Flash

Metafora 431 milion lekë për urimin e vitit të ri nga Edi Rama

Lapsi.al 1 January 2025
Metafora 431 milion lekë për urimin e vitit të ri nga Edi Rama

[audio mp3="https://cdnimpuls.com/lapsi.al/wp-content/uploads/2025/01/Metafora-e-Rames-viti-i-ri.mp3"][/audio]

Video-urimi i kryeministrit Rama në natën e ndërrimit të viteve ishte konceptuar si një metaforë nëpërmjet të cilës jepej mesazhi se sa më shumë i ngjit shkallët e pushtetit Edi Rama, aq më lart shkon Shqipëria. Klipi nis me disa peshq që Rama i ushqen me dorën e tij, ulur galiç. Pak sekonda më pas, nën tingujt e Moxart, ai shfaqet teksa çapitet mendueshëm, me duart në xhepa nëpër instalacionin gjigand që ka ngritur brenda oborrit të kryeministrisë.

Filmimi, i kuruar deri në detaj do të ngjallte zili tek çdo çupëlinë e apasionuar pas publikimit të videove në Instagram. Ai vazhdon me pamjet e kryeministrit që ndalet në ndonjë rast, si për të pastruar gjethe të kalbura pemësh e herë duke parë skelat në punimet gjysëm-të përfunduara.

Kur arrin në majë të ndërtesës, Rama ndan me shikuesin urimin, që nis me fjalët “Ka një vit të tërë për t’u ngjitur dhe çdo vit e ka një ditë të vetme për të zbritur...”

Në vazhdim, idenë e arritjeve personale, Rama e asocion me përparimin e Shqipërisë drejt destinacionit, që ai e quan Familja e Bashkuar Europiane. Video më poshtë:

Nuk do shumë për t’u kuptuar se përveç urimit për vitin e ri, Rama ka pasur dëshirë të ekspozojë ambjentet e parkut brenda kryeministrisë e bashkë me to, edhe shijet e tij për arredimin e instalacionit që mban emrin “Parku Eden”.

Ky projekt është një kopësht bimor me disa kate, i rrethuar nga uji. Meqënëse i ka mbetur edhe shumë pak për të mbaruar, Rama ka nisur ta përdorë si në rastin kur u dha një intervistë dy gazetarëve grekë mes gjelbërimit dhe degëve të pemëve.

Si koncept, parku me lule në kryeministri është zgjatim i tavolinës me lapsa shumëngjyrëshe, i letrës murale me piktura, i strehës ndriçuese në hyrje apo edhe i kërpudhës në oborrin e jashtëm të godinës.

Të gjitha këto krijojnë një ansambël shpërqëndrimi, para të cilit s'ka vizitor që të mos patakset nga ai shkulm ngjyrash dhe simbolesh që dalin nga çdo cep i godinës. Preja e preferuar e këtij mekanizmi janë kryesisht të huajt që vizitojnë kryeministrinë, qofshin këta gazetarë, diplomatë apo gjithfarë.

Vetëm se realizimi i Parkut Eden, ndryshe nga të tjerat, erdhi në një moment të papërshtatshëm.

Vendimi fillestar për të u mor në korrik të vitit 2022, kur qeveria ngarkoi Fondin Shqiptar të Zhvillimit për tenderin që përmbushte dëshirat e Edi Ramës dhe që nuk ishte pak, por rreth 431 milion lekë.

Problemi qe se vjeshta e vitit 2022, kishte kryefjalë pasojat e pandemisë në ekonomi. Vendi hasi vështirësi në furnizimin me energji elektrike dhe çmimi i naftës u rrit në mënyrë tronditëse.

Për ta menaxhuar irritimin e qytetarëve, Rama atëherë bënte thirrje për kursim, sepse situata mund të bëhej akoma më keq. Mjafton t'u kthehesh arkivave të asaj kohe, për të kujtuar disa dhjetëra orë konferenca shtypi kur kryeministri përsëriste se "jetojmë në kohë të vështira", se është "është përgatitur plani i shkurtimeve" dhe se po jetonim në kohë "emergjence" dhe se njerëzit duhet të "fillojnë të kursejnë".

Madje për ta shtuar presionin tek qytetarët, Rama ia këputi edhe kot, kur mori si shembull Zvicrën që sipas tij i fuste në burg njerëzit që e mbanin kondicionerin të graduar më shumë se 19 gradë celcius. Po kaq qesharake, shfaqej edhe në atë kohë, Belinda Balluku që u kërkonte publikisht qytetarëve të ecnin në këmbë dhe të mos e merrnin makinën për të blerë cigare në anën tjetër të rrugës.

Fushata e kursimit u pompua nga e gjithë qeveria, që gjatë pandemisë kërcënoi me ndërprerje të energjisë apo me mungesa të karburanteve në treg.

Është pikërisht kjo koha, kur Rama mori vendim për financimin e "Parkut Eden", kopshtit me bimë jashtë dritares së zyrës së tij për të cilin i duheshin 431 milion nga paratë tona.

Për të justifikuar shumën e madhe të parave, instalacioni përshkruhet si ndonjë ambjent kreativ që mundëson zhvillimin e konferencave zyrtare gjatë ditës dhe në mbrëmje dhe që mund të shfrytëzohet për leksione, koncerte apo fjalime.

Në fakt, ajo është thjesht një tekë e kryeministrit, një ambjent i paguar shtrenjtë për të bërë video sa më të bukura për Instagram dhe Facebook. Njësoj si urimi për vitin 2025, që kësaj radhe erdhi si test për pushtetin e pamatë që ka akumuluar Rama nga qytetarët, të cilët kështu, ngjajnë më shumë me peshqit e parkut të tij personal./Lapsi.al

Të këshilluara

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

18°c

KËMBIMI EURO

95.24

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI