Flash

Dje dhe sot/ Si i harroi Edi Rama premtimet për çmimet e ushqimeve

Lapsi.al 6 February 2025
Dje dhe sot/ Si i harroi Edi Rama premtimet për çmimet e ushqimeve

Ende nuk e kanë zbuluar një politikan që t‘i ketë rezistuar premtimeve bombastike në fushatë, por amnesia që i kap në Shqipëri pasi marrin pushtetin, ka në thelb vetëkënaqësinë se vota është e sigurtë në një mënyrë a tjetër, por jo përmes premtimeve të mbajtura, llogaridhënies apo bilancit qeverisës.

Kapërcime të memories gjen plot në rubrikën e re të komunikimit që Edi Rama ka nisur me votuesit në rrjetet sociale, të quajtur “Sy m’sy”. (KLIKO KETU)

Ky komunikim direkt me popullin e rrjeteve sociale është një metodë e konfirmuar e politikanëve, që duan të shmangin filtrat e llogaridhënies nëpërmjet ballafaqimit me gazetarët apo kundërshtarët politikë. Por edhe kështu, kur kryeministri flet vetëm për vetëm nga zyra e tij, është e pamundur të mos dallosh diferencat e Edi Ramës në opozitë, me atë që qeveris prej 12 vitesh.

Kush i ka harruar premtimet e opozitës socialiste për uljen e çmimeve, mund t’i rigjejë në videon më poshtë. Me zë dhe figurë, atëherë Rama premtoi para shqiptarëve heqjen e taksës 20% të tvsh për ushqimet bazë, buka, veza, djathi etj.

Ishte një nga premtimet kryesore që i sollën socialistët në pushtet. Para vitit 2013, nuk dëgjohej askund për faljen e taksave për bizneset e mëdha, uljen e dividentit nga 15 në 7% për pronarët e kompanive multi-milionëshe, faljen për ndërtuesit e kullave që kishin kate pa leje, përfitimet për investitorë strategjikë etj.

Përkundrazi, flitej për uljen e çmimit të naftës, të ushqimeve bazë, për punësim dhe për tregje të lira.

Me kalimin e viteve, çmimet e ushqimeve bazë u rritën ndjeshëm. Në veçanti, dy vitet e fundit, për shkak të luftës në Ukrainë, çmimet patën një lëvizje që u ndje direkt në xhepat e qytetarëve.

I njëjti fenomen ndodhi në të gjithë botën, por meqënëse Shqipëria e bazon konsumin në mallrat e importit, qytetarët ndjenë menjëherë efektet e lëvizjes në tregjet globale.

Megjithatë, të dhënat e INSTAT bënë me dije këto ditë se çmimet e ushqimeve bazë të importuara nga jashtë kanë pësuar një ulje prej 7%.

Shkak janë bërë dy faktorë; së pari zhvlerësimi i euros që tashmë është nënçmuar në nivele rekord dhe i favorizon importuesit e ushqimeve; së dyti ulja e çmimeve ka ndodhur në të gjithë botën, pas një stabilizimi të situatës, edhe pse lufta në Ukrainë vazhdon prej dy vitesh.

Por ndryshe nga e gjithë bota, në Shqipëri, çmimet mbetën njësoj të shtrenjta. Ulja është e papërfillshme, në mos nuk ka ndodhur fare. Thjesht, importuesit po fitojnë më shumë.

Tregu në Shqipëri e reflektoi menjëherë rritjes së çmimit të mallrave të importit, por nuk reagoi kur çmimet u ulen.

Dhe çfarë bën qeveria në këtë rast? Si i përgjigjet kryeministri Edi Rama ankesave të qytetarëve?

Shikoni videon më poshtë, shkëputur nga rubrika “Sy m'sy” e Edi Ramës. Ka 12 vjet në pushtet, por thotë se s'mund të bëjë asgjë për t'i ndihmuar qytetarët. Ndryshe nga çfarë thoshte kur ishte në opozitë, tani Rama thotë se e vetmja detyrë është të rrisë pagat dhe fuqinë blerëse.

Madje për t'iu spërdredhur përgjegjësisë vënë në dyshim ankesat e qytetarëve që jetojnë çdo ditë në Shqipëri dhe merr për bazë fjalët e turistëve që qëndrojnë vetëm pak ditë në vendin tonë dhe thonë se çmimet janë të ulta.

E vërteta është që kryeministri është i ndërgjegjshëm për rritjen e çmimit të ushqimeve bazë. Në fund të fundit, të dhënat statistikore janë bërë publike nga INSTAT.

Vetëm se nuk i leverdis të pranojë se pas 12 vitesh qeverisje, tregjet e mallrave të importit janë kapura, bujqësia është e pafuqishme për të përballuar nevojat e vendit, ndërsa premtimet që e sollën në pushtet, i ka marrë era. Gjithë sa mbeten janë filmimet krahasuese, që megjithatë nuk ia kthejnë dot memorien e cunguar./Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

20°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI