Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Vlorë. Sipas informacionit paraprak të dhënë nga policia, personi që ka mbetur i vrarë me armë zjarri është identifikuar si shtetasi Kristjan Marku, me origjinë nga Rrësheni.
Nga të dhënat e para mësohet se viktima rezulton me precedent të mëparshëm penal.
Ndaj tij rëndonin akuzat për “Vrasje me dashje në bashkëpunim mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”.
NJOFTIMI
Rreth orës 18:15, në afërsi të fshatit Novoselë, në autostradën Fier-Vlorë, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin Kristjan Marku, 30 vjeç, i cili ka humbur jetën.
Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të Policisë së DVP Vlorë dhe grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë Njësia Fier. Vijon krehja e zonës dhe kontrollet për kapjen e autorëve.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë intensivisht hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, me qëllim dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.