Flash

Ministri gjerman: Aleatët europianë të zbatojnë objektivat e reja të NATO-së

Lapsi.al 14 January 2025
Ministri gjerman: Aleatët europianë të zbatojnë objektivat e

Gjermania, Polonia, Britania, Franca dhe Italia do të zbatojnë sa më shpejt që të jetë e mundur objektivat e reja të NATO-s lidhur me armët dhe numrin e trupave, për të cilat Aleanca pritet të bjerë dakord, u zotua të hënën ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius.

Kreu i Komitetit Ushtarak të NATO-s, admirali Rob Bauer, i tha më herët agjencisë së lajmeve Reuters se NATO synon të marrë një vendim mbi objektivat e reja për armët dhe numrin e trupave këtë verë.

Aleanca ushtarake dhe politike perëndimore ka qenë nën trysni jo vetëm pas sulmit rus në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës në vitin 2022, por edhe së brendshmi, mes thirrjeve të presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për të rritur nivelin e shpenzimeve ushtarake nga vendet anëtare.

Ministrat e mbrojtjes të NATO-s do të përpiqen të arrijnë një marrëveshje për objektivat e aftësive të reja disa javë përpara se udhëheqësit e tyre të takohen në Hagë më 24-26 qershor, tha për Reuters admirali holandez Rob Bauer.

Në takimin e nivelit të lartë në Hagë do të diskutohet gjithashtu për rritjen e objektivit ekzistues të shpenzimeve ushtarake të NATO-s prej 2 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, në 3 për qind, i paraqitur nga disa ekspertë si një objektiv i ri i mundshëm. Trump, i cili kthehet në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar, kohët e fundit kërkoi një objektiv të ri shpenzimesh të mbrojtjes në nivel prej 5 për qind.

Duke folur pas një takimi me 4 homologët e tij në qytezën polake Nowa Wies, Pistorius mirëpriti vendimin e NATO-s për të arritur një marrëveshje për objektivat e reja të aftësive të Aleancës në qershor, dhe jo në tetor, sikurse ishte parashkuar, një lëvizje që siç tha ai ishte nxitur nga Gjermania. “Në këtë mënyrë fitojmë kohë dhe ne mund të fillojmë shumë më herët zbatimin e objektivit,” u tha Pistorius gazetarëve.

“Pyetja thelbësore për mua është: Sa shpejt arrijmë ne … çdo aleat, të përmbushim objektivat e reja të NATO-s? … Sa shpejt jemi plotësisht në gjendje të mbrohemi kur është e nevojshme?” tha Pistorius.

Ministri i Mbrojtjes së Francës, Sebastien Lecornu, tha se buxhetet ushtarake do të vazhdojnë të rriten, por nuk dha një shifër për një objektiv të ri të NATO-s. “Gjendja është më e keqe se sa gjatë Luftës së Ftohtë… Ne mund të mposhtemi pa u pushtuar”, tha ai, duke iu referuar sulmeve kibernetike.

Ministri polak i Mbrojtjes Wladyslaw Kosiniak-Kamysz tha se në takimin e ardhshëm të grupit të pesë vendeve në Paris do të diskutohet mbi financimin e Aleancës dhe zhvillimin e industrisë së armëve në Europë./VOA

Të këshilluara

Milanoviç rizgjidhet president i Kroacisë

Zoran Milanoviç ka fituar mandatin e dytë si president i Kroacisë të dielën, sipas rezultateve të para pas numërimit të 98.65 për qind të votave. Milanoviç, nga...

08:51

ide

Fillimi i fundit të pushtetit të Ramës

Fillimi i fundit mund të jetë mu ky moment, kur piqet bindja e rrëzimit të një kryeministri a qeverie a rendi - pra të një lloj bindjeje se gjërat nuk do të kthehen aty ku ishin para se të fillonte protesta

09:47 Veton Surroi

MOTI TIRANA

27°c

KËMBIMI EURO

94.48

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI