Flash

Dokumentat e skaduara të vlefshme edhe pas 11 majit për emigrantët

Lapsi.al 5 February 2025
Dokumentat e skaduara të vlefshme edhe pas 11 majit për

Në prag të zgjedhjeve parlamentare të planifikuara për 11 maj 2025, qeveria ka shpallur dy akte normative të reja që zgjasin afatin e vlefshmërisë së pasaportave dhe të letërnjoftimeve elektronike për qytetarët shqiptarë me vendbanim jashtë vendit.

Këto masa janë miratuar në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës dhe me propozimin e ministrit të Brendshëm, dhe kanë efekt vetëm për të siguruar të drejtën e votimit në zgjedhjet e Kuvendit, të shpallura me dekretin nr.399, datë 5.12.2024, nga Presidenti i Republikës.

Sipas aktit normativ për ligjin nr.8668, “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetin”, afati i vlefshmërisë së pasaportave, i cili përfundonte më 11 maj 2025, do të zgjatet deri më 31 maj 2025. Ngjashëm, në aktin normativ për ligjin nr.8952, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik do të zgjatet në të njëjtën datë – deri më 31 maj 2025 – për qytetarët që kanë vendbanim jashtë vendit dhe janë votues në zgjedhjet parlamentare.

Zgjerimi i afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit siguron që qytetarët e diasporës, të cilët shpesh përballen me pengesa administrative, të kenë mundësinë e plotë për të marrë pjesë në zgjedhjet e 11 majit 2025.

Vendimi i plotë:

AKT NORMATIV

PËR

NJË SHTESË NË LIGJIN NR.8668, DATË 23.10.2000, “PËR PAJISJEN E SHTETASVE SHQIPTARË ME PASAPORTË PËR JASHTË SHTETIT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Neni 1

Pas nenit 14/3, të ligjit nr.8668, datë 23.10.2000, “Për pajisjen e shtetasve shqiptarë me pasaportë për jashtë shtetit”, të ndryshuar, shtohet neni 14/4, me këtë përmbajtje:

“Neni 14/4

Dispozitë kalimtare

Afati i vlefshmërisë së pasaportave të shtetasve shqiptarë, që përfundon deri në datën 11 maj 2025, zgjatet deri në datën 31 maj 2025 për shtetasit me vendbanim jashtë vendit, votues në zgjedhjet për Kuvendin, të shpallura me dekretin nr.399, datë 5.12.2024, të Presidentit të Republikës.

Kjo zgjatje e afatit të vlefshmërisë së pasaportave ka efekt vetëm për ushtrimin e së drejtës për të zgjedhur në datën 11 maj 2025.”.

Neni 2

Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

***

AKT NORMATIV

PËR

NJË SHTESË NË LIGJIN NR.8952, DATË 10.10.2002, “PËR LETËRNJOFTIMIN ELEKTRONIK TË SHTETASVE SHQIPTARË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Neni 1

Pas nenit 9/4, të ligjit nr.8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar, shtohet neni 9/5, me këtë përmbajtje:

“Neni 9/5

Dispozitë kalimtare

Afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik, që përfundon deri në datën 11 maj 2025, zgjatet deri në datën 31 maj 2025 për shtetasit me vendbanim jashtë vendit, votues në zgjedhjet për Kuvendin, të shpallura me dekretin nr.399, datë 5.12.2024, të Presidentit Republikës.

Kjo zgjatje e afatit të vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik ka efekt vetëm për ushtrimin e së drejtës për të zgjedhur në datën 11 maj 2025.”.

Neni 2

Hyrja në fuqi

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Të këshilluara

ide

Plaku me bastun, si antimodeli ndaj një pushteti të shurdhët

Ndarja e re teritoriale përpos problemeve të diskutueshme me pakësimin e bashkive po vërteton se kjo qeverisje e degraduar nuk ka më as vullnet as nerva për të dëgjuar qytetarët. Prandaj rruga e vetme e komunikimit me të mbetet ajo e ngritjes së shkopit

16:34 Andi Bushati

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

26°c

KËMBIMI EURO

92.53

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI