Flash

KPA i jep “stop”gjyqtarëve dhe prokurorëve/Nuk kemi tagër të rishikojmë vendimet tona

Lapsi.al 14 November 2024
KPA i jep “stop”gjyqtarëve dhe prokurorëve/Nuk kemi

Në vendimin e arsyetuar të trupës gjykuese të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për ish-ndihmësin ligjor pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Artor Ylli, Kolegji i Posaçëm i Apelimit jep argumentat përse nuk ka kompetencë të rishikojë vendimet e shkarkimit të marra po prej tij.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, shkalla e dytë e vetting-ut të gjyqtarëve dhe prokurorëve u thotë “stop” subjekteve të rivlerësimit të shkarkuar prej tij, që kanë sjellë ose kanë në plan të sjellin kërkesa për rishikim vendimi, me shpresën e prishjes së vendimit dhe rikthimin e tyre në detyrë. Kjo vetëm nëse Gjykata e Strasburgut urdhëron ndryshe, si në rastin e ish prokurores Antoneta Sevdari, që u rikthye në detyrë nga vetë Kolegji, i cila e pati shkarkuar më parë.

Trupa gjykuese e Kolegjit e përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Ina Rama relatore, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë shpjegon në mënyrë të detajuar arsyet e mospranimit të kërkesave për rishikim vendimit të Yllit, duke iu referuar legjislacionit në fuqi.

Përpara shqyrtimit në themel të pretendimeve të Artor Yllit, Kolegji shtron për zgjidhje 3 çështje:

1 Nëse ka një parashikim ligjor që përcakton juridiksionin rishikues të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit ndaj vendimeve të dhëna prej tij.

2 -Nëse me anë të një interpretimi të brendshëm përmes qëllimit të dispozitës kushtetuese dhe ligjore mund të arrihet në përfundimin se Kolegji i Posaçëm i Apelimit e ka fituar këtë juridiksion rishikues.

3 -Si mund të mbrohen të drejtat e subjekteve të rishikimit për një proces të rregullt ligjor, kur ato janë shkelur nga gjykimi i çështjeve të tyre në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe të korrigjohet një gabim gjyqësor që shoqëron një vendim të dhënë me këto shkelje.

Lidhur me çështjen e parë, pas një analize të kuadrit kushtetues dhe ligjor, Kolegji arrin në konkluzionin se dispozitat e Kushtetutës, Aneksit të saj dhe ligjit nr. 84/2016, lidhur me procesin e rivlerësimit kalimtar, parashikojnë dhe përcaktojnë në mënyrë të shprehur vetëm juridiksionin e Kolegjit mbi kontrollin ndaj vendimeve të marra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, të ankimuara nga subjektet e rivlerësimit dhe Komisionerit Publik.

Lidhur me çështjen e dytë, Kolegji ka marrë në shqyrtim dispozitat e tjera të legjislacionit të përgjithshëm, generalis, që janë të zbatueshme në procesin e rivlerësimit. Sipas nenit 4, pika 6 e ligjit nr. 84/2016, parashikohet se kur është rasti, institucionet e rivlerësimit mund të zbatojnë edhe procedurat e parashikuara në Kodin e Procedurave Civile, Kodin e Procedurave Administrative ose në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, nëse këto procedura nuk janë parashikuar nga dispozitat e Kushtetutës ose të këtij ligji.

Trupi gjykues arrin në konkluzionin se as nga interpretimi i dispozitave të mësipërme nuk derivohet vullneti i ligjvënësit për t’i përcaktuar Kolegjit juridiksionin rishikues, mbështetur në juridiksionin rishikues të gjykatave të zakonshme të vendit.

Lidhur me çështjen e tretë të shtruar për zgjidhje se si mund të mbrohen të drejtat e subjekteve të rishikimit për një proces të rregullt ligjor, kur ato janë shkelur nga gjykimi, në vendim vlerësohet se Kolegji i Posaçëm i Apelimit mund të ketë juridiksion rishikues vetëm nëpërmjet zbatimit të Vendimeve të GjEDNj-së në përgjigje të ankimit të vetë kërkuesit.

Trupi gjykues arriti në përfundimin se kërkesat e regjistruara me nr. 2-4/2019 (JR), datë 10.01.2022 dhe nr. 143/2 prot., datë 14.02.2024, të paraqitura nga Artor Ylli për rishikimin, prishjen dhe gjykimin e çështjes në themel nuk bëjnë pjesë në juridiksionin e rivlerësimit kalimtar të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Pas vendimit të arsyetuar të ish - prokurores së Prokurorisë së Përgjithshme Rovena Gashi, ku argumenton se vepra penale për të cilën është dënuar penalisht Luan Daci nuk ka asnjë lidhje shkakësore me vendimet e shkarkimit të marra në KPA dhe rrjedhimisht nuk i cenon ato, ky është vendimi i dytë i arsyetuar, nëpërmjet të cilit, Kolegji vulos qëndrimin e tij, se subjektet e shkarkuar të rivlerësimit nuk kanë shpresa për rikthim në detyrë nëpërmjet paraqitjes së kërkesave për rishikim vendimi, përveç rasteve kur Gjykata e Strasburgut përcakton ndryshe.

Aktualisht, në Kolegj janë në proces shqyrtimi 28 kërkesa për rishikim vendimi të gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar, ndërkohë që Kolegji vijon procesin e rivlerësimit për ankimet e subjekteve dhe Komisionerit Publik ndaj vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, proces ky që duhet të përfundojë brenda mandatit kushtetues, qershorit të vitit 2026.

Të këshilluara

ide

Rama dhe psikologjia e masave: Rruga e fashizmit hapet nëse mposhtet ptotesta

Në rastin e protestave aktuale, thelbi nuk është “urrejtja e masës” ndaj zhvillimit. Thelbi është se një pjesë e madhe e shoqërisë nuk pranon më që “zhvillimi” të përkufizohet vetëm nga qeveria, investitori dhe propaganda. Qytetarët po thonë se zhvillimi duhet të matet edhe me demokraci, drejtësi, mjedis, punë dinjitoze, llogaridhënie dhe të drejtën e qytetarëve për të vendosur mbi hapësirat ku jetojnë

21:27 Klevis Kolasi

MOTI TIRANA

28°c

KËMBIMI EURO

94.89

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI