Flash

Kallas pret në takim Albin Kurtin e Aleksandër Vuçiç për herë të parë

Lapsi.al 3 December 2024
Kallas pret në takim Albin Kurtin e Aleksandër Vuçiç

Për herë të parë në cilësinë e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, mirëpret sot në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Takimet, megjithatë, do të mbahen veç e veç dhe nuk do të jenë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin e ndërmjetëson BE-ja.

Ato zhvillohen pak ditë pas një shpërthimi në kanalin kritik të Ibër-Lepencit - pjesa veriore e Kosovës - nga ku furnizohen me ujë disa qytete dhe termoelektrana të vendit. Kosova fajësoi Serbinë për këtë sulm, por ajo e mohoi çdo përgjegjësi dhe e dënoi atë. BE-ja, në anën tjetër, e cilësoi si “sulm terrorist” ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës dhe i ftoi të gjithë që të bashkëpunojnë për t’i zbuluar autorët përgjegjës.

Kallas, ish-kryeministre e Estonisë, nisi mandatin pesëvjeçar të kryediplomates evropiane nga 1 dhjetori. Në këtë detyrë, ajo do të ketë përgjegjësi edhe ndërmjetësimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Procesi që nisi qysh në vitin 2011, kaloi përmes tre paraardhësve të saj - Catherine Ashton, Federica Mogherini dhe Josep Borrell - por dha pak rezultate drejt qëllimit përfundimtar.

Dhjetëra marrëveshja u arritën, por pak prej tyre u zbatuan në terren. Kurti dhe Vuçiç u takuan për herë të fundit në shtator të vitit 2023. Pak ditë pas atij takimi, ndodhi sulmi në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh sulmuan Policinë e Kosovës dhe vranë një polic.

Një përpjekje e ish-ndërmjetësuesit Borrell për t’i ulur bashkë dy udhëheqësit, në fund të qershorit, rezultoi pa sukses, pasi Kurti nxori disa kushte për takimin - mes tyre, dorëzimin e ish-politikanit serb nga Kosova, Millan Radoiçiq, i cili e pranoi përgjegjësinë për sulmin në Banjskë.

Se cila do të jetë qasja e Kallasit ndaj dialogut mes Kosovës dhe Serbisë tani, nuk dihet shumë. Muajin e kaluar, ajo doli në një seancë dëgjimore para Parlamentit Evropian, por nuk tha asgjë konkrete për këtë proces. Paraqitja e saj u përqendrua më shumë te lufta në Ukrainë dhe konfliktet në Lindjen e Mesme. Analistët me të cilët bisedoi më herët Radio Evropa e Lirë, u shprehën të befasuar nga mungesa e vëmendjes ndaj dialogut, duke thënë se “potenciali për destabilitet” në rajonin e Ballkanit Perëndimor “është mjaft i lartë”.

“BE-ja nuk e ka luksin ta lërë anash dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për kohë të gjatë”, tha Leon Hartwell, bashkëpunëtor i lartë në LSE IDEAS - Shkolla e Londrës për Ekonomi.

Në kohën e zhvillimeve të shpejta gjeopolitike, sipas tij, Kallas nuk bën të fokusohet në ruajtjen e status quo-së. Për ta lëvizur përpara procesin, ai tha se Kallas mund t’i nxisë pesë vendet mosnjohëse të BE-së - Greqinë, Sllovakinë, Spanjën, Qipron dhe Rumaninë - që ta njohin Kosovën dhe, në këtë mënyrë, t’i bëjë trysni Serbisë për të hequr dorë nga refuzimi për njohjen e saj. Në një takim me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në vitin 2021, kryeministrja e atëhershme estoneze theksoi nevojën e përmirësimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se një Ballkan Perëndimor i sigurt “është në interesin e gjithë Evropës”.

Atëkohë, ajo po ashtu tha se Estonia e mbështet Kosovën drejt integrimeve evropiane dhe se çelës për sukses janë “reformat, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe sigurimi i njohjeve të shtetësisë prej pesë vendeve të BE-së”.

Më 2022 dhe 2023, Kallas u takua edhe me Kurtin në Tallin të Estonisë. Në ato takime, ajo e falënderoi Kurtin që Kosova është rreshtuar përkrah BE-së në sanksionimin e Rusisë për luftën e saj në Ukrainë, ndërsa Kurti e falënderoi atë për mbështetjen dhënë Kosovës në shtetndërtim. Nëse takimet e sotme në Bruksel do të japin ndonjë sinjal për kursin që do të ndjekë Kallas në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, mbetet të shihet. Të dyja vendet e kanë të qartë prej kohësh se normalizimi i marrëdhënieve është kusht për to për të përparuar drejt integrimit në BE./REL

Të këshilluara

Ndahet nga jeta Arben Tafaj

Ish kandidati i pavarur i Bashkisë Tiranë Arben Tafaj, është ndarë nga jeta ditën e sotme. Lajmin për humbjen e tij e njoftoi mjeku Ilir Alimehmeti, i cili m...

11:38

ide

Një antihero i dëshpëruar i Homerit

Kryeministri ka përdorur mitin antik të Odiseut që nuk joshet nga sirenat, për të përçuar mesazhin se ai do të vazhdojë përpara pa pyetur për protestuesit. Por nëse nuk do e kish njohur veprën e Homerit vetëm përmes ekranizimit, do të kish gjetur tek kjo metaforë gjurmët e një autokrati

16:50 Andi Bushati

Fillimi i fundit të pushtetit të Ramës

Fillimi i fundit mund të jetë mu ky moment, kur piqet bindja e rrëzimit të një kryeministri a qeverie a rendi - pra të një lloj bindjeje se gjërat nuk do të kthehen aty ku ishin para se të fillonte protesta

09:47 Veton Surroi

MOTI TIRANA

34°c

KËMBIMI EURO

94.48

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI