtu procedimin në gjendje të lirë për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhërit të policisë së rendit publik” dhe “Shpërdorim i detyrës” i sekretarit të përgjithshëm të K.F. Partizanit, Gerald Burba dhe shefi i garave në FSHF e delegat i ndeshjes Marjus Sulejmani, ka qenë radha e Federatës.

Institucioni që drejton futbollin shpreh keqardhje për incidentet e ndodhura dhe lëndimin e disa tifozëve dhe efektivëve të policisë, por thekson se këto incidente erdhën si pasojë e mungesës së përgjegjësisë nga ana e zyrtarëve të policisë. FSHF i ka "kujtuar" memorandumin e bashkëpunimit, duke paralajmëruar se nëse kjo lloj qasjeje do të vazhdojë edhe në të ardhmen, Federata është e detyruar të rishikojë qëndrimin e saj dhe të marrë masa ekstreme deri në pezullimin e garave kombëtare të futbollit për një afat të pacaktuar.

Komunikatë për mediat e Federatës Shqiptare të Futbollit

Federata e Futbollit dëshiron të sqarojë opinion publik në lidhje me sjelljen dhe qëndrimin e Policisë së Shtetit në ndeshjen e kategorisë “Abissnet Superiore”, Partizani-Tirana të luajtur në stadiumin “Arena e Demave” të dielën. Federata ka ndjekur të gjitha procedurat dhe protokollin standard për organizimin e ndeshjes, duke vënë në dijeni përmes shkresave Policinë e Shtetit dhe në bashkëpunim me klubin e Partizanit, që ishte pritës, ka marrë masat përkatëse për sigurinë e ndeshjes dhe me shoqërinë private të sigurisë fizike.

Dëshirojmë të sjellim në vëmendje se Ligji për Sportin Nr. 105/2020 i ndryshuar në nenin 51 thotë se “ruajtja e rendit dhe e sigurisë publike në mjediset sportive është detyrë institucionale e organeve të Policisë së Shtetit”. Përveç ligjit për sportin, vitin e kaluar është firmosur një memorandum bashkëpunimi mes Federatës së Futbollit dhe Ministrisë së Brendshme, që e bën të qartë se Policia e Shtetit “merr përsipër ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në stadiumet dhe mjediset sportive”. Sipas këtij memorandumi, Ministria e Brendshme, në bashkëpunim me FSHF-në, harton dhe zbaton masa shtesë sigurie për të garantuar sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve, spektatorëve dhe palëve të interesuara, nëpërmjet Policisë së Shtetit.

Lexo më tej: Dhuna në derbin Partizani-Tirana, në pranga tre tifozë

Për t’u kthyer te derbi i të dielës, Policia e Shtetit ka mbërritur me vonesë në stadiumin e Partizanit, duke lënë hapësirë për përplasjen e tifozerive jashtë stadiumit, siç duket qartë pa asnjë plan masash, që zakonisht bëhet publik gjithmonë para ndeshjeve derbi. Madje, Policia nuk mori përsipër fillimisht për të shoqëruar ekipin e Tiranës drejt stadiumit, gjë që solli edhe shtyrjen e ndeshjes me 30 minuta.

Siç u pa, në momentin që forcat e policisë erdhën në stadium dhe morën kontrollin e situatës, duke bërë detyrën e tyre, nuk pati incidente mes tifozëve. Gjithashtu, u konfirmua se stadiumi i Partizanit është i përshtatshëm për të pritur ndeshje të këtij niveli dhe mjafton që policia të kryejë detyrën e vet funksionale që ia ngarkon ligji për të siguruar rendin në mjediset sportive. Federata shpreh keqardhje për incidentet dhe për lëndimin e disa tifozëve dhe efektivëve të policisë, por thekson se këto incidente erdhën si pasojë e mungesës së përgjegjësisë nga ana e zyrtarëve të policisë.

Ky në fakt nuk është rasti i parë kur Policia e Shtetit refuzon të bëjë detyrën dhe të bashkëpunojë me klubet dhe Federatën, pasi edhe në raste të tjera nuk ka pranuar të marrë përsipër sigurinë e ndeshjeve për arsye të pabazuara. Dhe pavarësisht se përmes shkresave kanë refuzuar të bëjë detyrën, sërish efektivët e Policisë së Shtetit janë paraqitur para ndeshjeve dhe kanë marrë kontrollin e rendit dhe sigurisë. Federata është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha institucionet për mbarëvajtjen e aktiviteteve dhe garave sportive. Por nëse kjo lloj qasjeje do të vazhdojë edhe në të ardhmen, FSHF është e detyruar të rishikojë qëndrimin e saj dhe të marrë masa ekstreme deri në pezullimin e garave kombëtare të futbollit për një afat të pacaktuar.

Komunikata e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë

Në lidhje me pretendimet mbi mbarëvajtjen e ndeshjes dhe masat e marra, Policia e Tiranës ka sqaruar se: Pas marrjes së kërkesës për marrje masash më datë 03 shkurt nga K.F. Partizani, ka njoftuar organizatorët më datë 04 shkurt se stadiumi “Arena e Demave” nuk plotësonte kushtet e sigurisë për zhvillimin e një ndeshjeje derbi, duke krijuar rrezik për incidente të mundshme. Pavarësisht këtij njoftimi dhe mungesës së një përgjigjeje zyrtare nga organizatorët, Policia e Tiranës mori masa për të shmangur përshkallëzimin e situatës, duke angazhuar 276 punonjës policie, të mbështetur nga 8 grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë”.

Një indikacion i qartë se derbi për ta nuk duhej zhvilluar në Tufinë, duke i dhënë përgjigje edhe vonesës së mbërritjes së autobusit të Tiranës në impiantin e ndeshjes: “Përpjekjet e Policisë së Tiranës për të mbajtur situatën nën kontroll kanë qenë maksimale, por mbetet e qartë se mungesa e bashkëpunimit nga organizatorët dhe infrastruktura e papërshtatshme e ka vështirësuar ndjeshëm detyrën e policisë, duke e rënduar ngarkesën operacionale dhe duke ekspozuar efektivët ndaj rreziqeve të panevojshme. Po ashtu, situata e krijuar ka rrezikuar jo vetëm punonjësit e policisë, por edhe sportdashësit, lojtarët dhe të gjithë të pranishmit në stadium, të cilët mund të ishin ekspozuar ndaj akteve të dhunshme dhe pasojave të mundshme të tyre”. Kjo situatë ka sjellë arrestimin në flagrancë për veprime të dhunshme të tre personave dhe procedimin në gjendje të lirë të 5 shtetasve të tjerë.

Të këshilluara

ide

Protesta që vrau piktorin dhe prezantoi noterin e krimit

Mjaftoi një muaj marshimi i flamingove për të retushuar në shtypin botëror imazhin e politikanit artist dhe për ti mbivendosur atij portertin e njeriut që lidhi familjen e presidentit të SHBA me një trafikant kokaine

05:06 Andi Bushati

A do prodhojë protesta të njëjtat pasoja si për Vuçiçin?

Shqipëria ka shansin që të vazhdojë rrugëtimin që po e bën Serbia me lëvizjen studentore dhe ta ripërsërisë formën e pushtetit apo që të përbashkojë energjitë e të gjithëve-Qeveri, SPAK, BE, Lëvizja Flamingo-drejt një caku tjetër

09:18 Veton Surroi

MOTI TIRANA

34°c

KËMBIMI EURO

93.88

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI