Flash

Zvërneci shitet për 306 mijë euro

Kontrata e shitjes së aksioneve zbulon se kompania që zotëron lejen e zhvillimit për resortin luksoz në bregdetin e Vlorës ndryshoi pronarë përmes një marrëveshjeje offshore mes Holandës dhe Katarit.

14:42

Tony Awards 2026: Lista e fituesve

Ceremonia e 79-të e Tony Awards u rikthye në Radio City Music Hall, ku këngëtarja Pink bëri debutimin e saj si prezantuese në mbr...

14:43

Reportazh/ Bulqizë, dilema e rinisë mes largimit dhe kthimit

Lapsi.al 16 December 2024
Reportazh/ Bulqizë, dilema e rinisë mes largimit dhe kthimit

Ndërsa më zgjat dorën me njollat e zeza nga puna, Roberti ka sjelljen e një burri fjalëpak, megjithëse mban mbi supe jo më shumë se 30 vjeç. Një më dy vështron nga rruga me kujdes. Mua më çorjenton pak, por e kuptoj pse Roberti vështron poshtë-e-përpjetë këdo që ndal sado pak hapin para vitrinës së tij. Njerëzit që kalojnë aty janë rralluar, por ai sheh tek secili një blerës të mundshëm. 

Bulqiza është një qytet i vogël. Aq i vogël që ndoshta për nga madhësia s’do t’ia justifikoje peshën e rëndë që ka emri i saj në mendjet e çdo shqiptari. Është e vështirë të mos e njohësh si qytetin e minierave dhe burimin e lajmeve të kobshme.

Edhe pse ky qytet nuk i ka shpëtuar mekanizmit të pandalshëm të zhvillimit, edhe këtu plaga shqiptare e largimit të të rinjve nga vendi është e dukshme.

Mijëra të rinj e kanë lënë Bulqizën në kërkim të një jete më të mirë, ose premtimit për një jetë ndryshe, ku zgavrat nëntokësore të gërmuara në dekada nuk janë e vetmja formë mbijetese.

Por siç na ka mësuar vazhdimisht historia e emigrimit shqipëtar, toka e premtuar shpesh është një iluzion mashtrues. Dhe panorama e zymtë grixho e qytetit, e kombinuar me historinë e zymtë të një të riu që i ka mbijetuar trafikimit, e bën sfiduese veshjen me ngjyra të një reportazhi si ky.

(Oxhak i periudhës së komunizmit, jo funksional sot, në qendër të Bulqizës)

Duke ecur shëtitores qëndrore të qytetit sheh qartazi dominimin e kafeneve nga e majta në të djathtë. Edhe pse dhjetor, retë e vogla po e përmbajnë shiun. Megjithatë era fryn fort në shtegun e drejtë që i hap shëtitorja e gjatë e qytetit. Një xhiro e shkurtër të gënjen, a thua se në shëtitore s’ka këmbë njeriu. Por kafenetë brenda janë plot, ku ato modernet, ku gumëzhin psherëtima e pandalshme e kondicionerëve, ku ato me ngrohjen klasike me sobë druri.

(Shëtitorja e qytetit të Bulqizës, në qendër)

Anash shëtitores, mu në qendër është një rrugë e gjatë dhe e ngushtë. Më tërhoqi vëmendjen sepse menjëherë më dha përshtypjen e një rruge tregtare. Ka pak dishezë dhe dyqanet kanë mbirë si kërpudha në të dy krahët e saj. Materiale ndërtimi, servise, rroba të përdorura e të reja. Nëse do të gjesh diçka në Bulqizë, me siguri do ta gjesh aty.

Në shoqërinë e tre-katër kolegëve dhe disa punonjësve të UNICEF, agjencisë së OKB-së së fokusuar në mbrojtjen e të drejtave dhe mirëqenies së fëmijëve në mbarë botën, ndaloj në një biznes të vogël, por për habinë time, modern në dizajn.

Pas vetratës së xhamit Roberti futet sërish në pjesën e banakut. Në duar kishte materialet që tregtonte. Pasi më priti me duart me njolla të zeza nga paisja që kishte në dorë, më tregoi se si ishte kthyer nga Italia në vendin e tij për të bërë biznes të ndershëm.

“Nuk ka qenë qëllimi im të shkel asnjë ligj, por mosha dhe pamundësia…” – thotë Roberti (emri i ndryshuar për arsye anonimiteti).

Ishte e qartë se kishte punuar në të zezë, por “ndershëm”, siç thotë, sepse vendi ku qe rritur, nuk i pati dhënë jetën që kishte ëndërruar dhe që i servirnin me pompozitet rrjetet sociale.

Roberti thotë se ka shkuar disa herë në Itali, për të punuar tokat në të zezë, pa vizë, pa leje pune.

“Rëndësi kishte vetëm të ikja, rroga më e mirë se këtu, Italia e zhvilluar” – shton Roberti.

Por dukej se rrugët 2-3 mujore që kishte përsëritur disa herë e kishin lodhur së tepërmi. Teksa fliste shikimi i zbehej, fytyra ia tregonte pakënaqësinë e të jetuarit si një mizantrop që bota i rrotullohet vetëm rreth punës.

“Nuk kishim asnjë kusht, normal” – më thotë Roberti me një zë të plotë. Por beftas toni i tij ndryshon. “Paguheshim në të zezë si çdo shqiptar tjetër andej. Ku me orë të zgjatura, ku e mbyllnim punën herët. Bëra ca para, por aq”. Ai e përmblodhi mendimin me një ritëm të shpejtë, sikur donte të justifikonte me vete ç’kish bërë ca vite më parë.

Roberti tregon se nuk e kishte menduar kurrë se kishte qenë viktimë e trafikut dhe nuk ka ndonjë faj. Njohuria e përhapur për trafikun është ose për vajzat dhe gratë, për prostitucion, ose për drogërat.

“Me thënë të drejtën as e kisha menduar që dhe kjo ishte një formë trafikimi” – thotë ai, që shpreh me pjekurinë e moshës tani, tek të 30-tat, naivitetin e të fillim 20-ave.

Roberti thotë se sot nuk ndjen keqardhje për tentativat që kishte bërë gati një dekadë më parë, dhe fundja thjesht kërkonte t’ia dilte. Megjithatë kur flet sytë ia tregojnë se është i lumtur që është rikthyer në vendlindjen e tij, që ka ngritur një biznes me një ndihmë nga UNICEF, dhe ka krijuar një familje të tijën.

“Që të jem i sinqertë, as që e kishim idenë se këtu kishte mundësi të tilla. Mua më tha një i njohur rastësisht ‘shko e pyet njëherë për këtë programin e huaj të financimit’” – thotë Roberti. “Do ti biznesi po ecën mirë dhe ndoshta marr edhe këtë këtu” – kthen sytë ai nga dyqani ngjitur duke qeshur, me atë krenarinë e një njeriu që përpjekjes po ia vjel frytet.

Ky i ri punëtor nuk e ekzagjeron me falenderimet. Në fund të fundit është puna e tij, me ç’tregon ai nga mëngjesi herët deri pasditen vonë, që i ka krijuar kushte që sot të krijojë familje.

Por kujdeset të thotë se pa atë grant 5 milionë lekësh të vjetra që kish fituar ca kohë më parë me projekt-idenë për biznesin që ka sot, ndoshta asgjë që gëzon s’do kishte qenë e arritshme për të.

(Rruga tregtare krah shëtitores, në qendër të Bulqizës)

“Nganjëherë të duhet vetëm një shtytje” – thotë ai me ton serioz, duke mos më lënë as hijen më të vogël të dyshimit se ka të drejtë. “Shpesh njerëzit duan vetëm një të shtyrë, rrugën më pas e gjejnë vetë.” 

E siç gjeta rrugën për në furgon për tu nisur për në Tiranë, qytetin e madh që të harron mes qindra biznesesh si ky i Robertit në Bulqizë, pashë përsëdyti se kudo aty pranë kishte biznese të vogla. Ishin të ngjashme në madhësi me atë të Robertit, por shumë pak pronarë kishin moshën e këtij të fundit.

Dhe kjo më futi në mendime kur u nisa me kolegët për në Tiranë, nga rruga e Arbrit, ende e papërfunduar sot e kësaj dite. Gropat e rrugës sikur tregonin gropat që i ka lënë kësaj qyteze emigrimi masiv i të rinjve. “Roberti kishte të drejtë” – mendova me vete. Të rinjtë ikin në kërkim të mundësive, por shpesh ata nuk e dinë që mundësi ka edhe këtu në vendin e tyre, fare pranë shtëpive të tyre. Vizita një-ditore në Bulqizë dhe biseda me Robertin më bindën se grantet nga organizatat ndërkombëtare luajnë një rol. Një i ri i shpëtoi trafikimit, një familje e re lindi në Shqipëri. Megjithatë, e vërteta është se largimi i shqiptarëve vazhdon me ritëm të lartë. Më së paku, e ardhmja e Bulqizës, sikurse e shumë qyteteve të vogla shqiptare, mbetet në pikëpyetje.

Nga Arbër Kaceli, ©Lapsi.al 

Të këshilluara

ide

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

Zvërneci si përralla e çekut të bardhë

Shqiptarët janë skeptik kur dëgjojnë historinë e përsëritur se do vijnë investime nga jashtë miliarda euro që do na pasurojnë dhe punësojnë të gjithëve, kuptohet vetëm pasi kanë privatizuar perlat tona kombëtare. Aq më tepër kur përrallat me investime prej miliard eurosh kanë dalë bllof s në rastin e projektit Marina Durrës ku u tha se do investoheshin 2.5 miliardë dollarë

10:03 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

24°c

KËMBIMI EURO

95.19

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI

Tony Awards 2026: Lista e fituesve

Ceremonia e 79-të e Tony Awards u rikthye në Radio City Music Hall, ku këngëtarja Pink bëri debutimin e saj si prezantuese në mbr...

14:43