Aksidenti që ndryshoi përgjithmonë jetën e Robert Kubica ndodhi 13 vite më parë, gjatë Rally të Andorrës. Ishte më i rëndi në karrierën e pilotit 39-vjeçar, i cili sot garon në FIA World Endurance Championship me ekipin AF Corse, duke drejtuar Ferrarin 499P. Ai pa vdekjen me sytë e tij, por fati vendosi që të mos ishte ende koha e tij, pavarësisht se mbërriti në spital në gjendje kritike. Trupi i tij kishte vetëm një litër e gjysmë gjak, i mbuluar nga frakturat, por ia doli falë ndihmës së mjekëve dhe një periudhe të gjatë rehabilitimi. Nuk mund të lëvizte as gishtin më të vogël dhe duhej ta mësonte përsëri.
Rrëfimi tronditës i Kubica
Në një podcast – Gurulandia – Kubica ka treguar atë që mban mend nga ai aksident tragjik dhe një parandjenjë të çuditshme që pati një ditë para garës. Një zë i brendshëm e këshillonte të hiqte dorë, por vendosmëria e pronarit të ekipit Rally që i kishte siguruar makinën, e bëri të ndryshonte mendje. “Isha në Valencia për testet para kampionatit. E thirra dhe i thashë: ‘Le ta lëmë,’ por ai më tha që Pirelli tashmë po sillte gomat dhe rruga ishte bllokuar për testet.”
Ajo që ndodhi më pas është e shkruar në kronikat e asaj ngjarjeje të tmerrshme. As në Formula 1, as në pjesën tjetër të karrierës së tij, ai nuk kishte përjetuar një rrezik kaq të madh, një ndarje kaq të hollë midis jetës dhe vdekjes. Por për atë periudhë të tmerrshme ai mësoi vetëm nga ata që e trajtuan dhe qëndruan pranë tij. “Sinqerisht, nuk mbaj mend shumë nga ajo që ndodhi – pranon ai – sepse kam qëndruar shumë kohë në koma. Mbërrita në spital me vetëm një litër e gjysmë gjak, ndërkohë që trupi i njeriut ka zakonisht gjashtë apo shtatë litra. Ana e djathtë e trupit tim ishte plotësisht e shkatërruar. Pësova 42 fraktura dhe nga gishti i këmbës deri te bërryli, gjithçka ishte e thyer.”
U deshën 12 orë ndërhyrjesh kirurgjikale për ta rikuperuar dhe një proces i gjatë, edhe emocional, për ta rindërtuar. “Unë jam njeri,” thotë Kubica. Shpëtimi i tij i dha një perceptim krejtësisht të ndryshëm për jetën. “Për gjashtë apo shtatë muaj nuk ndieja asgjë dhe nuk lëvizja dot asgjë. Mundohesha të lëvizja një gisht, por nuk ia dilja, dhe ishte një ndjesi që vetëm kush e ka përjetuar mund ta kuptojë. Dita kur arrita ta lëviz gishtin ishte një gëzim i pamasë.”
Pse vendosi të garonte në Rally?
“Desha të përmirësoja veten, sepse isha i bindur që nëse do të mësohesha me atë stil të ngasjes, do të më ndihmonte shumë në Formula 1. Pse? Nëse fillon të bjerë shi dhe ke goma slick, ndjeshmëria që të jep Rally është e paçmueshme. Në Formula 1, kur bie shi, ata menjëherë vendosin flamurin e kuq, ndërsa në Rally në Monte Carlo, nëse hyn në pistë me goma për terren të thatë dhe fillon bora, duhet të përballesh me situatën dhe të përfundosh garën”.