Flash

Mes tensionesh, kryediplomatja europiane pret Kurtin e Vuçiçin për herë të parë

Lapsi.al 3 December 2024
Mes tensionesh, kryediplomatja europiane pret Kurtin e Vuçiçin

Për herë të parë në cilësinë e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, mirëpret sot në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Takimet, megjithatë, do të mbahen veç e veç dhe nuk do të jenë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin e ndërmjetëson BE-ja.

Ato zhvillohen pak ditë pas një shpërthimi në kanalin kritik të Ibër-Lepencit – pjesa veriore e Kosovës – nga ku furnizohen me ujë disa qytete dhe termoelektrana të vendit.

Kosova fajësoi Serbinë për këtë sulm, por ajo e mohoi çdo përgjegjësi dhe e dënoi atë.

BE-ja, në anën tjetër, e cilësoi si “sulm terrorist” ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës dhe i ftoi të gjithë që të bashkëpunojnë për t’i zbuluar autorët përgjegjës.

Kallas, ish-kryeministre e Estonisë, nisi mandatin pesëvjeçar të kryediplomates evropiane nga 1 dhjetori.

Në këtë detyrë, ajo do të ketë përgjegjësi edhe ndërmjetësimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Procesi që nisi qysh në vitin 2011, kaloi përmes tre paraardhësve të saj – Catherine Ashton, Federica Mogherini dhe Josep Borrell – por dha pak rezultate drejt qëllimit përfundimtar.

Dhjetëra marrëveshja u arritën, por pak prej tyre u zbatuan në terren. Kurti dhe Vuçiq u takuan për herë të fundit në shtator të vitit 2023.

Pak ditë pas atij takimi, ndodhi sulmi në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh sulmuan Policinë e Kosovës dhe vranë një polic.

Një përpjekje e ish-ndërmjetësuesit Borrell për t’i ulur bashkë dy udhëheqësit, në fund të qershorit, rezultoi pa sukses, pasi Kurti nxori disa kushte për takimin – mes tyre, dorëzimin e ish-politikanit serb nga Kosova, Millan Radoiçiq, i cili e pranoi përgjegjësinë për sulmin në Banjskë.

Se cila do të jetë qasja e Kallasit ndaj dialogut mes Kosovës dhe Serbisë tani, nuk dihet shumë. Muajin e kaluar, ajo doli në një seancë dëgjimore para Parlamentit Evropian, por nuk tha asgjë konkrete për këtë proces.

Paraqitja e saj u përqendrua më shumë te lufta në Ukrainë dhe konfliktet në Lindjen e Mesme.

Analistët me të cilët bisedoi më herët Radio Evropa e Lirë, u shprehën të befasuar nga mungesa e vëmendjes ndaj dialogut, duke thënë se “potenciali për destabilitet” në rajonin e Ballkanit Perëndimor “është mjaft i lartë”.

“BE-ja nuk e ka luksin ta lërë anash dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për kohë të gjatë”, tha Leon Hartwell, bashkëpunëtor i lartë në LSE IDEAS – Shkolla e Londrës për Ekonomi.

Në kohën e zhvillimeve të shpejta gjeopolitike, sipas tij, Kallas nuk bën të fokusohet në ruajtjen e status quo-së.

Për ta lëvizur përpara procesin, ai tha se Kallas mund t’i nxisë pesë vendet mosnjohëse të BE-së – Greqinë, Sllovakinë, Spanjën, Qipron dhe Rumaninë – që ta njohin Kosovën dhe, në këtë mënyrë, t’i bëjë trysni Serbisë për të hequr dorë nga refuzimi për njohjen e saj.

Në një takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në vitin 2021, kryeministrja e atëhershme estoneze theksoi nevojën e përmirësimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se një Ballkan Perëndimor i sigurt “është në interesin e gjithë Evropës”.

Atëkohë, ajo po ashtu tha se Estonia e mbështet Kosovën drejt integrimeve evropiane dhe se çelës për sukses janë “reformat, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe sigurimi i njohjeve të shtetësisë prej pesë vendeve të BE-së”.

Më 2022 dhe 2023, Kallas u takua edhe me Kurtin në Tallin të Estonisë.

Në ato takime, ajo e falënderoi Kurtin që Kosova është rreshtuar përkrah BE-së në sanksionimin e Rusisë për luftën e saj në Ukrainë, ndërsa Kurti e falënderoi atë për mbështetjen dhënë Kosovës në shtetndërtim.

Nëse takimet e sotme në Bruksel do të japin ndonjë sinjal për kursin që do të ndjekë Kallas në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, mbetet të shihet.

Të dyja vendet e kanë të qartë prej kohësh se normalizimi i marrëdhënieve është kusht për to për të përparuar drejt integrimit në BE./REL

Të këshilluara

Bashkitë, në “luftë” me borxhet

Njësitë e vetëqeverisjes vendore po ndjekin një trend pozitiv sa i takon shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, të cilat në fund të Shtatorit 2024 rezultojnë ...

18:15

ide

Shqipëria nuk ka pse të arrijë Europën, tani mund ta udhëheqë atë

Në një editorial për The Guardian, Lea Ypi shkruan se protestat e të rinjve tregojnë se Shqipëria mund t’i japë Europës një mësim mbi vetërespektin. Sipas saj, brezi që thotë “Shqipëria nuk është në shitje” po sfidon modelin ku natyra shitet për investime, demokracia kapet nga të pasurit dhe integrimi europian përdoret për të mbyllur gojën kritikëve.

16:35 Lea Ypi

Çfarë e ka shfazuar Edi Ramën

Përtej teorive komplotiste ka një shpjegim të thjeshtë se si ata të rinj që bërtasin rrugëve të Shqipërisë kundër kryeministrit të tyre, u gjendën në të njëjtën anë të barikadës me mediat më të rëndësishme të globit

16:26 Andi Bushati

MOTI TIRANA

22°c

KËMBIMI EURO

95.19

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI