Të hënën Bundestagu vendos për çështjen e votëbesimit që shtron kancelari, Olaf Scholz. Zgjedhjet e parakohshme janë planifikuar më 23 shkurt.
Për zgjedhjet e parakoshme të planifikuara më 23 shkurt debatohet kudo në Gjermani. Por zhvillimi i tyre kërkon ndjekjen e procedurave të caktuara të lidhura me kuadrin ligjor zgjedhor të Gjermanisë. Hapat kryesorë janë: Kancelari shtron së pari çështjen e votëbesimit në Bundestag dhe duhet ta humbasë atë, gjë që pritet të ndodhë sot. Më pas presidenti federal shpërndan parlamentin. Si pasojë duhet që brenda 60 ditësh të mbahen zgjedhjet e reja.
Në përputhje me nenin 68 të ligjit themelor gjerman, kancelari federal paraqet një mocion në Bundestag për të kërkuar votëbesimin ndaj tij. Olaf Scholz e bëri këtë me shkrim më 11 dhjetor 2024 dhe ia dërgoi Presidentes së Bundestagut, Bärbel Bas.
Sipas nenit 68 paragrafi 2 i ligjit themelor gjerman, votimi për kërkesën e kancelarit mund të bëhet jo më herët se 48 orë pas pranimit të saj. Votëbesimi zhvillohet të hënën në Bundestag. Nëse kancelari nuk do të marri një shumicë absolute prej 367 votash pro në këtë votim, do të thotë se e humb votëbesimin. Abstenimet e mundshme nga deputetët do të kishin të njëjtin efekt si një votë kundër. Votim bëhet me emër dhe dihet publikisht se si deputët kanë votuar. Pas humbjes së votëbesimit, kancelari mund t’i sugjerojë Presidentit Federal që të shpërndahet Bundestagu. Scholz tashmë ka njoftuar se do ta bëjë këtë.
Presidenti federal, Steinmeier duhet ta bëjë këtë nga e hëna brenda 21 ditësh. Kriteri kryesor është krijimi i një situate të paqëndrueshme politike. Në fjalimin e tij më 7 nëntor 2024, menjëherë pasi u prish koalicioni, Presidenti Federal Frank-Walter Steinmeier tha se një mazhorancë e qëndrueshme dhe një qeveri e aftë për të vepruar do të jenë pikë referimi për vendimin e tij. Nga kjo mund të konkludohet, se ai anon drejt shpërbërjes së Bundestagut.
Nëse Presidenti Federal shpërndan Bundestagun, duhet të ketë zgjedhje të reja brenda 60 ditëve nga shpërbërja e tij. Dita e zgjedhjeve federale përcaktohet zyrtarisht nga Presidenti Federal në përputhje me Ligjin Federal Zgjedhor. Në Gjermani është përcaktuar 23 shkurti.
A do të vazhdojë kancelari detyrën pas humbjes së votëbesimit?
Humbja e votëbesimit dhe shpërbërja e Bundestagut nuk e ndryshojnë faktin që kancelari dhe qeveria e tij janë në detyrë si zakonisht. Funksioni i kancelarit federal përfundon vetëm kur një Bundestag i ri mblidhet pas zgjedhjeve të reja (neni 69 i ligjit themelor). Edhe atëherë, kancelari Scholz qëndron në detyrë me kërkesë të Presidentit Federal, derisa një Bundestag i sapozgjedhur të ketë zgjedhur kancelarin e ri./DW