Gazetare, eseiste, aktiviste ekologjiste dhe kritike e kapitalizmit, Naomi Klein është një figurë e spikatur e majtës amerikano veriore që prej botimit të librit të saj të parë, No Logo: Tirania e markave (I botuar edhe në shqip në vitin 2001). Në esenë e saj Doktrina Shock (Ombra GVG), ajo analizoi destabilizimin e botës nga kapitalizmi, që arrin të ruajë ndikimin e tij duke shfrytëzuar momentet e krizave. Naomi Klein ka publikuar së fundi një libër të ri ku ajo shqyrton ndikimin e teorive konspirative në internet dhe të ardhmen e majtës. Edhe në këtë intervistë të dhënë për Le Monde dhe të përgatitur nga Lapsi.al, ajo i sheh nga prizmi i majtë rezultatet e zgjedhjeve në SHBA. "Partia Demokratike e mori për të sigurt mbështetjen e elektoratit të saj nga klasa punëtore, të bardhë apo dhe latinë qofshin. Ajo kujtoi se do fitonte duke iu vardisur republikanëve" vëren Klein...
Çfarë ju thotë fitorja e Donald Trump?
"Është një rezultat dëshpërues, për planetin dhe për paqen në Lindjen e Mesme. Por, a jam e habitur nga zgjedhja e tij? Jo, aspak. Zgjedhjet evropiane dhe britanike [të cilat u zhvilluan përkatësisht në qershor dhe korrik] dëshmuan se ka një etje për ndryshim. Zemërimi është i përhapur dhe qytetarët tanë votojnë për të larguar ata që i kanë udhëhoqur vendet e tyre, pa marrë parasysh orientimin e tyre politik. Por, për t'u kthyer në Shtetet e Bashkuara, besoj se përgjegjësi kryesor për fitoren e Trump është Joe Biden. Ai duhej të ishte tërhequr që në dhjetor të vitit 2023, dhe të mos priste deri në korrik siç bëri. Duke u tërhequr më herët, Joe Biden do të kishte mundësuar organizimin e një primareje. Kamala Harris u imponua, por për të ishte e pamundur të prezantohej si kandidate e ndryshimit, pasi qe akoma zv/presidente. Kështu ajo u përmbyt nga vala e pakënaqësisë që po kalojnë kudo demokracitë. Më e keqja është se nuk do të jenë elitat e Partisë Demokratike ato që do të paguajnë çmimin për gabimin e tyre, por njerëzit e zakonshëm që do të vuajnë më shumë nga ky rezultat, do ta pësojnë ata të cilët partia zgjodhi t'i injorojë gjatë fushatës. Strategjia e përdorur ishte e gabuar për këdo që e kupton se si mund të mobilizohet vota. Partia Demokratike e mori për të sigurt mbështetjen e elektoratit të saj nga klasa punëtore, të bardhë apo dhe latinë qofshin. Ajo iu afrua më shumë Liz Cheney [e cila bëri fushatë me Kamala Harris] dhe babait të saj, Dick Cheney [ish-zv president i Shteteve të Bashkuara nën George ë. Bush]. Ky njeri mishëron gjithçka që gjenerata ime urren brenda Partisë Republikane, gënjeshtrat që janë përdorur për të justifikuar luftën në Irak. Kjo strategji u mendua nga donatorët e mëdhenj të Partisë Demokratike, të cilët nuk donin të shihnin Harris të bënte fushatë me një program ekonomik të majtë, që favorizonte një sistem shëndetësor publik, një rregullim më të përcaktuar të gjigandëve të teknologjisë. Partia Demokratike arriti të binë veten se mund të fitonte duke i'u vardisur republikanëve."
Në librin tuaj të ri, ju analizoni se si ne jetojmë me një vetëvete të dyfishtë, një pjesë tonën që preferojmë ta harrojmë. Pas rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë, a duhet të pranojmë se ka pasur një Amerikë që kemi refuzuar ta shohim?
"Zgjedhja e Trump nuk zbulon një fenomen të panjohur, fashizmi që ai mishëron është një pjesë e historisë së Shteteve të Bashkuara që nga gjeneza. Por dëshira për të krijuar një vend të barabartë dhe të lirë bashkëekziston me këtë realitet, dhe ka pasur gjithmonë një tension midis këtyre dy poleve. Megjithatë, nuk besoj se demokratët e sotëm janë pjesë e kësaj lëvizjeje çlirimi. Gjatë fushatës, ata arritën të përziejnë disa elemente të diskursit republikan me një diskurs identitar. Demokratët nuk mashtruan askënd me një fushatë kaq sipërfaqësore. Amerikanët janë shumë të vetëdijshëm për problemet e botës së sotme. Bombat amerikane përdoren kundër fëmijëve palestinezë dhe libanezë ndërsa shumë ekspertë e konsiderojnë si gjenocid atë që është duke ndodhur në Gaza, Shtetet e Bashkuara janë goditur nga stuhi të rënda shkaktuar nga ndryshimet klimatike, padrejtësitë sociale po përkeqësohen. Asnjë alternativë konkrete nuk u propozua nga e majta për këto çështje.
Donald Trump propozoi diçka të ngjashme, por thellësisht të ndryshme: urrejtjen. Kjo ndjenjë i'u jep votuesve, të paktën, kënaqësinë e të qenit nga ana e duhur, kundër atyre që nuk i përfillin. Duke u sjellë në këtë mënyrë ata e konsiderojnë veten si amerikanë të vërtetë. Kjo ishte një formë përgjigje ndaj dëshpërimit që mbretëron në Shtetet e Bashkuara."
Si mund të bëhet një fushatë kundër pushtetit të elitave pa rënë në populizëm?
"[Senatori amerikan] Bernie Sanders garoi si kandidat për president në primaret e demokratëve dy herë [në 2016 dhe 2020] me një program socialist. Çdo herë ai u quajt populist, ndërkohë që do të ishte më e drejtë të thuhej thjesht se projekti i tij ishte popullor. Shembulli i tij më duket i afërt me atë që duhet bërë: të premtohet një sistem shëndetësor publik, siç ka në shumicën e vendeve të industrializuara, të fshihet borxhi studentor, që ka arritur nivele astronomike në Shtetet e Bashkuara, dhe të shndërrohet strehimi në një të drejtë themelore. Fushata e Kamala Harris u financua nga disa prej individëve më të pasur të planetit, të cilët nuk duan t’u japin një pagë të denjë të gjithë punonjësve të tyre ose të paguajnë më shumë taksa për të financuar një sistem shëndetësor publik."
Ju po interesoheni gjithashtu për ndikimin në rritje të teorive konspirative. Çfarë tregojnë këto lloj gënjeshtrash dhe shpërndarja e tyre për shoqërinë bashkëkohore?
"Teoritë konspirative gabojnë me faktet, por ato shprehin një ndjenjë të drejtë, bindjen se sistemi po punon kundër jush. Shumica e njerëzve nuk kanë njohuri të thella për mënyrën se si funksionon kapitalizmi. Ata besojnë ende te ato teori që dëgjojnë më shpesh: rritja funksionon si dallgë që ngre të gjitha anijet, të vogla e të mëdha. Kështu paraqitet kapitalizmi në shkolla. Dhe kur ai shkakton kriza, kjo provokon keqkuptime të thella. Njërëzit duan të vazhdojnë të besojnë se sistemi nuk ka faj, por se ai është manipuluar nga individë ose grupe të këqij: Bill Gates [bashkëthemelues i Microsoft], kreu i Forumit të Davos, Klaus Schëab, hebrenjtë, ose siç dëgjohet tani, 'globalistët'. Për ti vënë digë ndikimit të këtyre teorive, është e gabuar që të mjaftohemi duke përbuzur ata që besojnë tek ato, por të pranojmë se emocionet që ato nxisin janë të ligjshme dhe të paraqesim një projekt që mund ti'u përgjigjet nevojave të tyre."
Në librin tuaj, ju trajtoni çështjen e antisemitizmit, pa diskutuar për manifestimet e tij tek e majta…
Duhet së pari të biem dakord për atë çfarë kuptojmë me antisemitizmin e majtë. Ky term mund të ketë një definicion shumë të gjerë, duke përfshirë kritikat ndaj Izraelit, e cila megjithatë është një gjë legjitime. Duhet gjithashtu të pranojmë që antisemitizmi është një fenomen i përhapur brenda shoqërisë tonë. Që nga 7 tetori, kam qenë shumë kritike ndaj atyre që vetëquhen të majtë dhe e kanë kremtuar këtë masakër. Kam publikuar një artikull në The Guardian disa ditë pas këtyre ngjarjeve, në të cilin pohova se duhej të zgjidhnim fëmijët, jo armët. Më duket absolutisht e rëndësishme, që të kthehemi tek disa parime të qarta: çdo jetë njerëzore është e çmuar, liria e shprehjes për të gjithë, të negociojmë në vend që të bëjmë luftë, të kthehemi tek të drejtat ndërkombëtare, tek Konventa e Gjenevës e 1949 [tekst që përcakton parimet themelore për mbrojtjen e popullatave civile në kohë lufte].
Megjithatë, sot ka njerëz në të majtë që pohojnë se vrasja e një fëmije palestinez është një krim lufte, por se nga ana tjetër nuk ka civilë në Izrael. Unë e refuzoj me forcë këtë ide. Ndërkohë them se, mund të kuptoj sesi palestinezët, përballë forcës të zhbalancuar, arritën deri në këtë pikë. Por pavarësisht kësaj asnjëherë nuk mund të kremtojmë 7 tetorin.
Ju e refuzoni kthesën identitare të së majtës. Pse?
Politikat identitare në të majtë shpesh çojnë në përjashtimin e burrave, apo të të bardhëve. Më vjen keq për këtë. Drejtësia nuk vjen nga krijimi i një hierarkie të re shoqërore, kundër asaj që propozon e djathta. Vizioni për të ardhmen që ne duhet të përpiqemi të përcaktojmë duhet të lejojë çdo individ të gjejë veten në të. Të thuash se të gjithë burrat janë seksistë, ose se të gjithë të bardhët janë racistë, është në kundërshtim me atë që duhet të bëjmë. Ne duhet të ndërtojmë një kulturë të përfshirjes.
Çdo kush që ka dëgjuar disi podcast-et e Steve Bannon [ish-këshilltar i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe ideolog i influencës ekstreme të djathtë], siç bëra unë gjatë investigimit tim për të shkruar librin e fundit nuk mund të jetë i befasuar nga rezultati i zgjedhjeve presidenciale amerikane. Votimi i latinëve për Trump nuk është aspak i habitshëm, Steve Bannon ka punuar për këtë prej dhjetë vitesh. Ai e quan këtë "nacionalizëm inkluziv". Fjalimi i tij nuk ka të bëjë vetëm me supremacinë e bardhë. Ai është i hapur për të gjithë, pa marrë parasysh origjinën, nëse ata pranojnë të përjashtojnë ata që nuk janë "amerikanë të vërtetë" dhe që, sipas tij, duhet të dëbohen nga vendi.
Çfarë mendoni për COP29? A janë këto procese negociatash të kompromentuara nga zgjedhja e Trump?
Këto samite multilateralë janë bërë qesharake vitet e fundit. Ata janë gjithnjë e më shumë nën ndikimin e gjigantëve të industrisë dhe shteteve naftëmbajtëse. COP u zhvillua në 2023 në Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe në 2022 në Egjipt. Ky ndikim i hidrokarbureve mbi COP nuk po bëhet më i vogël. Kështu që më duket e panevojshme të bërtasësh për katastrofën pas fitores së Trump, sepse këto negociata ishin tashmë në krizë. Pastaj, në Shtetet e Bashkuara, çështjetb e klimës ishin plotësisht të anashkaluara gjatë fushatës së Kamala Harris. Përkundrazi, ajo vazhdoi të përsërisë se ishte në favor të fraktures hidrike [një teknikë e diskutueshme për nxjerrjen e gazit natyror]. Dështimi i ish-kandidates Harris do t’i detyrojë demokratët të organizojnë një primare për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, ku mund të dëgjohen ide të tjera.
Le Monde perktheu T.Çela, Lapsi.al