Në koleksionin e sendeve personale të Sven-Göran Eriksson, të vëna në ankand nga familja e tij, përfshihen edhe medaljet e fituara me Lazion (ato të titullit kampion dhe të Kupës së Italisë). Me një çmim fillestar prej vetëm 9 eurosh (siç është caktuar nga shtëpia e ankandeve), kushdo mund t’i bëjë të vetat, për aq kohë sa nuk ka një ofertë më të lartë.
Pothuajse gjithçka është nxjerrë në shitje për një arsye të thjeshtë: nevojiten para, dhe shumë, për të mbuluar borxhet e shumta që ish-trajneri ka lënë pas dhe për të cilat nuk ishte as në dijeni. Shuma arrin në rreth katër milionë euro, të akumuluara edhe për shkak të një mashtrimi të kryer nga ish-agjenti i tij financiar. Vetëm një pjesë e kësaj borxhi mund të shlyhet duke shitur pasuri të tjera që janë pjesë e pronësisë së tij. Tani është koha për të mbledhur fonde.
Si arriti të përfundojë në këtë situatë të vështirë?
Eriksson e pranoi vetë në vitin 2017 se nuk kishte kushtuar vëmendjen e duhur menaxhimit të financave të tij. “Nuk kam ide sa para kam dhe ku ndodhen,” – ishte fraza që shpjegon sesi ai u bë viktimë e njerëzve që vepruan në hije duke manipuluar fondet e tij.
Lexo më tej: Eriksson i sëmurë rëndë le mesazhin prekës të lamtumirës: "Mos u trishtoni, buzëqeshni"
Vdekja e ish-trajnerit, i cili ndërroi jetë në moshën 76-vjeçare nga kanceri në pankreas, nxori në dritë të gjitha problemet financiare. Hetimi i fundit nga Agjencia Suedeze e Tatimeve përforcoi krizën, duke çuar në vendimin për të shitur pasurinë e tij luksoze pranë liqenit, ku kaloi vitet e fundit të jetës, për një çmim rreth 2 milionë euro. Dhe ky është vetëm fillimi.

Sendet më të çmuara për ankand
Ndër objektet e vëna në ankand janë edhe disa xhaketa të markës Armani, të cilat ai i veshi gjatë periudhës kur ishte trajner i Anglisë, si dhe pllakat përkujtimore nga Federata Angleze e Futbollit për disa nga ndeshjet më të rëndësishme të karrierës së tij, përfshirë fitoren e famshme 5-1 kundër Gjermanisë në vitin 2001. Adhuruesit dhe koleksionistët kanë një gamë të gjerë zgjedhjesh, mjafton të kenë mjaftueshëm para për të blerë një nga rreth 100 sendet që janë në dispozicion, duke përfshirë edhe katër volumet e ditarëve të tij, një përmbledhje e eksperiencës së tij me Kombëtaren Angleze.

Por ndoshta objekti më intrigues dhe i kërkuar është një kostum Armani, të cilin Eriksson e veshi në ndeshjen e 1/8-ve të finales së Kupës së Botës 2006. Përveç cilësisë së lartë të punimit (me emrin e tij të qëndisur në brendësi të xhaketës), ajo që u gjet në xhepat e tij e bën edhe më të veçantë: një biletë fluturimi e Lufthansa-s, një fletë taktike që përmban formacionin e Anglisë dhe strategjinë për ndeshjen kundër Ekuadorit, si dhe çelësi i dhomës së tij në Welcome Hotel të Essenit. Një objekt i çmuar për tifozët e pasionuar të futbollit anglez.