Si fillim këtë artikull dua ta nis duke nënvizuar një fakt edhe më të rëndësishëm për çështjen kombëtare, se sa kush përfaqëson Shqipërinë në Eurovizion, një festival i papërfillshëm krahasuar me evente të tjera të mëdha muzikore në botë.
Veçanërisht viteve të fundit, ku një pjesë e fëmijëve shqiptarë komunikojnë vetëm në gjuhë të huaj, dhe të rriturit flasin çerek anglisht, gjysmë gjermanisht, e çerek shqip, Faik Konica duhet medoemos të jetë i përfshirë në çdo libër letërsie nga klasa e pestë e deri në vitin e fundit të gjimnazit. Nuk njoh një analizë më të saktë, më të vërtetë, më të drejtëpërdrejtë, rreth kompleksit të inferioritetit të qytetarëve të një shteti të vogël, dhe një shoqërie që ka frikë të mendojë në mënyrë të pavarur, të dorëzuar ndaj çdo presioni të jashtëm.
Nuk do merrem gjatë me Konicën në këtë artikull, por padiskutim vlen të përmendet në qindra artikuj të tjerë, për diagnozën më të saktë dhe më jetëgjatë që i ka bërë shoqërisë sonë.
Si lidhet koncepti i levantinëve i Konicës me festivalin e këngës sot?
Lidhet me faktin që në masë besohet se Shqipëria do të përfaqësohet në Eurovizion nga një këngë që ka këtë tekst.
Se jeta o si karnaval
Dhe m’bon m’u ni gjallë
Bailando uno dos y tres, e mos u ndal!
Se jeta o si karnaval
Asni lot so final
Bailando uno dos y tres, e mos u ndal!
Teksti ka dhe disa fjalë anglisht, pra përbëhet nga tre gjuhë, që të gjitha të mbledhura bashkë nuk thonë asgjë. Pse bëhet një këngë e tillë, e shoqëruar me një koreografi si të Eleni Foureira-s dhe një paraqitje skenike si të Jennifer Lopez?
Përgjigjja është e qartë dhe e thjeshtë. Që t’u pëlqejmë të huajve, sepse ne mendojmë se ata na duan kur tjetërsohemi, kur ndërrojmë identitet, kur u dorëzohemi kulturës së tyre, gjuhëve të tyre, shijeve që ata kanë.
Një mendësi e tillë, një strategji e tillë nuk pritet nga një artiste që ka mbi 20-vite në skenë dhe që qartësisht duhet të dëshmojë stilin dhe identitetin e saj në muzikë. Elvanën e kam pëlqyer te ‘Ethet e së premtes’ dhe bëja tifo të kalonte që në fazën e parë, pavarësisht skepticizmit të lartë të jurisë asokohe. Shihja potencial te ajo si artiste më shumë se te konkurrentët e tjerë pjesëmarrës dhe nuk e kisha gabim. Kam pëlqyer edhe këngët e saj të para, e disa albume të krijuara nga Pirro Çako e Armend Rexhepagiçi.
Këmbënguljen për të qenë pjesë e një skene europiane, e cila nuk është se ka ndryshuar gjë në karrierën e ndonjë artisti shqiptar deri tani, jam i prirur ta mbështes. Dëshiroj që ta realizojë ëndrrën e saj, por jo duke bërë një kompromis të tillë, jo me një këngë levantinësh, dhe me një prej materialeve më të dobëta të repertorit të saj.
Nga artistë me pjekuri dhe përvojë të gjatë në skenë, ajo që pritet është guximi, origjinaliteti, identiteti, sjellja e risive. Cilësi këto që shihen qartë te një tjetër këngë e festivalit, e kënduar nga një grup për të cilin kisha dëgjuar shumë pak, për të cilin nuk kam asnjë simpati apo antipati, por kjo nuk mund të më pengojë të them të vërtetën. Bëhet fjalë për këngën ‘Zjerm’ të Shkodrës Elektronike. Një këngë dhe stil origjinal, që të jep menjëherë përshtypjen se është krijuar natyrshëm, pa strategji, pa një pretendim për të fituar, duke marrë përsipër riskun e të qenit vetja. E pse duhet të përshtaten artistët fundja? Një këngëtar i përshtatur është një biznesmen që bën muzikë. Dhe arti i kthyer në biznes ka një afat të shkurtër skadence.
Thënë kjo, a i duhet hequr një këngë mistike, që i jep dorë fantazisë për të krijuar një nga performancat më të spikatura të Shqipërisë, e drejta për të fituar çmimin e parë, vetëm sepse këndohet nga një grup jo dhe aq i njohur? A jemi ne një shoqëri që mbështesim më të fortin, apo meritën? Jemi një shoqëri me identitet, apo një shoqëri levantinësh? Këtë do e tregojë sot votimi i publikut dhe jurisë në festivalin e RTSH-së.
Një artist i madh, me këmbë në tokë dhe modest në sjellje (cilësi që dëshmojnë me të vërtetë rëndësinë dhe madhështinë e një njeriu), një artist pa delire, do të thoshte: Do marr pjesë sërish vitin tjetër dhe do të rikthehem me një këngë të frymëzuar, jo të përllogaritur, me një këngë si “Me ty”, “Afër dhe larg”, “Tavolina e mërzisë”, e shumë të tjera në repertorin e Elvanës.
Por edhe nëse juria, publiku vendosin të fitojë Elvana, do të shpresoja në reflektimin e saj si artiste dhe në një prezantim të ri të së njëjtës kënge ose në shfaqjen e saj me një këngë tërësisht të re, siç ndodhi me Elhaida Danin disa vite më parë.
Mesazhin më domethethënës në festival, me artin e tyre e dhanë dy të ftuarit; njëri prej talenteve më të mëdha që ka Europa sot në muzikë, Slimane, si dhe një prej përfaqësuesve të parë të muzikës rrok në Shqipëri, Aleksandër Gjoka me këngën “Ditë Dimri”. Dy momentet e vetme kur publiku u ngrit në këmbë për të duartrokitur, sepse arti spontan, pa strategji, i krijuar prej emocionit dhe shpirtit të artistit do e gjejë gjithmonë rrugën për te audienca. Kurse prodhimet artistike të ndërtuara prej logjikës, mund të zbërthehen vetëm logjikisht, pa arritur të kryejnë funksionin e tyre për të komunikuar së pari emocionalisht me audiencën. Kjo mangësi u shfaq dukshëm edhe te pjesa dërrmuese e këngëve në festival, dhe ky ishte mesazhi më i rëndësishëm, që me prezencën e tyre dy artistë të mirëfilltë lanë në skenë.
Nuk ka një mënyrë më të mirë se kjo për t’u përfaqësuar në festivalin Europian. Me vërtetësi dhe origjinalitet, pra me një këngë si “Zjerm” që tashmë është gati, me një këngë që emocionon si “Frymë” e Lorenc Hasramës, ose me një artiste që ka ditur të bëjë më mirë dhe që e e ka sërish mundësinë që në rast fitoreje të krijojë diçka të vërtetë nga e para. Ky është mesazhi dhe shembulli që presim nga Elvana.
©Lapsi.al