Tre tifozë janë arrestuar pasi kryen veprime të dhunshme në derbin Partizani-Tirana. Ka pasur disa procedime, ku mes tyre është edhe sekretari i përgjithshëm i K.F. Partizani, shtetasi me iniciale G.B., dhe delegati i ndeshjes nga FSHF, shtetasi M. S.
"Procedohen penalisht disa shtetas për veprime të dhunshme gjatë ndeshjes së futbollit të zhvilluar ditën e djeshme në “Arena e Demave”, Tufinë.
Procedohen penalisht edhe dy përfaqësues të K.F. Partizani dhe FSHF-së.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në kuadër të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, ishin të dislokuara në perimetrin e stadiumit “Arena e Demave” në Tufinë, si dhe në rrugën që të çon drejt tij, rreth 1 orë e 30 minuta përpara fillimit të ndeshjes, me qëllim menaxhimin e fluksit të tifozëve dhe sigurimin e rendit. Shërbimet e policisë morën masa për shoqërimin e dy tifozërive drejt stadiumit, si dhe të autobusit me lojtarët e ekipit mik.
Gjatë procesit të hyrjes së tifozëve dhe para fillimit të ndeshjes, u shënuan disa incidente mes dy tifozërive, të cilat kërkuan ndërhyrjen e menjëhershme të policisë për neutralizimin e situatës dhe parandalimin e përshkallëzimit të dhunës.
Ndeshja u zhvillua pa incidente gjatë lojës, megjithatë, për shkak të tensioneve të krijuara më herët, u identifikuan disa shtetas të përfshirë në akte dhune, të cilët u shoqëruan nga policia në bashkëpunim me shërbimet e sigurisë private (SHPSF).
Në përfundim të veprimeve hetimore:
• U arrestuan në flagrancë për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë së Rendit Publik dhe “Veprime të dhunshme në aktivitete sportive” shtetasit: E. I., 26 vjeç, E. V., 31 vjeç dhe L. I., 29 vjeç.
• U proceduan në gjendje të lirë për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Veprime të dhunshme në aktivitete sportive” shtetasit: M. S., 31 vjeç, A. Q., 23 vjeç, I. Xh., 37 vjeç, R. B., 30 vjeç dhe A. R., 17 vjeç.
• Gjithashtu, u proceduan në gjendje të lirë për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhërit të policisë së rendit publik” dhe “Shpërdorim i detyrës” sekretari i përgjithshëm i K.F. Partizani, shtetasi G. B dhe delegati i ndeshjes nga FSHF, shtetasi M. S.", njofton policia.