Zero goditje në portë në pjesën e parë, një në të dytën. Fabio Capello nuk i kursen kritikat ndaj Juventusit pas barazimit 0-0 në fushën e Club Brugge në Champions League, duke e cilësuar lojën dhe zgjedhjet taktike të Thiago Mottës si të pakuptueshme. Një rezultat që i siguron bardhezinjve kalimin në fazën e “playoff”-it, por që i përjashton përfundimisht nga mundësia për një kualifikim të drejtpërdrejtë në mesin e tetë skuadrave më të mira.
“Nga sulmuesit pres më shumë,” tha Motta pas ndeshjes, duke pranuar se vetëm Mbangula tregoi diçka më shumë, ndërsa pjesa tjetër e repartit ofensiv – Gonzalez, Weah, Yildiz, Vlahovic dhe Conceiçao – nuk arriti të bënte diferencën. Për më tepër, gabimi i pabesueshëm i Nico Gonzalez përpara portës u bë simbol i vështirësive që po kalon skuadra torineze në gjetjen e golit.
Capello analizoi me tone të ashpra këtë mungesë kreativiteti në sulm: “Zero goditje në portë, shumë zotërim topi… Të paktën në pjesën e parë. Në të dytën provuan diçka më shumë, por nuk kuptoj pse Vlahovic nuk u aktivizua më herët,” tha ai në Sky Sport, gjatë bisedës me Condò dhe Di Canio.
Lexo më tej: Barcelona fiton një ndeshje të pabesueshme në Lisbonë: ngec Juventus, fiton Atletico
Ish-trajneri shtoi më tej një kritikë të drejtpërdrejtë ndaj Mottës, duke theksuar se skuadra nuk po prodhon raste të rrezikshme: “Përgjegjësia është e gjitha e trajnerit. Juventusi i tij luan shumë me pasime të vogla dhe driblime, por krijon shumë pak raste të pastra. Nuk krosin mjaftueshëm. Po, Manchester City ka Haaland, por të paktën përpiqen të gjuajnë… Ky Juventus është steril në sulm,” përfundoi Capello, duke nënvizuar edhe një herë vendimin e pashpjegueshëm për të mos aktivizuar më herët Vlahovic.