Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj ka qëndruar për gati 3 orë në ambientet e SPAK mbrëmjen e kësaj të hëne. Përballë prokurorëve të posaçëm ajo ka dhënë dëshminë e saj lidhur me pasurinë e bashkëshortit në hetimet që po kryhen për këtë çështje.
Pas daljes ajo ka shmangur mediat dhe nuk ka bërë asnjë deklaratë. (VIDEO KETU)

Xoxa është paraqitur në SPAK në cilësinë e personit që ka dijeni mbi hetimin pasuror të nisur prej afro 1 viti ndaj Veliajt dhe vëllait të tij.
Vetë kryebashkiaku Veliaj që hetuesit i ka konsideruar si “kolegë” e ka kundërshtuar kontrollin e pak javëve më parë të banesës të tij dhe të të vëllait Arbër Veliaj, e po ashtu edhe në zyrat e qendrës “Harabel” që administrohet nga Ajola Xoxa.

Sipas atij hetuesit nuk kanë pasur një mandat nga gjykata. Në këtë kontroll Arbër Veliajt dhe Ajola Xoxës iu sekuestruan telefonat celularë dhe një shumë parash në zyrën e saj. Burime të pakonfirmuara thanë për Lapsi.al se shuma e sekuestruar në zyrat e "Harabel" është mbi 100 mijë euro.
Gjatë marrjes së Xoxës në pyetje Veliaj ka qëndruar në zyrën e tij në bashki dhe ka dalë prej saj kur edhe Ajola është larguar nga SPAK. Në videon e publikuar nga Ora Neës, Veliaj shihet i veshur komplet me të zeza. Ai është filmuar duke dalë me një kapuç në kokë dhe me një valixhe në duar, teksa ka hipur në makinën e tij.
Rumble("play", {"video":"v5zy0in","div":"rumble_v5zy0in"});
Ndaj Veliajt ka nisur një hetim pasuror, ndërsa po shihet dhe roli i tij në rastin e inceneratorit të Tiranës si dhe në çështjen e kompanisë "5D", që zotërohej nga ish-drejtorë të Bashkisë.
Pas kontrolleve që u kryen në shtëpinë e tij, Veliaj tha se agjentët e BKH kishin kryer kontrolle pa pasur një vendim gjykatë.
“Pavarësisht se pa një vendim gjykate për të hyrë në shtëpi dhe plus një situate të pakëndshme për gjithë lagjen ku jetojmë prej 12 vjetësh, në një pallat të ndërtuar 15+ vjet më parë (poshtë të cilit ishin mbledhur me lajmërim, nga kushedi se kush, altoparlantët mediatikë, që ishin vendosur si dikur te radha e qumështit përpara se të arrinte vetë grupi hetimor), bashkëshortja ime është treguar plotësisht bashkëpunuese dhe transparente me grupin hetimor, për çdo kërkesë të tyre, madje i ka shoqëruar vetë, qoftë në zyrën e saj, qoftë në shtëpinë e prindërve” shkruajti Veliaj.
Por Lapsi.al ka lexuar të plotë vendimin e gjykatës, që tregon se si u bind gjyqtarja Atalanta Zeqiraj nga dy prokurorët Altin Dumani dhe Ols Dado, që BKH duhej të kryente kontrollin e shtëpisë së Veliajt edhe në disa ambjente të tjera për plotësimin e hetimeve.
Prokurorët pretendojnë se Veliaj dhe të afërmit e tij kanë përfituar para nëpërmjet kompanive të Elman Abules, një personazh që deri më sot ka qëndruar në hije, megjithë problemet që ka pasur me drejtësinë.
Prokuroria e ka akuzuar Elman Abulen se ka ngritur një skeme të pastrimit të parave, ku është pjesë bashkëshortja e tij bashkë me Kristian Boçin dhe Vladimir Avramin.
Lajmi bëri bujë disa muaj më parë, pasi prokuroria u bllokoi rreth 50 milion euro pasuri që ishte investuar kryesisht në ndërtim, pasi paratë kishin origjinë të dyshimtë. Por sekuestro u hoq disa ditë më vonë kur prokurorja e Apelit, Arta Marku u riktheu pronat të akuzuarve.
Në dosjen e 50 milion eurove, prokurorët e përshkruajnë Elman Abulen si një personazh që i ka njohur herët problemet me drejtësinë në Belgjikë.
“Elman Abule në bizneset e tij ka lidhje me persona të përfshirë në aktivitete të paligishme dhe konkretisht me Kristian Boçi apo Denis Matoshin (alias Eldi Dizdari). Gjithashtu sipas informacionit të Interpol Brukseli/Belgjike, rezulton se shtetasi Elman Abule është i njohur në Belgjikë për “Organizatë Kriminale”, “Vjedhe në rrethana rënduese” dhe “Mbajtje dhe shitje e sendeve të vjedhura”, fakte të ndodhura ne vitet 2004-2005.Konkretisht nga informacioni i përcjellë nga Dretoria e Interpolit nr. 4783/8 prot., datë 12.09.2023
është informuar se shtetasi Elman Abule është dënuar më datë 17.01.2007, nga Gjykata e Antëerp, me 30 muaj burg për veprën penale, vjedhje me thyerje ose duke përdorur çelësa të kopjuar dhe krijim bande”, duke u denuar ky shtetas me 2 vjet burg me kusht dhe 1 vit vit në burg për krijim bande” thuhet në dosjen e prokurorisë që ka hetuar Elman Abulen, Kristian Boçin dhe të afërmit e tyre.
SPAK i ka shkuar më tej skemave të pastrimit të parave, pasi gjatë hetimit është zbuluar lidhja me familjarë të afërt të Erjon Veliajt, që dyshohet se përfituan shuma parash në mënyrë të paligjshme.
Më poshtë është paragrafi që sipas prokurorëve Altin Dumani dhe Ols Dado implikon Veliajn dhe të afërmit e tij në skemat e përfitimit të parave në rrjetin e kompanive që ka në pronësi Elman Abule.
“anëtarë të ngushtë të familjes si dhe familjarë të tjerë të afërt me Kryetarin e Bashkisë Tiranë, shtetasin Erion Veliaj, kanë marrë përfitime të paligjshme përmes disa shoqërive dhe individëve, të cilët kane interesa të drejtpërdrejta në Bashkinë Tiranë. Nga hetimet e kryera deri në këtë fazë, kanë rezultuar fakte mbi lidhje të ngushta mes këtyre individëve dhe aktiviteteve të lidhura me qeverisjen lokale, të cilat dyshohet të jenë materializuar në përfitimin e pasurive ose përfitimeve financiare në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu, nga hetimet janë evidentuar veprime konkrete të cilat përfshijnë transaksione financiare, kontrata të dyshimta dhe fatura të dyshuara fiktive të realizuara përmes disa shoqërive, të cilat janë në pronësi të regjistruar ose që kontrollohen faktikisht nga familjarët e ngushtë dhe familjarë të tjerë të Kryetarit të Bashkisë. Këto transaksione, të cilat dyshohet të kenë mundësuar më pas përfitime të parregullta për familjarë të ngushtë dhe të tjerë familjarë të afërt me Kryetarin e Bashkisë, konstatohet të jenë realizuar përmes një strukture komplekse të marrëdhenieve financiare që qëllim final ka patur integrimin (injektimin) e vlerave monetare në sistemin bankar, duke fshehur në këtë mënyrë origjinën e tyre të paligjshme.
Në vendimin e gjykatës, gjyqtarja Atalanta Zeqiri është bindur nga kërkesa e dy prokurorëve Altin Dumani dhe Ols Dado që të kryhen kontrolle në shtëpinë e Veliajt, por edhe në zyrat dhe ambjentet e kompanive që administrohen nga Ajola Xoxa, bashkëshortja e tij.
Një burim tha për Lapsi.al se pjesë e provave janë edhe bisedat e gjetura në telefonin e sekuestruar të një prej të hetuarve në dosjen e pastrimit të parave të Elman Abule dhe Kristian Boçi, por këto janë në të dhënat shkresore që shoqërojnë vendimin e gjykatës dhe me të cilat gjyqtarja Atalanta Zeqiri thotë se është bindur për të firmosur vendimin e kontrollit./Lapsi.al