Flash

Stuhi reagimesh/ Shtëpia e Bardhë mbron faljen e Hunter Biden

Lapsi.al 3 December 2024
Stuhi reagimesh/ Shtëpia e Bardhë mbron faljen e Hunter Biden

Shtëpia e Bardhë ka mbrojtur faljen e presidentit Xho Bajden për djalin e tij, Hunter, pasi këmbënguli vazhdimisht se ai nuk kishte në plan të jepte një falje të tillë ekzekutive.

Sekretari i shtypit tha se Bajden e kishte falur djalin e tij, i cili po përballej me vendimin për dënim më vonë këtë muaj në dy raste federale, për ta mbrojtur atë nga persekutimi i mundshëm nga armiqtë politikë të presidentit në largim.

Falja gjithëpërfshirëse mbulon çdo krim të mundshëm federal që 54-vjeçari Hunter mund të ketë kryer gjatë një dekade.

Republikanët e kanë kritikuar vendimin për falje, me presidentin e sapozgjedhur Donald Trump që e qaujti atë "një shpërdorim dhe dështim të drejtësisë". 

Sekretarja e shtypit, Karine Jean-Pierre, u tha gazetarëve të hënën se Bajden ishte menduar shumë mbi vendimin gjatë pushimit të familjes për festën e "Falenderimeve" në ishullin Nantucket, Massachusetts, në fundjavë.

Presidenti demokrat deklaroi faljen të dielën në mbrëmje përpara se të nisej për një udhëtim zyrtar në Afrikë.

Zonja Jean-Pierre u tha gazetarëve në Air Force One gjatë rrugës për në Angola: "Ai beson në sistemin e drejtësisë, por ai gjithashtu beson se politika e ashpër e infektoi procesin dhe çoi në një dështim të drejtësisë". 

Zonja Jean-Pierre tha se Bajden besonte se Hunter ishte "specifikuar" për shkak të asaj se kush është dhe se "ata [kundërshtarët e presidentit] do të vazhdojnë të ndjekin djalin e tij". 

“Kjo është arsyeja pse presidenti e ndërmori këtë veprim”, shtoi ajo. Muajin e kaluar, zonja Jean-Pierre ende po u thoshte gazetarëve se Bajden nuk do ta falte djalin e tij.

Në qershor, Hunter Bajden u bë fëmija i parë i një presidenti në detyrë të SHBA që u dënua penalisht pasi një juri në Delaware e shpalli atë fajtor për tre akuza për gënjeshtër për përdorimin e drogës në një formular kur bleu një pistoletë.

Në shtator, ai u deklarua gjithashtu fajtor për akuzat e taksave federale që përfshinin dështimin për të paraqitur dhe paguar taksat e tij, evazion fiskal dhe paraqitjen e një deklarate të rreme.

Falja, e cila mbulon çdo krim të mundshëm federal që ai mund të ketë kryer midis janarit 2014 dhe dhjetorit 2024, përfshin një periudhë përtej taksave dhe shkeljeve me armë.

Ai daton në vitin në të cilin ai u bë anëtar bordi në kompaninë ukrainase të energjisë Burisma, një kohë kur babai i tij, atëherë zv.president i SHBA-së, kishte një rol kyç në politikën amerikane ndaj Kievit.

Një hetim i Kongresit këtë verë e akuzoi Bajden për mashtrim kur ai mohoi çdo përfshirje në marrëdhëniet e biznesit të djalit të tij, megjithëse përpjekjet për shkarkim nga ligjvënësit republikanë dështuan. Bajden mohoi se kishte bërë ndonjë gjë gabim.

Lexo më tej: Analiza për faljen e djalit/ Biden mes dilemës si baba dhe president 

Këshilltari i posaçëm që mbikëqyr të dyja rastet, David Weiss, ka hedhur poshtë kategorikisht pretendimet se Hunter Bajden u veçua për shkak të prejardhjes së tij familjare.

“Nuk ka pasur dhe asnjëherë nuk ka pasur asnjë provë për ndjekje hakmarrëse apo selektive në këtë rast”, shkroi ekipi i zotit Weiss në një dosje gjyqësore të hënën.

Zonja e Parë e SHBA-së Jill Bajden tha të hënën nga Shtëpia e Bardhë: “Sigurisht që unë mbështes faljen e djalit tim”. 

Vendimi i presidentit shkaktoi reagime të furishme nga Trump dhe republikanët e tjerë të lartë, të cilët kanë akuzuar prej kohësh administratën Bajden për "armatosje" të departamentit të drejtësisë kundër armiqve të tyre.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson tha se "besimi në sistemin tonë të drejtësisë është dëmtuar pothuajse në mënyrë të pariparueshme nga familja Bajden dhe abuzimi që kanë bërë me të". 

Kryetari i komitetit të mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, James Comer, tha se Bajden kishte "gënjyer nga fillimi në fund për aktivitetet korruptive të ndikimit të familjes së tij". 

Kritikat nga demokratët, të cilët kanë akuzuar rregullisht Trumpin për shpërfillje të sundimit të ligjit, ishin më të heshtura.

"Vendimi i Presidentit Bajden vendos interesin personal përpara detyrës dhe gërryen më tej besimin e amerikanëve se sistemi i drejtësisë është i drejtë dhe i barabartë për të gjithë," postoi senatori i Kolorados Michael Bennet në X, dikur Twitter.

Kongresmeni Greg Stanton, një demokrat nga Arizona, hodhi poshtë pretendimin e Bajden se rasti ishte i padrejtë.

"Kjo nuk ishte një ndjekje e motivuar politikisht," tha ai. "Hunter kreu krime dhe u dënua nga një juri e bashkëmoshatarëve të tij." 

Të tjerët mbrojtën presidentin.

Midis tyre ishte demokratja e Teksasit, dhe ish-avokatja e mbrojtjes, Jasmine Crockett, e cila i tha BBC se ajo beson se "do ta kishim të vështirë" për të gjetur ndjekje penale të ngjashme me ato të Hunter Bajden në të gjithë SHBA.

"Më lejoni të jem e qartë, ky është një baba dhe një president i cili jo vetëm bëri atë që ishte e drejtë për djalin e tij, por gjithashtu korrigjoi në thelb atë që unë do ta konsideroja të gabuar," tha ajo.

Neama Rahmani, një ish-prokuror federal, i tha BBC-së se ai besonte se Bajden kishte mashtruar popullin amerikan.

“Presidenti Bajden ishte i pasinqertë gjatë gjithë kohës kur tha se nuk do ta falte djalin e tij”, tha zoti Rahmani.

“Një falje ishte plani që në fillim, por Presidenti Bajden mashtroi popullin amerikan sepse ai, më pas Kamala Harris, ishin në mes të zgjedhjeve”. 

Kur të marrë detyrën në janar, Trump nuk do të jetë në gjendje të anulojë faljen e paraardhësit të tij, tha zoti Rahmani.

Fuqia e presidentit për të falur njerëzit është "absolute", tha ai.

“Nuk ka asgjë që Donald Trump apo republikanët mund të bëjnë për të ndaluar këtë". 

BBC, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 

Të këshilluara

ide

Një antihero i dëshpëruar i Homerit

Kryeministri ka përdorur mitin antik të Odiseut që nuk joshet nga sirenat, për të përçuar mesazhin se ai do të vazhdojë përpara pa pyetur për protestuesit. Por nëse nuk do e kish njohur veprën e Homerit vetëm përmes ekranizimit, do të kish gjetur tek kjo metaforë gjurmët e një autokrati

16:50 Andi Bushati

Fillimi i fundit të pushtetit të Ramës

Fillimi i fundit mund të jetë mu ky moment, kur piqet bindja e rrëzimit të një kryeministri a qeverie a rendi - pra të një lloj bindjeje se gjërat nuk do të kthehen aty ku ishin para se të fillonte protesta

09:47 Veton Surroi

MOTI TIRANA

34°c

KËMBIMI EURO

94.48

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI