Flash

Rritet lehtë edhe inflacioni bazë, në nëntor arriti në 2.34%

Lapsi.al 24 December 2024
Rritet lehtë edhe inflacioni bazë, në nëntor arriti në

Inflacioni bazë u rrit lehtë në muajin nëntor, duke shfaqur një tendencë të ngjashme me ecurinë e inflacionit mesatar në ekonomi. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, inflacioni bazë arriti në 2.34%, nga 2.19% që kishte për tetorin. Me bazë vjetore inflacioni bazë ngelet sidoqoftë në rënie. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar inflacioni bazë shënonte nivelin 3.39%.

Inflacioni bazë llogaritet nga Banka e Shqipërisë për një grup mallrash dhe shërbimesh që zënë 69% të peshës në shportën e përgjithshme të Indeksit të Çmimeve të Konsumit. Inflacioni bazë përjashton ato produkte që zakonisht kanë luhatshmëri të lartë, kryesisht produktet ushqimore dhe ato energjetike.

Qëllimi i llogaritjes së inflacionit bazë është ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga luhatjet me natyrë më afatshkurtër. Në veçanti, inflacioni bazë lidhet me presionet e brendshme inflacioniste, që në vitet e fundit janë ndikuar shumë prej rritjes së kostos së punës të bizneseve.

Edhe inflacioni bazë neto u rrit në muajin nëntor në 2.22%, nga 2% që kishte qenë për tetorin. Inflacioni bazë neto përjashton më tej nga inflacioni edhe nëngrupet e ushqimeve të përpunuara (përfshirë bukën dhe drithërat) dhe matet mbi 44.6% të shoqërisë së IÇK-së.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se edhe inflacioni bazë ka dhënë sinjale rritjeje gjatë nëntorit, duke ndjekur ecurinë e inflacionit mesatar në ekonomi. Sipas INSTAT, për nëntorin inflacioni u rrit lehtë në 2%, nga 1.9% që kishte qenë në dy muajt e mëparshëm.

Kjo tendencë duket se përputhet me projeksionet e Bankës së Shqipërisë, që parashikon një rritje graduale të inflacionit drejt objektivit prej 3% në vitin 2025. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi javën e kaluar të mbajë normën bazë të interesit të pandryshuar në nivelin 2.75%.

Në analizën e raportit të fundit të politikës monetare, ecuria e inflacionit gjatë vitit 2024 ka pasqyruar reduktimin e shpejtë të inflacionit të importuar, normalizimin gradual të pritjeve për rritjen e çmimeve nga agjentët ekonomikë, si dhe nivelet relativisht të qëndrueshme të inflacionit të brendshëm.

Deklarat e fundit e këshillit Mbikëqyrës pas mbledhjes së javës së kaluar, konstaton se rënia e inflacionit të importuar gjatë tremujorit të parë dhe nivelet e ulëta të tij gjatë pjesës së mbetur të vitit janë diktuar nga ecuria e ngjashme e këtij treguesi në partnerët tanë tregtarë, nga çmimet e ulëta të artikujve bazë në tregjet botërore, si dhe nga forcimi i mëtejshëm i kursit të këmbimit.

Por, nga ana tjetër, nivelet relativisht të qëndrueshme të inflacionit të gjeneruar brenda ekonomisë sonë kanë pasqyruar kërkesën e lartë për mallra e shërbime dhe rritjen e shpejtë të pagave dhe të kostove të prodhimit. Pas mbledhjes së dhjetorit, Këshilli Mbikëqyrës gjykoi se kushtet monetare aktuale janë të përshtatshme për kthimin e inflacionit në objektiv gjatë viti 2025 dhe ofrojnë një premisë të mirë për respektimin e inflacionit në horizontin afatmesëm./ Monitor

Të këshilluara

ide

Rama dhe psikologjia e masave: Rruga e fashizmit hapet nëse mposhtet protesta

Në rastin e protestave aktuale, thelbi nuk është “urrejtja e masës” ndaj zhvillimit. Thelbi është se një pjesë e madhe e shoqërisë nuk pranon më që “zhvillimi” të përkufizohet vetëm nga qeveria, investitori dhe propaganda. Qytetarët po thonë se zhvillimi duhet të matet edhe me demokraci, drejtësi, mjedis, punë dinjitoze, llogaridhënie dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi hapësirat ku jetojnë

21:27 Klevis Kolasi

MOTI TIRANA

17°c

KËMBIMI EURO

94.89

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI