Flash

Presidenti i Koresë së Jugut tërheq vendimin për shpalljen e ligjit ushtarak

Lapsi.al 3 December 2024
Presidenti i Koresë së Jugut tërheq vendimin për shpalljen e

Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, tha herët të mërkurën se së shpejti do të tërhiqte vendimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, që ai e mori një natë më parë, pasi parlamenti votoi kundër këtij veprimi.

Presidenti Yoon tha se qeveria e tij ka tërhequr personelin ushtarak që ishte dislokuar më parë në disa ndërtesa qeveritare dhe se ai do të hiqte zyrtarisht gjendjen e jashtëzakonshme pas një takimi të kabinetit qeveritar "sapo të mbërrijnë anëtarët e tij".

Zoti Yoon shpalli gjendjen e jashtëzakonshme të martën vonë, duke u zotuar se do të eliminonte forcat "anti-shtetërore" ndërsa lufton kundër një opozite që kontrollon parlamentin e vendit, duke e akuzuar atë për simpati ndaj Koresë së Veriut komuniste.

Më pak se tre orë më vonë, parlamenti votoi kundër shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Kryetari i Parlamentit të Koresë së Jugut, Woo Won Shik pas votimit e shpalli "të pavlefshëm" vendimin për gjendjen e jashtëzakonshme dhe theksoi se ligjvënësit "do të mbrojnë demokracinë bashkë me popullin".

Presidenti Yoon kishte thënë më herët se partitë opozitare kishin marrë peng procesin parlamentar. Ai u zotua se do të çrrënjosë "forcat e paturpshme anti-shtetërore pro-koreane të Veriut" dhe tha se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të merrte masën për të mbrojtur rendin kushtetues.

Agjencia e lajmeve Yonhap citoi ushtrinë të thoshte se aktivitetet e parlamentit dhe partive politike do të ndaloheshin dhe se mediat dhe botuesit e tyre do të ishin nën kontrollin e komandës së ligjit ushtarak.

Zoti Yoon nuk përmendi ndonjë kërcënim konkret nga Koreja e Veriut që ka armë bërthamore, duke u përqendruar tek kundërshtarët e tij politikë të brendshëm.

Forcat ushtarake u panë duke hyrë në parlamentin e Koresë së Veriut pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme ndërsa punonjësit e parlamentit përpiqeshin të zmbrapsnin ushtarët duke i spërkatur me bombolat për shuarjen e zjarrit.

Ishte hera e parë që nga viti 1980 që shpallej ligji i jashtëzakonshëm ushtarak në Korenë e Jugut.

Paraardhësi i zotit Yoon, Moon Jae-in i Partisë Demokratike, tha në një postim në rrjetin X se demokracia e vendit është në krizë.

Nënsekretari amerikan i Shtetit Kurt Campbell tha të martën se Shtetet e Bashkuara po i ndiqnin zhvillimet në Korenë e Jugut, një vend aleat, me “shqetësim të thellë” dhe se shpresojnë që mosmarrëveshjet politike të zgjidhen në mënyrë paqësore dhe në përputhje me sundimin e ligjit.

Shtetet e Bashkuara janë në kontakt me qeverinë e Koresë së Jugut dhe po monitorojnë situatën nga afër, tha një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.

Rreth 28,500 trupa amerikane janë vendosur në Korenë e Jugut për t'u mbrojtur kundër Phenianit. /VOA

Të këshilluara

ide

Një antihero i dëshpëruar i Homerit

Kryeministri ka përdorur mitin antik të Odiseut që nuk joshet nga sirenat, për të përçuar mesazhin se ai do të vazhdojë përpara pa pyetur për protestuesit. Por nëse nuk do e kish njohur veprën e Homerit vetëm përmes ekranizimit, do të kish gjetur tek kjo metaforë gjurmët e një autokrati

16:50 Andi Bushati

Fillimi i fundit të pushtetit të Ramës

Fillimi i fundit mund të jetë mu ky moment, kur piqet bindja e rrëzimit të një kryeministri a qeverie a rendi - pra të një lloj bindjeje se gjërat nuk do të kthehen aty ku ishin para se të fillonte protesta

09:47 Veton Surroi

MOTI TIRANA

34°c

KËMBIMI EURO

94.48

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI